-Ministri i Shtetit për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Mark Lancaster, i cili ka shërbyer si oficer i Mbretërisë së Bashkuar në vitet 1999-2000, u shpreh i entuziazmuar që ndodhet përsëri në Kosovë dhe sheh një qytet aq dinamik, si Prishtina./
“Kur shërbeni diku si ushtar dhe e lini atë vend, çdoherë merrni diçka nga ai dhe, mund t’ju siguroj për këtë se, për këto 18 vjet Kosova asnjëherë nuk ka qenë larg mendimeve të mia dhe për këtë arsye jam i lumtur që jam kthyer”, theksoi ministri Lancaster, duke shprehur përkushtimin e shtetit të tij për Kosovën, të cilin e ka treguar përgjatë shumë viteve/
PRISHTINË, 30 Nëntor 27-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri i Shtetit për Forca të Armatosura të Britanisë së Madhe, Hon Mark Lancaster, mbërriti sot për vizitë në Kosovë, ku në mëngjes u prit nga Presidenti i Republikës Hashim Thaçi, e më pas takoi kryeministrin Ramush Haradinaj.Presidenti Thaçi e ka falënderuar ministrin britanik Mark Lancster për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.“E vlerësojmë shumë përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën. Pa ndihmën tuaj dhe të shteteve të tjera mike, Kosova nuk do të arrinte të forconte subjektivitetin e saj ndërkombëtar”, u shpreh presidenti Thaçi.Me Ministrin e Shtetit për Forca të Armatosura të Britanisë së Madhe, Mark Lancster, presidenti Thaçi ka folur edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe procesin e transformimit të saj në Forca të Armatosura të Kosovës.Ndërsa, ministri britanik Mark Lancster, i cili më herët kishte shërbyer edhe si ushtar i KFOR-it në Kosovë, u shpreh i impresionuar me zhvillimet pozitive dhe ndryshimet në Kosovë.“Kosova ka bërë një punë shumë të mirë për integrimin e komuniteteve dhe Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur standarde të larta”, ka thënë ministri Lancster.Duke folur për zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor, ministri Lancster theksoi se Britania e Madhe e mbështetë vazhdimin e dialogut të Kosovës me Serbinë në Bruksel, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se vizita e ministrit Lancaster është një moment prekës, pasi ai ka shërbyer si oficer i Mbretërisë së Bashkuar në vitet 1999-2000 dhe tani vjen si ministër i Forcave të Sigurisë, gjë që dëshmon se Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar vazhdojnë të jenë vende mike.Duke shprehur falënderimin për përkrahjen që i kanë dhënë Mbretëria e Bashkuar Kosovës në vazhdimësi, kryeministri tha se është biseduar për thellimin e bashkëpunimit bilateral në mes dy vendeve.
“Jemi thellë të bindur se ka ende shumë mundësi, shumë punë të mira që mund të bëhen së bashku”, tha kryeministri Haradinaj.Ministri i Shtetit për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Mark Lancaster u shpreh i entuziazmuar që ndodhet përsëri në Kosovë dhe sheh një qytet aq dinamik, si Prishtina.“Kur shërbeni diku si ushtar dhe e lini atë vend, çdoherë merrni diçka nga ai dhe, mund t’ju siguroj për këtë se, për këto 18 vjet Kosova asnjëherë nuk ka qenë larg mendimeve të mia dhe për këtë arsye jam i lumtur që jam kthyer”, theksoi ministri Lancaster, duke shprehur përkushtimin e shtetit të tij për Kosovën, të cilin e ka treguar përgjatë shumë viteve.Ministri Lancaster më tutje tha se lidhja me Kosovën do të lulëzojë në kontributin që do të japin për të ndihmuar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, por edhe kontributin për KFOR-in, si dhe për fushat ku mund të ndërtohet bashkëpunimi edhe në vitet e ardhshme.
Në mesditë, ministrin Lancaster dhe delegacionin e Ministrisë së Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar do pritet nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha.Në axhendë janë edhe prezentimet nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s për Ministrinë e FSK/FSK (NALT). Do ketë edhe demostrime nga FSK dhe deklarata në konferencë shtypi.