Kuvendi miratoi me 123 vota pro ligjin e Vettingut që i hap udhë ngritjes së komisioneve ad-hoc në kuadër të reformës në drejtësi./
“E kam pritur shumë këtë moment kur të dilja nga dera e parlamentit dhe tu thoja shqiptarëve që vettingut do të fillojë dhe që tanimë reforma në drejtësi nuk ndalet. Është një moment shumë emocionues sepse është një moment që të bën të thuash me plot gojë që politika është një forcë për mirë kur përdoret për qëllime të mira”, tha Kryeministri Rama në fund të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.
Votimi i vettingut i paraprinë ndryshimet në Kodin Penal, sipas marrëveshjes së arritur mes mazhorancës dhe opozitës për kriminalizimin e shit-blerjes së votës si dhe disa ndryshime në ligjin për partitë politike dhe për mediat audiovizive.
U votuan gjithashtu edhe Klement Zguri në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Denar Biba, që kalon anëtar i Komisionit.
Parlamenti voton ndryshimet në qeveri/
Parlamenti i Shqipërisë, i mbledhur pasditen e kësaj të hëne në kuadër të marrëveshjes Rama-Basha, ka votuar ndryshimet në qeveri.
Në seancën plenare, ku pavarësisht paktit nuk kanë munguar replikat, është votuar fillimisht shkarkimi i Niko Peleshit, Fatmir Xhafajt, Ogerta Manastirliu, Olta Xhackës, Arben Ahmetajt, Lindita Nikollës dhe Petrit Vasilit.
Nga kuorumi prej 125 deputetësh është votuar:
Shkarkimi i Peleshit: 106 vota pro.
Shkarkimi i Xhafaj: 104 vota pro.
Shkarkimi i Manastirliut: 114 pro, 4 kundër, 3 abstenime.
Shkarkimi i Ahmetaj: 107 vota pro, 3 kundër, 5 abstenim.
Shkarkimi i Nikollës: 109 vota pro, 1 kundër, 4 abstenim.
Shkarkimi i Vasilit: 102 vota pro, 10 kundër, 2 abstenim
Ndërkohë, deputetët në sallë kanë votuar edhe emrat e rinj të kabinetit qeveritar, të propozuar nga Partia Demokratike në kuadër të marrëveshjes.
Ledina Mandija: 119 vota pro, 2 kundër.
Dritan Demiraj: 107 vota pro.
Arben Beqiri: 118 vota pro, 3 kundër, 4 abstenim.
Xhuljeta Kërtushaj: 118 vota pro, 3 kundër 2 abstenim.
Helga Vukaj: 116 vota pro, 2 kundër, 3 abstenim.
Mirela Karabino: 111 vota pro, 3 kundër, 3 abstenim.
Gazmend Bardhi: 106 vota pro, 3 kundër, 5 abstenim.
Ndërkohë, palët pritet të votojnë edhe ndryshimet në ligjin për financimin e partive, që detyron mediat private t’u japin falas dy partive të mëdha 90 minuta hapësirë për spotet publicitare dhe 10 minuta partive të vogla.
BETOHEN MINISTRAT E RINJ
Zv.Kryeministrja e re dhe gjashtë ministrat e rinj të kabinetit qeveritar u betuan në kohë rekord para Presidentit të Republikës.
Betimi i tyre u bë pak pasi ata u miratuan në Kuvend në bazë të marrëveshjes Rama-Basha.
Ndryshimet ndodhën në një kohë rekord, ndërkohë që Kuvendi pritet të mblidhet sërish sonte për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Aktualisht ndryshimet janë duke i shqyrtuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ku Top Channel mëson se ka patur disa mosdakordësi për çështje të vogla dhe jothelbësore.Sipas TOP CHANNEL/