
-Ministrja Meliza Haradinaj Stublla në Washington takoi Zëvendës Ndihmës Sekretari Matthew Palmer, Kosova për herë të parë do të mund të dërgojë përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve të Jashmte dhe Diasporës në Departamentin Amerikan të Shtetit/

WASHINGTON DC, 20 Gusht 2020-Gazeta DIELLI/ Republika e Kosovës, për herë të parë në historinë e saj, do të mund të dërgojë përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH).

Këtë ia ka konfirmuar Ministres Meliza Haradinaj Stublla vet Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Matthew Palmer, gjatë takimit që zhvilluan së bashku në Washington, thekson njoftimi dërguar sot nga Ministria e Punëve të Jashmte dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.

“Koordinimi i ngushtë i politikës sonë të jashtme me SHBA-të, dhe profesionalizimi i Shërbimit të Jashtëm sipas praktikave më të larta ndërkombëtare, mbeten prioritet i yni”, tha Ministrja e Punëve të Jashmte dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.
“Diskutuam me z.Palmer edhe dialogun me Serbinë, ku bashkë me Ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi theksuam se vetëm nën lidershipin amerikan, dialogu do të ketë dinamikën dhe qartësinë e duhur për t’u përmbyllur me njohje reciproke në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha kryediplomatja e Kosovës.