
Viktor Eftimiu është poet dhe dramaturg rumun me prejardhje shqiptare.
Lindi në Boboshticë të Korçës më 24 janar 1889. Në moshën 9-vjeçare ishte i detyruar ta linte vendlindjen e të merrte rrugën e mërgimit bashkë me familjen. U vendosën në Rumani, ku asokohe kishin vajtur shumë bashkatdhetarë. Kolonia shqiptare e Bukureshtit, u shqua si pishtar i vërtetë i përhapjes kulturore jashtë dhe brenda Shqipërisë.
Shkollën fillore e kishte filluar në vendlindje në gjuhën greke, sepse shkolla shqipe ishte e ndaluar gjatë pushtimit të egër osman. Viktori e vazhdoi shkollimin në Bukuresht, në gjuhën rumune. Atje u ballafaqua me vështirësitë e jetës, kështu që u detyrua të punonte dhe, njëherësh, të shkollohej.
Në moshën 16-vjeçare botoi vjershën e parë në revistën “Shpresa” dhe emri i tij kishte filluar të shfaqej gjithnjë e më shpesh nëpër faqet e gazetave e të revistave rumune të kohës.
Vepra e Viktor Eftimiut është e përmasave të mëdha. Në sajë të talentit të tij të rrallë, ai shkroi në të gjitha gjinitë, poezi, poema, drama e komedi, aforizma, ese, portrete e kujtime, artikuj kritikë, romane të panumërta, madje dhe libra për fëmijë. Është dramaturg me shumë pjesë të vëna në skenë. Eftimiu shkroi në gjuhën rumune, botoi dhe i vuri në skenë veprat e tij në teatrin e Bukureshtit dhe më pas disa u përkthyen në gjuhën shqipe, u botuan dhe u vunë në skenë edhe në Tiranë. Dramat dhe komeditë e tij janë përkthyer dhe ngjitur në skenë edhe në gjuhë të tjera, në kryeqytete të Europës e më gjerë. Nuk ishte më shumë se 30 vjeç, kur u emërua si drejtor i përgjithshëm i teatrove të Rumanisë. Atij i caktuan një lozhë të veçantë e të përhershme në Teatrin Nacional të Bukureshtit.
Veprat e periudhës para Luftës së Dytë Botërore, sikundër edhe ato të mëvonshmet, përshkohen nga fryma atdhetare e humanizmi i thellë shoqëror, si romani “Dy kryqe”, novelat: “Risto Dardha”, “Katelina”, “Smail Dënusha” etj., si dhe vjersha të shumta, të cilat i përshkon malli për vendlindjen dhe për bashkatdhetarët, me të cilët kishte pasur rastin të çmallej gjatë vizitës së tij të fundit që kishte bërë në Shqipëri, në maj të vitit 1972.
Për ndihmesën shumë të madhe e të çmueshme që i ka dhënë letërsisë rumune, Viktor Eftimiu është nderuar me tituj të lartë, si akademik, kryetar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë. Ka qenë anëtar nderi i disa akademive europiane dhe ka qenë shkrimtari i vetëm në Rumani, të cilit i është ngritur busti në të gjallë të tij.
Viktor Eftimiu ishte martuar me aktoren e famshme rumune, Anxhepsina Makri.
U nda nga jeta në Bukuresht, më 27 nëntor të vitit 1972.