

Sokol Paja/
Patrioti dhe veprimtari i çështjes kombëtare Lulzim Cina, kryetari i Lidhjes së Shoqatave Shqiptare të Kretës dhe anëtar i bordit drejtues të diasporës shqiptare të Greqisë vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ai u prit nga vatrani legjendar Marjan Cubi me 45 vite kontribut në Vatër dhe komunitetin shqiptar në Amerikë, Nazim Salihu këshilltar për art dhe kulturë, anëtari i kryesisë Ilir Cubi, editori i Diellit dhe patrioti Edi Plaka. Patrioti Lulzim Cina shprehu mirënjohje për punën historike të Vatrës në dobi të kombit shqiptar duke e quajtur “zemra e shqiptarëve të Amerikës”. Z. Cina solli përshëndetjet e shqiptarëve të Greqisë me dashuri e respekt për Vatrën si qendër atdhetarie në mërgatën e Amerikës. Z. Cina shpjegoi se falë punës së patriotëve shqiptarë në vitin
2001 u hap shkolla e parë shqipe në Greqi në qytetet Kretë, Selanik e Volos. Në të gjithë Greqinë janë rreth 100 klasa të mësimit të gjuhës shqipe, shpjegoi z.Cina. “Projektet humanitare e komunitare, ruajtja e gjuhës shqipe dhe kulturës e traditës shqipe dhe të drejtat e shqiptarëve brenda shtetit Grek, janë motiv kryesor i punës patriotike, deklaroi z.Cina.
Marjan Cubi shpjegoi etapat e zhvillimit të Vatrës, përpjekjet e Federatës Vatra për komb, komunitet e atdhe. Këshilltari për art dhe kulturë z.Nazim Saliu shpjegoi projektet kulturore dhe mbështetjen që jep Vatra, ndërsa Ilir Cubi shpjegoi ndihmat që ka dhënë Vatra për shkollat shqipe duke dhuruar abetare, libra shqip, gazeta Dielli e flamuj kombëtarë për fëmijët shqiptarë të shkollave shqipe. Z. Cina bëri thirrje që Vatrën ta vizitojnë të gjithë shqiptarët në mbarë botën si vlerësim e respekt për dedikimin, përkushtimin dhe investimin në çështjen kombëtare në mërgatën e Amerikës dhe trojet etnike.