NGA ALMA LIÇO/DIELLI /
2 korrik 1990. Mijëra bashkëqytetarë vërshuan si një uragan i papërmbajtshëm e thyen dyert e përfaqësive diplomatike në kërkim të lirisë. Ishin dallëndyshet e para që kërkuan të fluturonin të lira e të thyenin prangat e robërisë. Secili prej tyre ishte një hero, pasi rreziku i atij hapi aq të guximshëm mund t´u kushtonte atyre jetën. Në sundimin e saj të gjatë, gati gjysëm shekullor, diktatura kishte vrarë e masakruar me qindra qytetarë gjatë përpjekjes së tyre të dëshpëruar dhe njëkohësisht kurajoze për të kapërcyer telat me gjemba të kufirit, dhe kërkuar strehim në njërin nga vendet fqinje.
Vitet rrodhën si lumë dhe u mbushën tridhjetë vjet nga ajo ngjarje e përmasave historike. Shumë është folur e trajtuar gjatë këtyre viteve rreth atij eksodi biblik të shqiptarëve. Në këtë shkrim modest, nuk dëshiroj të përsëris ato që janë thënë dhe stërthënë në rrjedhën e këtyre viteve, sikur të mos bëhej shkak që kjo ngjarje e madhe të bashkonte një natë më parë, në qytetin gjerman të Heidelbergut, qytetarët shqiptarë, protagonistë të asaj aventure të rrezikshme. Takoheshin pas tridhjetë vitesh. Sa nostalgji. Të gjithë i bashkonte përjetimi dhe rrugëtimi i vështirë që kishin ndërmarrë së bashku drejt lirisë. Emocione të jashtzakonshme. Secili prej tyre kish ndjekur më pas rrugën e tij, me mundësitë që ua krijoi ai vend i begatë e i lirë. Madje shumë prej tyre kishin vite pa u takuar. Djelmoshat asokohe të rinj, tashmë ishin burrëruar, shumica martuar e bërë prindër. Dikush nuk i kishte me flokët e bukur të rinisë, apo dikujt thinjat fisnike ua kishin mbuluar ato. Po ashtu edhe vajzat. Të martuara e bërë nëna. Erdhën në këtë event përkujtimor, që u trajtua si një festë qytetarësh të lirë, së bashku me fëmijët e tyre. Ishin takime vërtet emocionuese , të mbrujtura me mall e nostalgji.
Në fillim të mbrëmjes, nismëtari dhe organizatori i bashkimit të protagonistëve në një event të tillë, Zoti Albert Lamaj, kish përgatitur një përmbledhje me filmime të atyre ngjarjeve të papërsëritshme. Risjellja e momenteve dramatike, që zinin fill me kapërcimin e kangjellave të ambasadave nga qytetarë të pambrojtur, e vijonte me të gjitha vështirësitë që pasuan në ato ditë përjetimesh jo të zakonta, përloti shumë nga të pranishmit, protagonistë të atyre ngjarjeve. Nuk mungoi as jehona që shtypi gjerman i bëri asokohe asaj.
Më pas, përmes kujtimesh dhe emocionesh, dy prej protagonistëve të pranishëm, përshëndetën këtë takim sa festiv, aq edhe përkujtimor, me aq shumë vlera qytetare dhe atdhedashurie.
Zoti Ylli Tabaku, ish i burgosur politik për rreth 28 vite në burgjet e diktaturës, përmes të tjerash, përcolli me shqetësim faktin e trishtë, se ndonëse kanë kaluar 30 vite nga rënia de Jure e regjimit, Shqipëria ende nuk mund të konsiderohet vend i lirë e demokratik, pasi pushteti ka ruajtur vazhdimësinë e tij në duart e pinjollëve të komunizmit, të cilët e drejtojnë atë në mënyrë korruptive dhe me të njëjtën mendësi. Ai i bëri apel më të rinjve që të mos e harrojnë kurrë atdheun, pasi ai do ketë gjithnjë nevojë për kontributin e tyre. Madje ai bëri thirrje për organizime programore politike të suksesshme të shqiptarëve në emigracion, për të ofruar në Shqipëri alternativa qeverisëse konkuruese, demokratike.
Zoti Bibjan Mirakaj, ish i internuar politik familjarisht përgjatë 25 vitesh, emocionoi gjithë të pranishmit me fjalën e tij. Ai përshkroi dinamikën e atyre ngjarjeve, duke i konsideruar heronj ata që i bënë sfidë diktaturës. Etja e tyre për t´u çliruar nga prangat e robërisë e rendur në rrugën e panjohur e plot rreziqe drejt lirisë, çau perden e hekurt të njërës prej diktaturave më gjakatare në botë, asaj komunisto-enveriste. Përmes një frymë paqësore bashkimi dhe atdhedashurie, ai përcolli mesazhin se lufta për demokraci nuk duhet të ndalet, pasi Shqipëria ka nevojë për të gjithë qytetarët e saj, kudo që ata ndodhen, për më tepër që ata, të cilët jetojnë në Shqipëri, si pasojë e keq-qeverisjes dhe korrupsionit galopant, përballen me padrejtësi të mëdha sociale, që kulmojnë dëshpërimisht me humbjen e shpresës për të ardhmen.
Mes përlotjesh dhe duartrokitjesh, mbrëmja vazhdoi më pas me trokitje gotash, biseda miqësore mes miqsh, muzikë e valle me motive bashkimi për të gjithë shqiptarët ku ata ndodhen. Pas disa orësh u mbyll kjo festë, ku nëpërmjet kujtimeve dhe ndjesive që do i shoqërojnë ata gjithë jetën, u përçua fryma e atdhedashurisë. Përqafime të ngrohta, dhe seicili u nis më pas për t´iu rikthyer jetës e tij, pa dyshim më i pasur shpirtërisht. U ndanë me bindjen e palëkundur se me kontributin dhe përkushtimin e tw gjithëve, Shqipëria është dhe do të mbetet atdheu i të gjithë shqiptarëve.Vatra e përbashkët që do t`i bashkojë ata gjithmonë.