

Intervistoi: Mirela Kanini – Kryetare e Vatrës Chicago/
Një intervistë mbresëlënëse me një nga gratë më të suksesshme të komunitetit shqiptar në Chicago, Zj. Suzana Dadevski pronare e Cafe Mirage.
⁃ Kush është Suzana dhe si do e përshkruanit ju atë, me pak fjalë veten tuaj?
⁃ Unë kam lindur dhe jam rritur në Shkup por si shumë shqiptarë të tjerë erdha në mërgim në moshë të re. Fati më takoi me bashkëshortin tim dhe jam martuar kur isha vetëm 18 vjeçare. Është shumë tipike në kulturën tonë që ne të jemi tradicionalë dhe si të thuash detyra kryesore e gruas është mbarëvajtja e familjes, fëmijëve. Jo se kjo është e gabuar madje është shumë e rëndësishme, por unë e ndjeja që doja më shumë se kaq. Kisha ambicje dhe ëndrra në vetvete që i bluaja vazhdimisht. Ndërhohë u bera nënë me 4 fëmijë të cilët rriteshin çdo ditë. Inspirohesha nga gra të suksesshme dhe doja të shpërtheja dhe unë potencialin tim nëse kisha dhe prisja me padurim të vinte momenti i duhur.
⁃ Që të arrini aty ku jeni sot sigurisht që keni ndeshur në vështirësi të ndryshme. Na tregoni cili është rrugëtimin tuaj?
⁃ Kur vjen në një vend të huaj gjëja e parë që do të bësh është të ingranohesh me jetën dhe ritmin e këtushëm dhe Amerika është e vrullshme jo shaka. Fillova të kërkoj punë të zakonshme nëpër super markete të mëdha por dëshira ime ishte të punoja në aeroport dhe ëndërroja të punoja për Swissair meqënëse familja ime ishte zhvendosur prej vitesh në Zvicër dhe kjo mendoja që do më jepte mundësinë ti shikoja më shpesh ata. E kam filluar me ëndrra të vogla por fatmirësisht e realizova që në fillim këtë të paktën. Nuk ishte ndonjë arritje kush e di por më dha mundësinë të integrohem, të shoh me sytë e mi si funksionojnë gjërat dhe të ndjek pastaj ëndrrat e mia.
⁃ Kur e kuptuat që ajo që bëni sot ishte rruga juaj?
⁃ Kisha kuptuar që të jem mes njerzve dhe të punoj në ambiente ku je e rrethuar prej tyre ishte diçka që më pëlqente. Pas 9/11 patëm oportunitetin të blenim një shtëpi pikërisht në vendin ku është restoranti. Është ndoshta e vështirë ta përfytyrosh pasi nuk ka mbetur asnjë gjurmë nga shtëpia. Ne e transformuam në atë që është sot. Unë kisha një vizion si ta ktheja në restorant dhe për koincidencë ishte afër me aeroportin. Nuk ju ndava atij ( qesh) ,ndoshta sepse emigranti është gjithmonë me kokën pas . Ashtu ndodhi në fillim ishim të pasigurtë se si ta quanim, çfarë kuzhine të kishim, por klientela që filloi ta frekuentonte na e bëri më të lehtë zgjedhjen. Vendosëm përfundimisht ta kthenim në një restorant ballkanas dhe pregatitëm menunë tipike me ushqime ballkanase, vendosim në hyrje të restorantit flamurët përkatës për çdo shtet dhe sot siç e dini është një qëndër argëtimi për të gjithë ballkanasit nga gjithë Chicago dhe jo vetëm. Në weekend ftojmë vazhdimisht këngëtarë nga shtete të ndryshme dhe kjo e ka bërë si të thuash këtë restorant shumë të njohur dhe një pikë edhe më tërheqëse për çdo grop moshe.
⁃ Sa e vështirë ishte të arrinit aty ku jeni sot, sepse ju dhe bashkëshorti juaj jeni të përfshirë edhe në biznese të tjera përveç investimeve të ndryshme në real estate, pasuri të patundshme. A e mendoni që i keni realizuar çfarë keni dëshiruar në jetë?
⁃ Jam e kënaqur me çfarë kemi realizuar dhe sa herë kthej kokën pas ndër vite e kuptoj sa mirë që u përpoqa dhe luftova kur isha e shumë e re dhe me energji pavarësisht vështirësive që ndesh. Arritja më e rëndësishme nuk është vetëm çfarë kemi arritur për veten por gjithashtu çfarë bëjmë për të tjerët si për shembull duke i punësuar dhe ndihmuar në jetët e tyre. Kur i jap oportunitet dikujt të përmirësojë jetën e tij ndihem mirë me veten, humane sidomos kur të punësuarit janë shqiptarë.
⁃ A keni pasur momente kur keni dashur të terhiqeni?
⁃ Kam pasur, gjate periudhës së Covidit por që në javët e para të izolimit e kuptova që unë funksionoj shumë më mirë kur jam aktive dhe e rrethuar me njerëz.
⁃ Çfarë këshille do ti jepnit dikujt që ashtu si ju dikur plot ëndrra dhe dëshira ka nisur rrugëtimin e jetës dhe përpiqet të arrijë objektivat që i ka caktuar vetes?
⁃ Mos u dorëzo kurrë dhe kij besim në vetvete.
⁃ A ka ndonjë sekret suksesi juaj nëse mund ta quanim ashtu dhe cili do të ishte ai?
⁃ Sekreti që nuk është sekret por diçka shumë e thjeshtë është të kesh ndërgjegje , të jesh njeri i ndershëm, mëndjehapur dhe tolerant.
⁃ Dega e “Vatra Chicago”, kjo organizatë e fuqishme si asnjë tjetër në botë e këtij lloji themeluar mbi një shekull më parë nga Fan Noli dhe Faik Konica u krijua dhe u mbajt ceremonia pikërisht në restorantin tuaj. Me këtë event ju keni hyrë në histori. Si ju bën të ndiheni kjo gjë?
⁃ Ndihem krenare dhe e privilegjuar që zgjodhët restorantin tim. Në shenjë mirënjohje do e mbështes vazhdimisht në aktivitetet e ndryshme që organizojnë për të bashkuar sa më shumë komunitetin e Chicagos.
⁃ A mund të ndani me ne planet e të ardhmes tuaj?
⁃ Duke qënë shumë e okupuar me punën dhe familjen nuk kam udhëtuar saç duhet, kam lënë pa bërë gjëra që dëshiroj dhe mendoj se ka ardhur momenti
të fokusohem në këtë pjesë pak më shumë.
⁃ Çfarë ju inspiron ju më shumë?
⁃ Kur shoh njerëz që përparojnë dhe janë të suksesshëm, sidomos gjeneratat e reja sepse ata janë e ardhmja.
⁃ Një zonjë e jashtëzakonshme si ju patjetër që ka dhe hobi, nëse po do kishim dëshirë ti ndanit me ne?
⁃ Do veçoja mes të tjerash, shëtitjet në natyrë, kopshtaria, leximi ect.
⁃ Më thoni një citat që ju pëlqen?
⁃ Po citoj diçka që e ka thënë Mother Teresa. “ I cannot change the world, but I can cast a stone across the waters to create many ripples”.