
Dr. Nexhat ÇOÇAJ/
Që në fillim të shënimit tim, kjo vepër e Mëhill Velajt na sjell para lexuesve portretin e kompletuar të një pedagogu, shkrimtari dhe studiuesi të palodhshëm, që nga ditët e para kur ka nisur të merret me krijime letrare e deri në vitin jubilar të 60 vjetorit të lindjes.
Edhe pse libri është botuar në SHBA, ai ka ardhur te ne si një dhuratë me shumë vlera për të dëshmuar rrugën e krijimtarisë letrare, publicistike e shkencore të Besim Muhadrit, i cili në fakt një pjesë të madhe të këtij rrugëtimi e ka barë së bashku me mua e në veçanti në rrugëtimin e publicistikës.
Për të folur për këtë libër monografik, së pari do të ndalem me pak fjalë për titullin, që mendoj se është një titull i qëlluar, që përkon me rrugën e veprimtarisë letrare e shkencore të Besim Muhadrit dhe në anën tjetër lidhet ngushtë me titullin e veprës së studimeve dhe kritikave të Besim Muhadrit me titull “Tradita hasjanë e shkrimit shqip”, në të cilën vepër ka prezantuar autorët e preferuar të tij, pasi Hasi ka edhe shumë shkrimtarë e studiues tjerë, për të cilët do të duhej disa vëllimshme të shkruhet një studim gjithëpërfshirës. Me këtë titull autori Velaj, e pranon faktin se rrënjët e shqipes janë në Has, gjë që edhe kjo lidhje e shoqëron shtjellimin e autorit nga fillimi deri në fund.
Librit i paraprinë një parathënie, përmes së cilës autori Mëhil Velaj tregon për arsyet pse ka vendosur ta botojë këtë libër që po e përurojmë sot. Ndërsa sa i përket strukturës së veprës autori Velaj, ka zgjedhur në mënyrë simbolike ndarjen e librin në katër pjesë. Numri katër ka simbolika të shumta, në radhë të parë për të qenë njerëzimi të barabartë. Numri katër shpreh simbolikisht “kryqin e fijeve që përbëjnë mirëkuptimin tonë”. Në anën tjetër simbolizon katër stinët e vitit, ku njeriu duhet të bashkudhëtojë me peshën e jetës në të katër stinët, pavarësisht kushteve dhe rrethanave.
Në pjesën e parë të librit autori përmes një analize të veprimtarisë letrare e shkencore të Dr. Besim Muhadrit, të ndarë në shtatë pjesë, flet për krijimtarinë letrare e shkencore të Besim Muhadrit duke filluar nga të dhënat biografike e deri te aktivitetet e fundit në fushën e shkencës, përkatësisht në harkun kohor 1991 – 202 4 ose nga viti kur e boti përmbledhjen e parë me poezi “Diçka e bukur po ndodhë” e deri te libri shkencor “Studime letrare shqiptare dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”. E veçanta e kësaj pjesë mund të themi është fakti se autori Velaj e ka e portretizuar Besim Muhadrin si një krijues të lidhur e të mishëruar me truallin e lindjes. Por, gjithsesi edhe vlerësimi për punën shkencore në fushën e letërsisë në veçanti me studimin për njërin nga figurat kresore të poezisë moderne shqiptare Din Mehmetin, që për autorin e kësaj monografia Dr. Besim Muhadri është kompetent dhe profesional, pasi ai e ka zbërthyer në mënyrë më të mirë të mundshme poezinë e Din Mehmetit, pasi edhe e ka njohur personalisht. Mëhill Velaj, Dr. Besim Muhadrin e argumenton në këtë libër edhe prurje serioze dhe akademike në fushën e kritikës letrare, duke i veçuar disa nga punimet e Besimit si kritik letrar. Në pjesën e gjashtë të kësaj analize të autorit Velaj, autori flet për prirjen e Dr. Besim Muhadrit si mjeshtër i publicistikës dokumentare, ku gjithashtu i përmend disa nga veprat më të arrira të Besimit, ndër të cilat veçon monografinë për atdhetarin Zenel Sadikun, Vezir Ademaj- Heroi i Kosovës, për Gaspër Karaqin, për Avdyl Gjocin, për Mehmet Cenën , për nacionalistin Rexhep Krasniqin e disa vepra tjera që i përmend autori. Ndërsa në pjesën e shtatë autori Velaj, në analizën e thuktë të tij për veprimtarinë letrare të Dr. Besim MUhadrit e vlerëson dhe e krahason me Bogdanin dhe citoj: “ Jo rastësisht e citova këtë paragraf të një shkrimi të Besim Muhadrit për Pjetër Bogdanin. Qëllimi dhe arsyeja janë se si njëri ashtu edhe tjetri (ndonëse në një diferencë kohore treshekullore) janë të lidhur fort me vendlindjen e tyre, Hasin, prej të cilës krahinë marrin frymëzim , krenarinë dhe forcën krijuese. (f. 25-26)
Për pjesën e dytë të librit, autori Velaj, ka prezantuar tetë kumtesa të njohësve dhe studiuesve që jetojnë në SHBA me rastin e promovimit të katër librave në selinë e Federatës Vatra, në janar të vitit 2023. Librata që u promovuan janë: 1. “Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” 2. Prof. Rexhep Krasniqi- Një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike” 3. “Esencat e mendimit letrar” dhe 4. “Studime letrare shqiptare dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” në anglisht.
Në kumtesën e parë të Sokol Pajës, editor i gazetës “Dielli” në Amerikë ka bërë një përmbledhje të këtij promovimi tepër të suksesshëm të Dr. Besim Muhadrit.
Adnan Mehmeti, në kumtesën e tij të titulluar “Studime të rëndësishme për letërsinë shqipe” ka folur për librin “Esencat e mendimit letrar” dhe për jehonën e këtij libri që ka bërë në Amerikë, duke veçuar disa nga pjesët më të arrira të këtij libri. Po për këtë libër ka folur edhe miku i Besimit Pal Ndrecaj, i cili ka theksuar se ky libër studimor mëton të zbërthejë aspekte qenësore të artit letrar dhe ka shtuar se kjo vepër i jep lexuesit një mundësi të mirë për thellimin e kuptimit të veprave letrare.
Në anën tjetër Frak Shkreli, ish gazetar i “Zërit të Amerikës” në kumtesën e tij ka folur për librin e Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe për librin e Rexhep Krasniqi, duke i quajtur këto dy figura apostuj të idesë për bashkim kombëtar, ndërsa autorin e këtyre librave Dr. Besim Muhadrin e cilëson si njërin ndër studiuesit më serioz të letrave shqipe, pasi përmes këtyre studimeve, tregohet se fryma atdhetare e Gjeçovit dhe Rexhep Krasniqit ende është gjallë.
Kumtesa e Valdete Cenalisë, ishte përqendruar në veprën për Rexhep Krasniqin të përgatitur e të redaktuar nga Dr. Besim Muhadri, e cila ndër të tjera ka theksuar se Besim Muhadri përmes këtij libri, e ka nxjerrë në mënyrë komplekse figurën e atdhetarit Rexhep Krasniqi.
Për veprën “Studime letrare shqiptare dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, me kumtesën e saj “Letërsia dhe etnologjia në një libër” ka folur Doktorantja Arjeta Ferlushkaj –Kotrri, e cila ka theksuar se ky studim është një prekje interesante në krijimtarinë e disa autorëve shqiptarë. Për Kanunin e Lekë Dukagjinit, përkatësisht për veprën e Dr. Besim Muhadrit ka folur edhe Dr. Bexhat Hasani, i cili si njohës i trashëgimisë kulturore jep vlerësime për këtë vepër të Besim Muhadri.
Në këtë pjesë është sjellë për lexuesit edhe një recension për librin e Avdyl Gjocaj – mësues dhe luftëtar” nga studiuesi dhe poeti Mëhill Velaj, njëherësh edhe autor i monografisë për studiuesin Besim Muhadri, që po e promovojmë sot. Në këtë analizë brilante të poetit e shkrimtarit Velaj, vihet në pak gjetja e autorit Muhadri për ta skalitur në pavdekësi një mësues e atdhetar, që një jetë e kishte kaluar duke u angazhuar për çështjen kombëtare.
Në pjesën e tretë të librit “Vlerësimi nëpër vite për librat e Besim Muhadrit”, autori i librit ka përzgjedhur 14 recensione nga 10 studiues. Ndër këta recensione po i përmendim Prof. Dr. Agim Vincën, që ka falur për studimin e Besim MUhadrit për Din Mehmetin, recensionin e Akademik Mehmet Halimit, Halil Haxhosajt, Besim Cengut, Ismail Sylës, Murat Gecajt, Alban Dobrunës dhe Dalip Grecës. Në fakt të gjitha këto recensione ose janë të botuara në librat e Besimit ose janë lexuar si kumtesa gjatë promovimit të librave, që dëshmojnë për punën e shkëlqyer të studiuesit e poetit Besim Muhadri. Këto vlerësime në fakt janë edhe vlerësim për veprat e autorit dhe janë të ngjashme me vlerësimet e pjesës së dytë.
Në pjesën e katërt autori Mëhill Velaj ka përzgjedhur 21 artikuj të Dr. Besim Muhadrit nga fusha e studimeve që është marrë gjatë dy dekadave të shekullit 21. Të gjitha këto studime të prezantuara në këtë libër janë një punë kolosale e Dr. Besim Muhadrit në fushën e letërsisë me një stil dhe mënyrë të veçantë të shtjellimit. Ndër këto punime do të veçoja disa nga këto studime, të cilat do të mbesin pikë referimi për të gjithë studiuesit që merren me letërsi:
– Kanuni – vepra që rilindi Shtjefën Gjeçovin, pasi Gjeçovi sipas autorit u rilind pas botimit të Kanunit e në veçanti pas Luftës së Dytë Botërore;
– Tradita hasjanë e shkrimit të shqipes, ku flet për Pal Hasin dhe korifenjtë e Beogdanëve, e që më pas ky punim bëhet shkas për botimin e librit me të njëjtin titull, duke i përfshi këtu edhe autorë tjerë hasjanë që kanë kontribuar për Hasin, duke mos harruar edhe ata që kanë shkruar edhe disa vargje për Hasin.
– Poezia e Ernest Koliqit në kontestin e letërsiss shqipe të shekullit XX;
– Anton Pashku simbolist i spikatur i prozës moderne shqipe;
– Letërsia e shqiptarëve të Amerikës dhe integrimi i saj në letërsinë gjithëkombëtare e shumë artikuj tjerë.
Gjithsesi në këtë pjesë të librit vihet re gjetja tepër interesante e dr. Besim Muhadrit për figurat dhe për fenomenet e letërsisë shqipe, gjë që ia ka bërë më të lehtë autorit Mëhill Velaj t’i përzgjedh nga shumë punime shkencore këto 21 punime, që në fakt numri 21 në mënyrë simbolike shënon katër 21 shat e mot moti 21 marsi, 21 qershorin, 21 shtatorin dhe 21 dhjetorin, që pëe autorin Velaj nuk ka qenë e rastësishme përzgjedhja e 21 punimeve për t’i prezantuar.
Në fund të librit është paraqitur edhe vlerësimi Dr. Ermelinda Kashah, që gjithsesi për të gjithë juve që do ta keni në dorë këtë libër do të jetë një lehtësim më i madh për ta kuptuar këtë vepër kapitale për mikun tonë Besim Muhadrin, i cili vazhdon të jetojë e të krijojë nën rrënjët e Hasit.
Mëhill Velaj: “Në rrënjët hasjanë të shkrimit shqip- Besim Muhadri poet dhe studiues”, Botoi Shtëpia Botuese Adriatik Press në New York, 2024.