
AGIM REXHA
President I Nderit I Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës
VATRA
New York
Të dashur pjesmarrës!
E nderuar Familja Greca! Shume e nderuar Zonja Xhemile Te dashur Vatran !
Jam njohur me tanimë të ndjerin Dalip Grecën qysh nga ardhja e tij në New York, në fund të viteve te nëntëdhjeta dhe fillimin e viteve 2000.
Në atë kohë ai punonte si redaktor i gjuhës shqipe për gazetën “Illyria”. Megjthatë ai gjithmonë shprehte dashuri dhe respekt për Vatrën dhe për Diellin.
Më pas ai do të bëhej një nga shtyllat e VATRES për një periudhë prej mëse 12 Vite.
Në asnjë moment, asnjëherë nuk mund ta imagjinoja se sa shpejt do të largohej ai për në amëshim.
Ai e mbajti gjallë gazetën Dielli, që nga ditë e pare e punës. Ai filloi të mbledhë shkrime nga autorë të ndryshëm, shtoi sasinë, por edhe cilësinë, i dha Diellit mundësinë e printimit në letër dhe me përkushtim dhe me orë të gjata mbajti hapur derën e VATRES dhe transmetoi çdo lajm të rëndësishëm kombëtar apo ndërkombëtar që kishte të bënte me Kombin tonë nëpërmjet të gazetës Dielli. Më pas ai u bë kryeredaktor dhe deri sa u pensionua mbajti këtë pozicion.
Jam mirënjohës për punën e palodhur të tij dhe kontributin e tij të Cmuar.
Dalipi rrinte edhe në orët e vona të natës dhe shpesh herë më telefononte nga shtëpia e VATRES dhe pavarësisht motit të keq ose transportit të vështirë, ai nuk largohej pa kryer punën. Ishte i përkushtuar në atë që bënte.
I jemi mirenjohës deri në pafundësi!
Dalipi nuk ka munguar në asnjë veprimtari të VATRES. Ka qenë jo vetëm pjesëmarrës, fotograf, shkrimtar por edhe organizator. Punonte shumë në çdo drejtim dhe nuk ankohej kurrë. Ka dokumentuar aktivitete të VATRES qofshin kuvende, Seminare, demostrata dhe mbledhje, por edhe festa kombëtare, gëzime, hidhërime.
Kudo ku kishte VATRANË, Dalipi ishte i pranishëm. Ai ka organizuar aktivitete që siguronin fonde për Diellin, ka bërë që Dielli të dalë e të njihet në komunitet me tirazh më të madh se më parë dhe numrat e Nëntorit nën drejtimin e tij morën një formë dhe përmbajtje të re. Merrte anëtarët e familjes për shpërndarjen e Diellit dhe nuk vononte asnjëherë dërgesat.
Dalipi ishte një patriot shumë i angazhuar, me një përkushtim të veçantë ndaj VATRES dhe Diellit. Ishte i vetëdijshëm se në rrugën e tij si Vatran dhe si gazetar, dhe gjithmonë konsultohej me ne kur publikonte diçka ose jepte intervista në televizion dhe radio. Ai ishte një VATRAN dhe një gazetar i talentuar.
Ka dhjetëra raste, për të mos thënë qindra, që dëshmojnë për punën e madhe të Dalipit në VATËR, por Zonja dhe Zotërinj, vëllezër e motra të gjakut, të gjithë ne e dimë se
Dalipi kurrë nuk ka ndërmarrë për të dukur më shumë se të tjerët.
Ai ishte i përulur në atë që bënte. Para se të mbyll këtë dedikim të shkurtër, por nga zemra dua të kujtoj një moment që ilustron atë që thashë më sipër.
Ishte koha kur ne, si VATËR, do të shkonim në Boston te Kisha e Fan Nolit. ( 8 Dhjetor 2018 )
Ishte 550-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit dhe 110-vjetori i Meshes së parë në gjuhën shqipe për Kishën e Krishterë Ortodokse Shqiptare. Por ndodhi që atë ditë kishim edhe një visitor ne Vater me një pozicion më të lartë nga trojet tona dhe nuk mund të shkonim të gjithë. Pas bisedave me Kryetarin e kryesisë, u vendos që unë të shkoja në Boston. Mirëpo koha ishte e shkurtër dhe nuk kisha shumë mundësi për të pregatitur prezentimin tim. Unë kisha pregatitur një shkrim timin dhe ia dërgova Dalipit për ta pasur për botim dhe për ta parë nga ana gjuhësore dhe fakteve për gazetarët që kisha përmendur.
Atëherë Dalipi, si një mjeshtër i fjalisë së shkruar, bëri një punë shumë të mirë dhe më dërgoi me email. Kur e pashë, e falënderova dhe i thashë:
“Shumë bukur e ke bërë Zoti Dalip”, e falënderova dhe i thashë “Unë e po e lexoj e po e them, kumtesa është përgatitur nga Editori Dalip Greca”.
Dalipi më telefonoi dhe më tha: Jo Zoti Agim ne asnje menyre.
“Ti duhet ta lexosh në emër të Vatrës si kumtesën tënde sepse unë veç e kam shtuar disa fakte nga editoret e Diellit”.
Por në fakt nuk ishte ashtu. Thjeshtësia e tij ishte ndershmëri dhe sinqeritet, por unë kurresi nuk do ta mohoj kontributin e tij. Ai këmbëngulte në të veten dhe unë në timen, derisa ranë dakord që të dy emrat të ishin prezente. Por në fakt, unë them me shumë sinqeritet dhe dashamirësi se aty Dalipi kishte kontribuar 90%.
Ja pra, ky ishte Dalipi, punëtor, i heshtur, ndihmëtar, korrekt, dashamirës, i drejtë e patriot.
Të rrojë kujtimi i Dalipit sa të jetë jeta e familjes së tij të jetë krenare për bashkëshortin, babën e gjyshin, sepse vepra e tij i ka nderuar ata, Vatrën, Diellin dhe gjithë kombin shqiptar.
Te qofte I lehte dheu I tokes se lire Dalip Greca !
Lavdi vepres Tuaj ! Zoti te bekofte ! Shpirti yt u prefte ne paqe !
Agim Rexhaj VATRA – President i Nderit Nju Jork, 30 Prill 2023