Partizani ka arritur të sigurojë ngjitjen në Superiore tri javë përpara fundit
të kampionatit dhe tashmë drejtuesit janë të përqendruar te ndërtimi i skuadrës
së sezonit të ardhshëm. Të gjithë e pranojnë faktin se duhen bërë përforcime,
pasi Superiorja ndryshon shumë nga Kategoria e Parë dhe në elitë gara është
shumë e fortë. Mirëpo duket se strategjia e presidencës gjatë merkatos së verës
do jetë rikthimi në skuadër i të gjithë futbollistëve që kanë dalë nga akademia
e kuqe, apo edhe e atyre që kanë luajtur për një kohë të gjatë me Partizanin dhe
janë benjaminët e tifozerisë.
Në një prononcim për “Panorama Sport”
presidenti Lulëzim Sallaku u ka bërë thirrje publike të gjithë ish-lojtarëve që
të afrohen pranë Partizanit, pasi dyert do t’i kenë të hapura.
“Kemi filluar të mendojmë që në këto momente për merakton, ndërsa kemi pasur kontakte
me shumë futbollistë të ndryshëm. Unë dua t’i siguroj të gjithë tifozët e
Partizanit se merkatoja do të jetë e studiuar mirë dhe se lojtarët që do afrohen
do të jenë mjaft cilësorë. Nga ana tjetër dua t’u bëj thirrje të gjithë
ishlojtarëve të Partizanit, që kanë dhënë kontributin te kjo skuadër ndër vite,
nëse kanë dëshirë të afrohen dhe të nisim bisedimet, pasi derën do ta kenë
gjithmonë të hapur për t’u ribërë pjesë e këtij ekipi”, – ka thënë
Sallaku.
Përveç merkatos së verës, te Partizani të gjithë janë të
përqendruar edhe te terrenet sportive, të cilat janë edhe baza e skuadrës. Vetë
Sallaku kohë më parë deklaroi se fushat do të jenë gati kur Partizani të nisë
përfaqësimin në Superiore dhe një premtim i tillë është drejt realizimit.
Federata Shqiptare e Futbollit ka miratuar edhe ndërtimin e një fushe për
llogari të të kuqve, ndërsa punimet po vazhdojnë me ritëm të lartë.
Pas arritjes së objektivit të ngjitjes në elitë, sigurimit të financave, por edhe të
një terreni stërvitor që pritet të përfundojë, tashmë ultrasit e kuq kërkojnë
një titull kampion, i cili u mungon prej 20 vitesh. Një premtim i tillë nuk
është bërë nga drejtuesit, ndërsa synohet që sezonin e ardhshëm të kuqtë të
renditen në vendet e para të klasifikimit dhe të sigurojnë një vend në Kupat e
Evropës. Por, për t’i arritur këto objektiva, duhet më parë të ndërtohet një
skuadër kompetitive.