Pengu i vetëm imi është se deri tani nuk kam pasur mundësinë që përvojën time ta vë në shërbim të Shqipërisë në mënyrë direkte/
Bisedë me Dr.Gëzim Alpion/
Dr Gëzim Alpion është një ndër intelektualët shqiptarë që është larguar nga vendi, por me përkushtimin e tij dhe perfaqsimin dinjitoz në botën akademike në Angli në Universitetin e mirënjohur të Birminghamit si Lektor dhe Drejtor i Programeve të Kombinuara pranë Shkollës së Qeverisjes dhe Shoqërisë në Universitet, anëtar i Shoqatës Sociologjike Britanike (Grupit Studimor Weber), dhe anëtar i bordit të disa revistave shkencore, përfshirë revistën ‘Celebrity Studies’, që botohet nga Routledge, ka bërë që kontributi i tij për Kombin të jetë i konsiderueshëm ndër arsimdashësit dhe lexuesit e shumtë të tij.
Dr.Alpion cila ka qenë fëmijëria juaj dhe disa nga kujtimet më pikante të saj?
Kam pasur një fëmijëri shumë të lumtur. Peshkopia e fëmijërisë time ishte nje qytet i pastër, me njerëz të sjellshëm dhe mikepritës. Peshkopia kishte jetë kulturore të pasur: galeri artesh, shtëpi kulture, kinema, trup estrade, trup teatrale, një park nate ku klientët shijonin muzikë ‘live’, muze, bibliotekë, gazetë, dy shkolla tetëvjecare, një shkollë të mesme bujqësore ku nxënësit vinin nga disa krahina të vendit, një shkolle pedagogjike me traditë të shkëlqyer, një shkollë të mesme e cila ishte nga më të mirat në vend, një klub sportiv ku shquheshin në rang kombëtar veçanërisht ekipi i volejbollit për femra, mundja, alpinizmi. Si fëmijë ndiqja me interes olimpiadat dhe kampionatet kombëtare të shahut, futbollit, basketbollit, dhe mundjes. Po kështu, ndiqja rregullisht premierat e estradës së Peshkopisë dhe shfaqje nga trupat e estradës dhe teatrot profesioniste nga një numër qytetesh të tjera, përfshirë edhe një shfaqje nga Teatri i Operas dhe Baletit.
Prindërit e mij të devotshëm bënë çmos që vellai, dy motrat dhe une të rritemi të shëndetshëm, të lumtur dhe me dinjitet.
Mësuesit e mi në Peshkopi ishin profesionistë par excellence.
Shoqet dhe shokët e fëmijërisë i kujtoj me respekt të veçantë. Me disa prej tyre jam në kontakt falë mediave sociale.
Si fëmijë shkoja shpesh për vizitë në fshatrat përreth Peshkopisë për të vizituar të afërmit. Kjo më dha mundësi të njihja dhe të çmoja që në moshe të re si veçantinë e Peshkopisë ashtu edhe magjinë e fshatit dibran. Që kur isha i vogël, në dasma më pëlqente të ulesha në një cep në konakun e burrave ku ndiqja me interes bisedat e njerëzve fjalëpak nga të cilët mësova sa me efekt dibranët e përdorin gjuhën.
Unë them me krenari të veçantë se kam lindur dhe kalova 14 vitet e para të jetës në Dibrën e begatë, relievi epik i së cilës është skalitur për të mos u fshirë kurrë në kujtesën time. Kur vizitova për herë të parë piramidat e Gizës në Egjypt e kuptova më mire se sa me fat isha që kisha kaluar fëmijerinë në hijen e pirmaidave natyrore të Dibrës.
Nuk do të doja ta kisha kaluar fëmijërinë në asnjë vend tjetër. Për këto dhe arsyje të tjera, për mua, atdheu është fëmijëria.
Duke qenë lektor në një nga Universitet e mirënjohura dhe vendet e zhvilluara perëndimore cili është krahasimi midis universiteteve tona në Shqiperi si në të kaluarën dhe postkomuniste?
Kjo është një pyetje që kërkon një përgjigje të gjatë. Shkurtimisht mund të them se, pavarësisht se jam diplomuar në Universitetin e Kajros në Egjypt dhe atë të Durhamit në Angli, e kam për nder që para se të largohesha për studime në Egjipt në vitin 1985 studiova në Universitetin e Tiranës, një insitucion ku pata mundësinë të miqësohem me shokë dhe shoqe të mrekullueshëm nga e gjithë Shqipëria (shumë nga ata që në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja ‘Asim Vokshi’) dhe me lektorë të devotshëm që dinin të vendosnin raporte korrekte me studentët.
Ashtu si me brezin e fëmijërisë, vazhdoj të jem në kontakt me shumë shokë, shoqe dhe pedagoge që njoha në Tiranë.
E konsideroj veten me fat që u diplomova në Universitetet elitare të Kajros dhe Durhamit.
Per zhvillimet, sfidat dhe problemet shqetësuese me të cilat po përballet arsimi i lartë në Shqipëri që nga fillimi i viteve 1990-të jam i informuar.
Jam ftuar disa herë për të zhvilluar leksione dhe biseda në universitete shqiptare në Ballkan. Gjatë vizitave formale në universitetet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë njihesh me fasadën, por miqtë e mij që punojnë në këto institucione më kanë informuar për vështiresitë që hasin.
Situata është shqetësuese dhe nuk duhet të ishte lejuar që arsimi i lartë dhe ai pasuniversitar të degradonin në këtë shkallë. Situata që po përjeton arsimi shqiptar është pasojë e institucionalizimit të kleptokracisë në çdo hallkë të jetës nga një klasë politike pa vizion dhe me një përkushtim kombëtar amatoresk për të mos thënë të dyshimtë.
Përse e latë vendin dhe cilat janë disa nga rrugët, arsimimi shkencor që ju ndoqët për të arritur deri në Angli?
Në fund të vitit të dytë si student në degën e gjuhës angleze në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës u njoftova se, në bazë të rezulateve, më ishte akorduar një bursë nga qeveria shqiptare dhe qeveria egjiptiane për të vazhduar studimet në Universitetin e Kajros.
Pasi përfundova BA-në në 1989, po në Kajro fillova studimet për Master në vitin 1991.
Ne vitin 1992, nga Egjipti aplikova për të zhvilluar temën e Masterit në 4 universitete britanike të cilët më pranuan: Edinburgh, Leeds, Nottingham dhe Durham. Unë zgjodha Durhamin, që radhitet pas Oksfordit dhe Kembrixhit, pasi tutorët e temës ishin ekspertë të James Joyce dhe D. H. Lawerence për të cilët kisha filluar disertacionin e Masterit në Kajro.
Pak muaj pasi fillova studimet në Durham për Master në 1993, Departamenti rekomandoi që temën ta zhvilloja për Doktoratë.
Nga viti 1997, kur mbrojta Doktoratën, deri në vitin 2002, punova si lektor i letërsisë Anglo-Amerikane ne Universitetin e Huddersfieldit, Universitetin e Sheffield Hallam dhe Universitetin Newman. Në 2002 u emërova në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit. Që nga viti 2010 jam sociolog në Departamentin e Politikës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Në universitetetet elitare britanike rëndësi kryesore kanë botimet cilësore; sigurisht që duhet cilësi e lartë në mësimdhënie dhe në përmbushjen e funksioneve administrative. Une kam drejtuar studimet pasuniversitare dhe së fundi programet e kombinuara në departamentin tim. Por e theksoj, primare është puna shkencore gjë që spjegon se përse ngarkesa e mësimdhënies është e ulët. Të gjitha kushtet ekzistojnë për të botuar studime shkencore të nivelit ndërkombëtar.
Këtu është e rëndësishme të përmend se qe nga viti 1985 kam pasur fatin të kem bashkudhëtare një bashkëshorte dhe shoqe ideale si Dashi.
Ju jeni shumë aktiv për çështjen kombëtare, ajo që do të më bëjë përshtypje më shumë në veprimtarinë tuaj është nisma që keni marrë për të realizuar dy peticione të fuqishme: e para për Rrugën e Arbërit në Dibër dhe e dyta për të shenjtëruar Nënë Terezën. Sa ju kanë dëgjuar nënshkruesit për këto peticione, po qeveria shqiptare për rrugën e Arbërit si në kohen kur ishte kryeministër Sali Berisha dhe tani së fundi Edi Rama?
Peticioni për Rrugën e Arbërit filloi më 18 mars 2013, pra para zgjedhjeve, kur partitë kryesore filluan ta përdorin rrugën për të joshur dibranët t’u japin përsëri votat pavarësisht se i kishin mashtruar me premtime boshe për më se 10 vjet.
Për mua dhe intelektualët dibranë që më përkrahën që në fillim, nuk kishte rëndësi se kush fitonte zgjedhjet. Ne që po meremi me lobimin jemi të paangazhuar politikisht.
Ka afro një vit që po përpiqemi të marim një mesazh të qartë nga Zyra e Kryeministrit. Që Kryeministri akoma nuk është në gjendje të prononcohet publikisht nëse do të pres apo jo përfaqesuesit e me se 8,000 nënshkruesve, të cilët po kërkojnë thjesht t’i dorëzojnë formalisht peticionin në bazë të premtimit të bërë para zgjedhjeve, tregon ose kjo qeveri, si qeveritë e mëparshme, përdori premtime të rreme për të ardhur në pushtet, ose z. Rama është arrogant, ose ai eshte i rrethuar nga zyrtarë që, si paraardhësi i tij, nuk kanë guxim t’ja thone gjërat ashtu siç janë.
Duke parë qëndrimin e Qeverisë Rama ndaj protestave kundër armëve kimike në nëntor 2013 dhe injorimin që kjo qeveri po u bën përpjekjeve tona për të filluar një dialog konstruktiv, ashtu siç bëmë në takimet me Presdentin Bujar Nishani dhe Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta në maj 2014, kemi nxjerrë konkluzionin se qeveritë shqiptare dëgjojnë vetëm kur njerëzit dalin të protestojne në rrugë. Z. Rama është me fat në rastin tonë pasi ne nuk jemi intelektual rrugësh.
Ne nuk do të rreshtim së lobuari për Rrugën e Arbërit. Ky projekt do të jetë ose suksesi më i madh i Qeverise Rama ose kalvari i saj.
Është e dhimbshme ta pranosh, por e vërteta është se vendi yne është ndarë në dy kategori që nga themelimi i shtetit shqiptar: ne zona ‘të largëta’ dhe zona ‘të preferuara’. Kjo është një ndër arsyet që, si më parë, edhe tani, shteti shqiptar nuk është në gjendje të farkëtoj një kohezionit kombëtar aq i domosdoshëm për zhvillimin e vendit. Fshikullimi që Konica u bënte politikanëve të kohes së tij është aktual edhe për të sotmit.
Për shenjtërimin e Nënë Terezës gruaja më e adhuruar në botë a e ka në dorë Vatikani me ligjet e veta shumë të forta dhe çfarë ju detyroi për këtë peticion? A ka pasur Vatikani peticione të natyrave të ndryshme për të shenjtëruar shërbyesit e tyre më të përkushtuar me besimin katolik?
Unë po e studioj figurën shumë dimensionale të Nënë Terezës që nga viti 2003 dhe, pavarësisht nga toni kritik që përdor kur duhet në botimet e mia, në thelb jam i bindur që kjo murgeshë ishte një forcë pozitive. Me përkushtimin e saj shembullor ndaj njerzve të braktisur dhe të stigmatizuar nga shoqeria, Nënë Tereza tregoi për 69 vjet si misionare se dinjiteti njerëzor është i shenjtë.
Nga studimet që kam kryer që nga viti 2007, jam i bindur që shenjterimi i Nënë Terezës është lene pas dore për disa arsye që kur vdiq Papa Gjon Pali i II-të. Arsyet e këtij qëndrimi do t’i trajtoj pas pak vitesh në disa artikuj akademikë dhe në një monografinë që mendoj të botoj për fenomenin e natës së errët të shpirtit që Nënë Tereza e përjetoi me një intesitet të veçantë gjatë gjithë jetës së saj si murgeshë, ndoshta si rrallë mistikë të tjerë që nga mesjeta.
Tani për tani lobimi për Nënë Terezën është i pa efektshëm. Kjo është arsyja kryesore se përse më 15 qershor 2014 fillova nismën e dytë dhe të fundit në jetën time si aktivist i shoqërisë civile, për t’i kërkuar Vatikanit që të përshpejtojë procesin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Nëpërmjet këtij peticioni, që nuk është kundër Selisë së Shenjtë, admiruesit e punës dhe traditës që la pas Nënë Tereza kanë mundësinë të shprehen se përse është e rëndësishme që kjo humaniste fetare vizionare që u konsiderua si ‘shenjtore’ kur ishte gjallë, të njihet zyrtarisht nga Vatikani si e shenjtë për kontributin e saj të pashoq në shërbim të këtij institucioni dhe të njerëzimit. Nënë Tereza, më tepër se çdo papë, e bëri fenë kristiane dhe besimin fetar në përgjthësi një ndërmarrje thellësisht humanitare.
Unë nuk jam Katolik dhe nuk ndjek asnjë fe. Megjithatë, jam i ndërgjegjshëm se feja mund të luaj një rol pozitiv në jetën e njerëzve po qe se nuk përdoret nga demagogë dhe sharlatanë që vishen me petk fetar për qëllime të errta.
Shenjtërimi i Nënë Terezës bëhet edhe më shumë i rëndësishëm pikërisht në kohën tonë kur konfliktet etnike, nacionale dhe fetare, për fat të keq, po shtohen. Nënë Tereza foli me gjuhën e paqes dhe këtë e beri jo duke predikuar me fjalë boshe por duke ndihmuar vetë njerëzit në hall.
Askush nuk lumnohet apo shenjtërohet pa një lobim të fuqishëm. Këtë e pamë më së fundi në angazhimin e lobit polak që arriti të beatifikoj dhe shenjtëroj Papën Gjon Pali i II-të në një kohë rekord.
Le të shpresoj që, sado në mënyrë modeste, peticioni në fjalë të ndikojë që procesi i shenjtërimit të Nënë Terezës të shikohet me priotitet nga Papa Francesku i cili po tregon se është më në kontakt me realitetin se sa para-ardhësit e tij.
Gjatë mësimdhënies në Universitet në Angli si është përqindja e shqiptarëve dhe arritjet e tyre në krahasim me studentët e tjerë?
Deri tani nuk mbaj mend t’i kem dhënë mësim ndonje studenti shqiptar në Britani. Për rezulatet e studentëve shqiptarë në Angli nuk kam statisitika, por me sa kam dëgjuar, një numër i mirë arrijnë rezultate shumë të mira. Ndjej kënaqësi kur më kontaktojnë intelektualë shqiptarë të cilët studiojnë ose janë punësuar si pedagogë ose punonjës shkencor në universitete britanike.
Cili është pengu i Gëzim Alpionit?
Pengu i vetëm është se deri tani nuk kam pasur mundësinë që përvojën time ta vë në shërbim të Shqipërisë në mënyrë direkte. Për aq kohë sa gjendja në Shqipëri vazhdon të jetë në stadin e amullisë, që me sa duket, dikush është i interesuar te zgjasë sa më shumë, nuk do të kthehem në Tiranë pa marrë garanci se do te kem lirinë për të introduktuar dhe aplikuar ata gjëra pozitive të cilat Shqipëria duhet t’i përmbush në menyrë që anëtarësimi i saj në Bashkimin Evropian të mos zvarritet me dekada.
Këto ndryshime duan njerëz me vizion dhe pasion që nuk janë të përlyer dhe refuzojnë të përlyhen në moçalin e korrupsionit që po i merr frymën çdo hallke të shtetit. Tani për tani këta njerëz mund të vijnë vetëm nga elita intelektuale në diasporë.
Une do t’ju bëja thirrje intelektualve jashtë Shqipërisë që të vazhdojnë të bashkëpunojnë me qeverinë shqiptare por pa përsëritur gabimet që disa kolegë kanë bërë gjatë 10 vitete të fundit duke u shndërruar në marioneta të radhës të një klase politike e cila herë pas here u bën thirrje intelektualve të larguar të kthehen kryesisht per të rritur kredibilitetin e saj.
Te vjen vërtetë keq që në Shqipëri akoma shikohet si ëndërr donkishoteske se intelektuali mund te jetë i pavaruar dhe jashtë çdo influence politike.
Integritetin tim si intelektual dhe studies nuk do ta kompromentoj kurrë.
Cilat janë disa nga projektet tuaja akademike dhe a mendoni se do të ktheheni një ditë në Shqipëri?
Tani po shkruaj një monografi për jetën e Nënë Terezës me materiale që nuk janë botuar më parë. Që nga viti 2007 po studioj fenomenin e natës së errët të shpirtit për të mësuar se si ky fenomen u përjetua ndryshe nga Nënë Tereza. Besoj se për këtë temë do të jem në gjendje të botoj artikuj shkencorë pas dy-tre vitesh. Si sociolog është përgjegjësia ime të evitoj sensacionalizmin e një çështje kaq delikate.
Si deri tani, do të vazhdoj të kooperoj me çdo qeveri shqiptare që rezulton nga zgjedhje demokratike. Po qe se ekspertiza ime i duhet ndonjë qeverie që nuk i shikon intelektualët shqiptarë në Perendim si vegla të çastit për qëllime të ngushta partiake apo për të forcuar kultin e liderit të radhës, unë jam i gatshëm të kthehem po qe se plotësohen kushtet që përmenda më sipër.
Shpresoj që një ditë politika shqiptare do të drejtohet nga vizionarë që parësojnë vendin dhe kombin para partive.
Klasa politike shqiptare duhet të nxjerrë konkluzionet e duhura nga ngjarjet në Ukrainë. Rusia po luan rol negative në Ukrainë, por këtë vend nuk e destabilizoi Putini, por një klikë politike e korruptuar. Ajo që ndodhi në Ukraine mund të ndodh në çdo kohë në Shqipëri dhe Kosovë.
Ju faleminderit per intervisten!
Kënaqësia ime zonja Zylo.
Biografi e shkurtër:
Gëzim Alpion ka studiuar për BA dhe MA në Universitetin e Kajros dhe PhD në Universitetin e Durhamit në Angli. Aktualisht është sociolog në Departamentin Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare, Drejtor i Programeve të Kombinuara pranë Shkollës së Qeverisjes dhe Shoqërisë në Universitetin e Birminghamit, anëtar i Shoqatës Sociologjike Britanike (Grupit Studimor Weber), dhe anëtar i bordit të disa revistave shkencore, përfshirë revistën ‘Celebrity Studies’, që botohet nga Routledge. I specializuar për Modernizëm, Alpion boton kryesisht për sociologjinë e fesë, suksesit, mediave dhe nacionalizmit. Ai konsiderohet nga kritika si autori më autoritar për Nënë Terezën në gjuhën angleze. Librat e Alpion janë botuar në anglisht dhe italisht në Angli, Amerikë, Kanada, Itali, Indi dhe së shpejti në Irlandë. Studimet e tij janë botuar në disa revista të mirënjohura shkencore. Dy dramat e Alpion janë vënë në skenë me sukses në një numër qytetesh në Angli në vitin 2002, 2006 dhe 2008. Aktualisht, Alpion po studion errësirën shpirtërore të Nënë Terezës në kontekstin post-modernist.
Botimet kryesore të Alpion janë: ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ (Routledge 2007; Routledge India 2008; Salerno Editrice 2008), ‘Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa’, (Transaction Publications 2011), dhe ‘If Only the Dead Could Listen’ (Globic Press, 2008). Shkrimet e tij për aspekte të ndryshme të politikës, kulturës dhe identitetit në kontekstin e Britanisë së Madhe, Ballkanit, Indisë dhe Lindjes së Mesme janë botuar në nje numër gazetash përfshirë ‘The Guardian’, ‘The Middle East Times’, ‘The Birmingham Post’, ‘The Hürriyet Daily News’ dhe ‘Hindustan Times’. (Bisedoi:Keze ZYLO)
[…] • THE SUN Newspaper, New York: https://gazetadielli.com/pengu-i-dr-gezim-alpion/ […]