
# FanStilianNoli
Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë. Ai u nda nga jeta më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së. Lindi më 6 janar 1882 në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1904-ën shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç ’është e ç’do të bëhet”. Në vitin 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.
Më 9 shkurt 1908, në moshën 26-vjeçare, Fan Noli u bë diakon (dhjak) në Bruklin, kurse më 8 mars 1908 Platoni, kryepeshkopi ortodoks rus i Nju Jorkut, e shuguroi si prift ortodoks. Vetëm dy javë më vonë, më 22 mars 1908, Noli i ri krenar mbajti për herë të parë liturgji në gjuhën shqipe, në ‘Knights of Honor Hall’ në Boston. Ky ishte hapi i parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Europë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare u përmbushën në vitin 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.
Nga viti 1909 deri në vitin 1911 ai botoi gazetën “Dielli” dhe së bashku me Faik Konicën themeloi më 1912-n Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938-n mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet anëtarësimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare. Më 1921-shin ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”.
Në qershor të vitit 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore. Me dështimin e këtij procesi, Noli mërgoi në Evropë dhe më pas në SHBA (1932), ku u fokusua në krijimtari letrare, historike dhe muzikologjike.
Në vitin 1938, ai u diplomua në muzikë pranë Konservatorit të Muzikës në New England, ndërsa në vitin 1945 mori gradën Doktor i Filozofisë në Histori në Universitetin e Bostonit, me një disertacion kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj.
Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit. Kisha Autoqefale që kishte krijuar atje, u bë më vonë Kryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë.