Mithat Bej Frashëri kishte lidhje të forta me Vatrën. Së pari ai ishte një ndër delegatët e Vatrës në Europë, që prej vitit 1917-20, së dyti, ai ishte i dërguari i Qeverisë Shqiptare të dalë nga Kongresi i Lushnjës për të siguruar suksesin e Huasë Kombëtare të vitit 1921, ku vatranët mblodhën 197 mijë dollarë për të ndihur Shqipërinë.
DEGA E FEDERATES”VATRA” NE QUEENS KUJTOI MITHAT FRASHERIN NE LEXINGTON HOTEL/
Dega e Queensit të Federatës Panshqiptare të Amerikëse”VATRA”me Kryetar Dr. Skënder Murtezani,me rastin e 3 tetorit-ditëvdekjes të Apostullit të Shqiptarizmit, Mithat Bej Frashërin. Intelektuali i shquar, ajka e nacionalizmit, u shua në rrethana enigmatike me 3 tetor 1949 në Nju Jork, ndërkohë që udhëhiqte Komitetin Shqipëria e Lirë-Qeverinë në mërgim të shqiptarëve. Ashtu si për çdo 3 tetor, për të pestin vit radhazi që nga themelimi, dega e Queensit, e vijoi edhe këtë vit nderimin e figures së ndritur. Në këtë përkujtim mori pjesë edhe sekretarja e Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” Nazo Veliu. Këtij takimi përkujtimor iu bashkua edhe Akri Çipa.
Në statusin e tij facebook-ut dr. Skënder Murtezani shkroi:”kujtuam Mithat Frasherin Gjeniun Patriotin dhe nje nga nje grusht diplomatrsh ne politiken Shqiptare qe donin kombin me shum se veten. E kujtuam si cdo vit per here te peste ne Hotelin Lexington ne Manhatten ku u gjet i pa jete Mithat Frasheri simbol i bashkimit.”
Mithat Bej Frashëri kishte lidhje të forta me Vatrën. Së pari ai ishte një ndër delegatët e Vatrës në Europë, që prej vitit 1917-20, së dyti, ai ishte i dërguari i Qeverisë Shqiptare të dalë nga Kongresi i Lushnjës për të siguruar suksesin e Huasë Kombëtare të vitit 1921, ku vatranët mblodhën 197 mijë dollarë për të ndihur Shqipërinë.
Mit’hat bej Frashëri lindi në Janinë më 25 mars 1880. Ai ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit, nga familjet e frashërllinjëve të Përmetit. Mithati e njohu shumë pak babain e tij dhe u rrit nën kujdesin e Samiut dhe Naimit. Edukimin akademik e mbaroi në Stamboll. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore. Ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut. Nisi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX. Një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX. Në vitin 1908, ai fillon botimin e gazetës “Liria” në Selanik. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunoi ngushtë me Kristo Luarasin, i cili drejtonte shtypshkronjën/shtëpinë botuese “Mbrothësia”.
Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit më 14 nëntor-22 nëntor 1908. Mit’hat bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte Gjergj Fishta.
Në moshën 32-vjeçare u largua përfundimisht nga Stambolli dhe udhëtoi për në Shqipëri duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan. Në vitin 1912, në Qeverinë e Shqipërise e krijuar nga Ismail Qemali ai u zgjodh ministër i botores. Më 30 mars 1913, dha dorëheqje nga detyra prej indinjatës kundrejt qëndrimit të kryeministrit ndaj rrethimit të Janinës. Më 20 janar 1914, në një letër që i dërgoi gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, së bashku me G. Cilka e Taq Buda, shkruanin: “…duam të blejmë një kalem të florinjtë që t’ia dhurojmë zj. Edith Durham si kujtim për shërbimet që i ka bërë kombit tonë me shkrimet dhe botimet e saj”. Këtë nismë të Mit’hat Frashërit, për blerjen e kalemit të artë, kjo gazetë e pati botuar më herët, në dy letra, përkatësisht më 7 dhe 10 janar. Mirëpriti ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe ndihmoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pas largimit të Princ Vidit, Mit’hat Frashëri u largua nga Shqipëria dhe deri në vitin 1918 jetoi në disa shtete të Ballkanit. Botoi në Sofje librin “Shënime mbi një udhëtim në Zvicër” më 1915. Në vitin 1916 u vendos në Bukuresht ku u arrestua nga policia dhe u internua në Moldavi. Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, u lejua të largohet dhe vendoset në Luzern, Zvicër. Aty ai i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorje ai deklaron “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufinjve në Ballkan“. Në vitin 1920 ai u vendos në SHBAKurse u kthye në Shqipëri në vitin 1922.
Në janar 1923 filli detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. Sipas Mehdi bej Frashërit: “Më 1924-1925 kishte qenë përfaqësues i Shqipërisë në Athinë, i cili interesohej tepër për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Çamëri”.
Në vitin 1927, filloi të botojë sërisht në Tiranë, revistën Diturija të cilën e kishte themeluar në Selanik më 1909 dhe më vonë në Bukuresht gjatë qëndrimit atje. Në Tiranë themeloi librarinë “Lumo Skëndo”. Ne 4 prill 1929 Mit’hat Frasheri në testamentin e tij thotë:
“Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.”
Në vitin 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste vendos të rikthehet aktivitetit politik. Pak muaj pas hyrjes së italianëve disa krerë mblidhen për të venduar një qëndresë të mundshme me bekimin e ardhur nëpërmjet Ali Këlcyrës prej stafit të Édouard Daladier. Pak ditë mbas hyrjes së italianëve nisi grupimi, dhe në shtator të 1939 nisi riorganizimi. Merr pjesë në Kongresin e Mukjes në gusht 1943. Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, u detyrua në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali.
Mbas përpjekjeve për të krijuar Komitetet Ndërkombëtare, i afrohet autoriteteve amerikane më 1947 për t’u vendosë në krye. Pas 2 vjetëve, më 12 maj 1949 i jepet visa. Por Mit’hati nuk jetoi aq sa për të parë nisjen e Operacionit “Valuable”.Gjatë një udhëtimi për në New York ora 9.25 minuta në hotelin Winthrop, SHBA ai vdes si pasojë e një ataku kardiak. Tek trupi i tij kanë bërë roje nderi Shefqet Isaraj, Muho Xhakja, Astrit Sako, Braho Husi, Sulo Male, Hysni Aliko, Hajredin Peshkëpia, Skënder Omari, Iliaz Guri, Luan Dosti.
Gazeta përshkruan se ditën diell u vendos një sallë të madhe dhe filluan të vijnë kurorat, 25 kurora nga organizata, grupe e personalitete të huaj. Në orën 14 ka filluar ceremonia e varrimit. Imam Vehbi i ardhur ngë Detroit ka bërë lutjet, kanë folur: Nuçi Kota në emër të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, Grigor Tashkovite, ish-senator jugosllav, në emër të Internacional Peasant Union, Dr. Bistrev ish-deputet bullgar në emër të Komitetit Kombëtar Bulllgar, Zj. Gold Veliko në emër të rinisë shqiptare të lindur në Amerikë, tërë fjalimet e fundit kanë qenë në gjuhën anglisht. Arkivoli ishte i mbuluar me flamurin kombëtar dhe në sallë ishin 200 veta. Kortezhi për në varrezat “Ferncliff”.Kryesinë e Komitetit “Shqipëria e Lirë” mbas vdekjes së Mit’hat Frashërit e mori juristi Hasan Dosti.
Veprimtaria letrare
Nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte Kalendarin kombiar, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani. Më 1901 ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, novelat “Hi dhe shpuzë”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si “Pritmi i Shqipërisë”, ese sociopolitike dhe etnike “Plagët tona” (1924) etj. Mit’hat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et a la l’Etranger” (1919), “Albanis et Slaves” (1919).
Mit’hat Frashëri ka përkthyer në shqip veprat “Guillaume Tell” të Lamartinit (1898), “Bëje të mirën pa hidhe në det” e Franc Hofmanit (1900), “Robinson Crusoe” e Defosë (1909) dhe “Psikologjia e edukatës” e G. Le Bon (1923).
Mbas çlirimit të Shqipërisë, u vendos sekuestro mbi pasurinë e Mid’hat Bey Frashërit. Një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale e Mid’hat bej Frashërit. Sot rreth 40,000 vëllime të kësaj biblioteke ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Për këtë arsye Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Republikës së Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë vendosën që çmimi për bibliofilinë të emërtohet Bibliofili Lumo Skëndo. Ky çmim do të ndahet çdo vit në Ditën Botërore të Librit, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Për herë të parë ky çmim u dha në 23 prill 2006.
VEPRA
- Bej mire pa hidhe ne det, (1902)
- Dhe tregonje, (1902)
- shkurtabiqi i verdhë, (1914)
- Hi dhe shpuzë, (1915)
- Letra mbi një udhëtim në Zvicër, (1915)
- Një re e zezë për Shqipërinë, (1918)
- Rilindja e Shqipërisë, (1918)
- Mosmarrëveshjet shqiptaro-serbe, (1921)