Dr. Lulëzim Nika/
Libri “Përjetësia e dyfishtë” e Bedri Islami, studiues, veprimtar dhe udhëheqës politik, padyshim se është një prej referencave kryesore të historisë së re të Kosovës. Ky libër flet për hapat dhe fillimet e lëvizjeve për luftën e armatosur për çlirimin e tokave të pushtuara dhe të ndara padrejtësisht në vitin 1913, “viti i mbrapshtë”, siç e quan Kadare.
Lëvizja për lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare kishte intensitetin e vetë, varësisht prej rrethanave historike të krijuara në Ballkanin e trazuar të shekullit XX. Autori Bedri Islami, në librin “Përjetësia e dyfishtë”, në mënyrë të shtruar paraqet idealin e brezit të gatshëm për çlirim që morën përsipër përgjegjësinë për ndryshimet historike, duke sakrifikuar krejt çka patën, familjen dhe jetën e tyre.
Libri kushtuar heroit e heroinës, të përkushtuar thellësisht që nga mosha e rinisë u dashuruan në gjeografinë etnike të trojeve shqiptare, qëllimet dhe idealin për çlirimin e Kosovës. Për Fehmiun dhe Xheven, Shqipëria dhe tokat shqiptare nuk kishin ndarje në krahina e as regjione, por ishin një, ashtu siç i kishte bekuar vetë perëndia.
Autori i librit në mënyrë kronologjike dhe analitike, duke ruajtur vazhdimësinë historik të veprimtarisë së heronjve të pavdekshëm, përshkruan një jetë në shërbime të çështjes kombëtare të heronjve tanë.
Po pse është kaq i veçantë për historinë tonë kombëtare Heroi Fehmi Lladrovci?
• E para, nga rinia e hershme, ai jetën e tij e vuri në shërbim te idealit më human dhe më të rëndësishëm që ka njeriu, liria për popullin e tij të shtypur që autori e përshkruan angazhimin e tij në luftën për liri të popullit kroat.
• E dyta, me idealin e lirisë ishte rritur në familjen e tij patriotike, me traditë dhe histori, pasi Fehmiu duke mos u pajtuar me gjendjen e robërisë së kombit të tij, ishte i gatshme të merrte barrën e organizimit të luftës së armatosur, për të vepruar kundër pushtuesit jugosllav. Pikërisht ky moment i prillit të vitit 1985, e bën ideolog të organizimit të armatosur dhe personalitet historik të rëndësisë së veçantë për historinë tonë kombëtare, pasi Lëvizja për Lirinë e Kosovës e ngarkon atë me detyrën e Sekretarit për organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës.
Ajo që bie në sy në gjithë librin e autorit Bedri Islamit, është bindja e heroit Fehmi Lladrovcit në forcën e organizimit të brendshëm dhe bindja se liria mund të vije vetëm nëse ne organizohemi në luftën çlirimtare që këtë e dëshmon historia e Kosovës.
UÇK-ja me luftën e drejtë u bë pjesë e jetësimit të programit kombëtar shqiptar, të artikuluar që në Lidhjen e Prizrenit. Bedri Islami, duhet të përgëzohet për këtë libër të rëndësishëm, me vlerë kombëtare për rrugën jetësore të ideologut të luftës për çlirimin e Kosovës Fehmi Lladrovcin dhe heroinën Xhevë Lladrovci.
Librat si ky, mbesin udhëzues me të cilin historia jonë e re pasurohet dhe është gjurmë ndriçuese për brezat.