
NGA MARJANA BULKU/

Ka pothuaj 110- vjet që PAN Shqiptarja Vatra është shtegu gjithmonë i hapur nga ky hyjnë e dalin njerëz, ngjarje, vepra, histori. Por këtë pasdite tetori kjo sallë modeste historish madhështore , gjalloi ndryshe. Prezenca e artistes së madhe Inva Mula e cila tërë jetën ia ka kushtuar artit dhe muzikës , i dha ngjyra tjera këtyre mjediseve ku historia flet me zë dhe figurë , vepra e portrete , antologji.Prezenca e një artisteje të madhe si ajo, Olen Çezarit, Dëshira Ahmetit, Frederik Ndocit, etj natyrisht që i japin një dimension të ri asaj historie që gjallon edhe pse e largët . Prezenca e tyre rrëfen se sa shumë kënga i këndoi historisë, ndjenjave më të bukura njerëzore të cilat i dalin zot kombit në ditët e veta të vêshtira , e mbajnë gjallë atë.Mendimi rrëshqet bukur nëpër tingujt që ka dhjetra vjet që bashkëjetojnë me fjalën dhe këndohen nga dhjetra zëra duke përcjellë ngjyra emocionesh. Ishte një takim i veçantë që edhe pse në një ditë pune , me ngarkesat e trafikut, lodhjes pati tërë angazhimin e drejtuesve të Vatrës ; Dritan Mishto, Agim Rexhaj, Dalip Greca, etj, madje edhe u ndoq nga Adem Belliu dhe Albanian Culture tv për ta memorizuar dhe përcjellë në kujtesën e shumkujt atë ngjarje ku historia e një artisteje zbërthehet në dhjetra histori aktesh artistike, interpretimesh, mesazesh që na bëjnë ta perceptojmë artin jo si një mur i lartë mrekullish por si një urë që na lidh , na afron , na bën më të bukur në shpirt.Dy vite më parë , në parlamentin e Ontarios festohej trashëgimnia kulturore shqiptare , falë kujdesit të Dr . Ruki Kondaj dhe komunitetit Shqiptaro-Kanadez të cilët e nderojnë ligjërisht kulturën shqiptare e ku e ftuar Nderi ishte ikona e artit shqiptar në rrënjë e deje Inva Mula pata edhe rastin ta njoh dhe dëgjoj nga afër zërin me të cilin ishim rritur.Teksa këndonte “Moj e bukura More”, një këngë e stërlashtë e cila ka origjinë të hershme dhe ka jehuar anekënd kohëve , lotët më rridhnin pa kontroll dhe ndjeja se interpretimi i Invës shkaktonte emocione të rralla, ndoshta për shkak të statusit tim të ri prej emigranteje, ndoshta sepse e ndjej muzikën e praktikuar bukur por pa dyshim përvoja artistike ta sjell veprën në mënyrën më të përsosur të mundshme. Kjo ndodhi përsëri në Vatër , rrethuar nga dashamirës dhe miq, fjalë zemre e mesazhe , tinguj dhe interpretime të improvizuara të cilat edhe pse jo në skena gjigande konfirmojnë madhështi artistësh që i falin sistematikisht historisë akte dhe vepra që nuk vdesin. Inva Mula, bija e artistit të madh Avni Mula, soprano e operave ndërkombëtare që famën e ka fituar me punë dhe pasion , në vatrën historike u duk më madhështore se kurrë. Sepse udhëtimi i saj artistik është përkushtimi ndaj të resë së bukur të spektakleve “ Virtuozët” MIK festival , e tashmë Udhëtim nëpër botë përmes muzikës , një udhëtim ky jo vetëm i saj por edhe i shumë artistëve , të rinj apo të vjetër, brenda apo jasht Shqipërisë , por që Shqipërinë e bëjnë të njohur dhe të pavdekshme ngado shtegton tingulli i saj , i tyre, i yni.Marjana Bulku 3 tetor 2019