Në Universitetin Europian të Tiranës u promovua përmbledhja publicistike e Pëllumb Kullës. “Luftë pa fund” është botimi më i ri i UET-Press, i cili ka bërë bashkë, siç i quajti botuesi Çili “tre të tmerrshmit” e publicistikës shqiptare të këtyre 20 e ca viteve të fundit, autorin Pëllumb Kulla dhe Mero Bazen e Filip Çakulin që kanë shkruar parathënien. Të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, kreu i FRD-së, Bamir Topi, anëtarë të kabinetit, personalitete të tjerë të politikës, artit dhe medias, në njëfarë mënyre një “inventar miqsh” për autorin.
“Falenderoj me radhë që nga Mustafa Nano që u bë iniciator, te Henri Çili që e përqafoi menjëherë dhe që më bëri një nder shumë të madh, sepse unë e quaj një libër me vlera të mbledhësh tharmin satirik të 20 e ca vjetëve, si dhe drejtoreshën e Botimeve, Valbona Nathanailin. E zgjata qëndrimin në Shqipëri pikërisht që të dilte libri, i cili nuk do kishte dalë pa angazhimin e kaq njerëzve”, tha Kulla gjatë fjalës së tij të shkurtër përshëndetëse. Ndërkohë që botuesi Çili shprehu kënaqësinë e bashkëpunimit me një nga njerëzit e adhuruar së largu në fund të viteve ’80 për modernitetin e përhershëm. Në këtë libër ka pak për çdo shije lexuesish, shkrime politike, fjalime diplomatike, krijime të satirës dhe humorit, publicistikë, shkrime për figura të njohura të Shqipërisë. “Pëllumbi është një publicist “sui generis” sepse lëndën e vet e nakatos me një humor që mua më pëlqen shumë. Unë bëj pjesë te njerëzit e pakët që dinë ta shijojnë humorin e Pëllumbit. Unë vetë nuk shquhem për të bërë humor, por di ta shijoj atë të Pëllumbit. Pëllumbi është një njeri i ledhatuar nga Zoti në një kuptim, sepse Zoti përveç talentit për të bërë humor, i ka dhënë edhe talentin për të shkruar dhe kjo është një bujari që Zoti nuk e shfaq me shumë njerëz. Njerëzit që dinë të bëjnë humor dhe dinë të shkruajnë, janë sipas meje, njerëzit nga më të dobishmit për një shoqëri, sidomos për një shoqëri si e jona”, tha Mustafa Nano gjatë promovimit.
Publicistika, politika dhe satira e Kullës
Ky vëllim i Pëllumb Kullës, i 15-ti për të në gjini të ndryshme, ndryshe shtegtimi i tij nëpër qiellin politik, sjell një përmbledhje të artikujve, letrave, fjalimeve dhe intervistave të tij në këto 20 e ca vitet e fundit. Jo ato që janë të rëndësishme sot, siç thonë autorët e parathënies, por ato që kanë pasur vlerë në atë çast dhe që vazhdojnë të kenë. “Në këtë vëllim, autori ka bërë një shtegtim në jetën e tij dhe ka përzgjedhur në të, jo atë çfarë i intereson sot, por atë që për të ka qenë e rëndësishme kur ka ndodhur. Ky kriter i jep vlerë identitetit të autorit dhe respekton jetën, mendimet, vlerat dhe “marrëzitë” e tij në kohë, pa vrarë mendje nëse sot janë të përshtatshme ose jo”, thuhet në parathënie. Sipas autorëve të saj, Pëllumb Kulla, është nga ata “diktatorë” të skenës politike, artistike dhe publicistike të këtyre 24 viteve që nuk do të fshehë asnjë pjesë të kësaj jete publike, përkundrazi na i sjell ato me “arrogancën” e zotëruesit të së vërtetës dhe vlerave të qëndrueshme dhe si I tillë ai meriton të skanohet nga publiku shqiptar edhe sot, në këtë moshë. “Vëllimi “Luftë pa fund”, është një dëshmi e gjallë e mënyrës se si një intelektual shqiptar ka jetuar diktaturën dhe dështimet e demokracisë. “Libri është një pasqyrë e gjallë e asaj se si një intelektual nuk mund të heshtë, nuk mund të rrijë mënjanë, nuk mund të bëjë sikur nuk e ka mendjen, ose nuk e shikon çfarë po i ndodh shoqërisë së tij edhe kur ai jeton larg saj. Përkushtimi i Pëllumb Kullës ndaj artit, satirës, politikës dhe publicistikës është një standard, i cili i bën mirë shoqërisë shqiptare. I bën sidomos në këtë krizë të rëndë morale që po kalon, ku debati më i madh i saj është për lojërat e fatit, se sa për fatin e kulturës, për ndërtimet pa leje, se sa për ndërtimin e një shoqërie me vlera, për kultivimin e drogës më shumë se sa për kultivimin e dijes dhe kulturës”, thuhet mes të tjerash në parathënie.
Ligji i mercenatit, si mbështetës i vlerave të vërteta
Çakuli dhe Baze ndalen në udhëkryqin ku gjendet sot shoqëria shqiptare, mes banalitetit të komercializmit dhe vlerave të qenësishme që ato kërcënojnë. “Do donim të falenderonim Shtëpinë Botuese të Universitetit Europian të Tiranës, që ka sjellë për publikun kohët e fundit një seri botimesh që nuk bazohet te komercialiteti, por te sistemi i vlerave, një botim i tillë është edhe ‘Lufta pa fund’ i Pëllumb Kullës, i cili është një leksion i hapur për studentët, për gazetarët për intelektualët, për mënyrën si duhet t’i përkasin shoqërisë”, thonë autorët e parathënies, ndryshe një nga “fjalët e vetme të mira ndoshta, thënë nga dy profile që nuk thonë asnjë fjalë të mirë për asgjë dhe asnjëherë”, do komentonte botuesi Çili. Ai shfrytëzoi praninë e Ramës për të propozuar si rregullatorin e trafikut të vlerave dhe jovlerave në këtë udhëkryq të rrëmujshëm, ligjin e mercenatit. “Ndoshta ka ardhur koha që mercenati, ose mbështetja e librave dhe gjithë veprimtarive të tjera kulturore, sportive, të shoqërisë civile të ishte vërtet një veprimtari e mbështetur nga shteti dhe sistemi ynë ligjor dhe fiskal. Kemi një kryeministër që na vjen njëkohësisht nga shoqëria civile, nga arti dhe nga sporti dhe më shumë se secilit do i takonte atij të sillte një erë të re në këtë drejtim, në mënyrë që vërtet të kemi një ekuilibër të ri mes atyre fenomeneve që i prodhon tregu dhe vlerave që shoqëria duhet të gjejë një mënyrë për t’i mbështetur dhe shteti është mbështetësi më i keq, më i dobët, më i padrejtë i këtyre vlerave. Duhet gjetur një mekanizëm nëpërmjet ligjit të mercenatit që sistemi ta bëjë këtë gjë vetë”, tha Çili.
“Shqipëria gjendet në një udhëkryq të rrezikshëm, mes banalitetit dhe komercializimit të vlerave vulgare nga njëra anë, dhe sqimës e sistemit të rrezikuar të vlerave në anën tjetër. Kryqëzimi është historik, pasi në anën e banalitetit dhe komercializimit janë miliona euro në dispozicion dhe një tabor njerëzish pa emër dhe pa fytyrë, kurse në anën tjetër ka pak njerëz që nuk lodhen së treguari se kush është sistemi i vlerave dhe standardi që duhet të respektojë shoqëria, edhe pse nuk paguhen për këtë gjë. Kjo është një betejë që shoqëritë perëndimore e kanë fituar duke hequr dorë nga komercializimi i vulgaritetit dhe duke çuar në bashkëjetesë vlerat me marketingun”, japin ata zgjidhjen që ende nuk ka ardhur në Shqipëri, për të cilën botuesi Çili propozoi një mekanizëm vetërregullues të sistemit.