
Valdete Cenalia Dida/
“Njeriu mund të largohet nga vendi i vet, por shpirti i tij mbetet i lidhur përherë me tokën që e lindi”. (Pjetër Bogdani). Kjo urtësi e lashtë merr një kuptim të veçantë kur flasim për dy djemtë e Hasit, Ilir Nabollin dhe Shefqet (Shef) Krajën, për të cilët mikpritja nuk matet me pasuri, por me zemër. Largimi i tyre nuk ishte zgjedhje, por domosdoshmëri. Edhe pse edne fëmijë ato morën me vete, vetëm shpresën dhe forcën e shpirtit hasjan. Varfëria e asaj kohe nuk kurseu shumë familje në Has edhe për Ilirin e Shefqetin emigrimi ishte njëkohësisht plagë dhe shpëtim.
Londra, ashtu siç është e ftohtë me klimën, po aq ftohtë i priti edhe këta dy të rinj hasjanë. Netë të gjata vetmie, punë të rënda, përgjegjësi që nuk i përkisnin moshës së tyre, çdo ditë ishte një sprovë dhe një dhimbje shpirtërore. Jeta profesionale u ndërtua ngadalë, gur mbi gur, siç ndërtohet një shtëpi e fortë, me themele të sigurta, mure të qëndrueshme dhe një çati ëndrrash që nuk thyhet.
Nga këto sakrifica lindi I&S Construction, jo thjesht një kompani ndërtimi, por një filozofi jete, ku puna e ndershme, fjala e mbajtur dhe respekti për njeriun janë themeli i çdo projekti. Çdo ndërtesë e përfunduar, çdo hap përpara ishte një fitore kundër varfërisë dhe një dëshmi se shpirtit hasjan nuk mund t’i vendosë kufij as largësia.
Por suksesi nuk mjaftonte. Malli për Hasin dhe dhimbja e largimit nga vendlindja u shndërruan në përgjegjësi morale.
Kështu lindi Diaspora Hasjane, një ide e dalë nga zemra, për bashkimin e hasjanëve në mërgim, për ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe traditave, dhe për kthimin e suksesit në vepra konkrete për vendlindjen. Krahas Ilirit dhe Shefqetit, një rol të rëndësishëm për krijimin e Diasporës Hasjane, patën Edmir Dida, Mentor Bokçiu, Ermal Karakushi, Misin Dajçi, Mustafa Ahmati, Alfred Ferizolli, Fatmir Kastrati dhe Uran Derri i cili, edhe pse jeton në Shqipëri, është koordinator i Diasporës Hasjane. Të gjithë ndanë të njëjtin vision, që hasjanët, kudo që ndodhen nëpër botë, të mbeten një familje e madhe dhe e bashkuar.
Diaspora Hasjane u bë urë mes mërgimit dhe atdheut, bashkëpunim dhe kontribut nga gjithë hasjanët në mbarë botën kudo që jetojnë, një dorë e shtrirë për familjet në nevojë, një zë për ruajtjen e identitetit dhe një kujtesë se rrënjët nuk thahen po u ujitën. Kjo ishte mënyra e tyre për të thënë: “Ne nuk harruam nga vijmë”.
Iliri dhe Shefqeti kanë dhënë donacione për shoqatën “Ardhmëria” dhe disa shkolla shqipe, për mësimin e gjuhës shqipe në Mbretërinë e Bashkuar. Nga kontributi dhe bashkëpunimi i ngushtë mes hasjanëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe kryetarit të Bashkisë së Krumës, Myftar Dauti, u siguruan 24 karrige elektrike dhe 2 krevate për të sëmurë që nuk lëvizin, si dhe ndihma me ushqime dhe veshmbathje për disa familje në nevojë në dyja anët e kufirit, Hasi i Kosovës dhe i Shqipërisë. Po ashtu, financohet ekipi i futbollit “Pashtriku” i Hasit.
Kur më 15 qershor 2025, Ilir Nabolli dhe Shefqet Kraja u nderuan me Çmimin e Ekselencës në Albanian Stars Gala, ajo ditë ishte më shumë se një vlerësim profesional. Ishte kurorëzimi i një rruge të gjatë sakrifice, i netëve pa gjumë, i mallit të pafund dhe i këmbënguljes së dy fëmijëve të Hasit që u bënë shembull për gjithë diasporën shqiptare. Ishte dëshmi se ndërtesat më të forta nuk ndërtohen vetëm me beton, por me zemër dhe shpirt.
Historia e tyre është rrëfim i fëmijëve që u bënë burra larg shtëpisë, i hasjanëve që nuk u thyen dhe i emigrantëve që ndërtuan jo vetëm jetën e tyre, por edhe shpresën e shumë të tjerëve. Sepse shpirti hasjan, edhe kur lind në varfëri, di të ngrihet lart pa harruar kurrë nga erdhi. Nga oborret e Hasit në rrugët e Londrës, u shpërndanë këta djem hasjanë për bukën e gojës, por Hasin në zemër dhe mallin për vendlindjen kurrë s’e lanë.
“Hasjani jeton kudo, por rrënjët i ka gjithmonë aty ku i ka lënë lotët e parë”. (Besim Muhadri)