Lajmi ku pretendohet se Shefi i Kabinetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme është thërritur ushtar nga Greqia, ka ndezur debatet mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme. Opozita, përmes përfaqësuesit të saj në këtë komision, Aldo Bumçi, e ka cilësuar si skandaloz këtë rast. “Lajmi që një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Shefi i Kabinetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme është thërritur ushtar nga Greqia është skandaloz sepse i gjithë materiali sekret diplomatik kalon nga Shefi i Kabinetit të kësaj ministrie”, tha Bumçi. Zv.ministri i Jashtëm, Belortaja tha se do të verifikohen pretendimet e opozitës.
Debatet u zhvilluan gjatë mbledhjes së përcaktuar me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme për të raportuar mbi çështjen e azilkërkuesve, ku zv.ministri i Jashtëm deklaroi se në rritjen e numrit të azilantëve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian, kanë ndikuar edhe reformat e qeverisë.