
Dr. Tonin Çobani/
Unë kam shtruar këtë pyetje para vetes sime dhe sot po kërkoj ta ndaj atë me ju, paraprakisht duke ju falënderuar për organizimin e promovimit të dy librave që kanë bashkautorësinë time me Don Ndue Ballbanin. Por unë nuk do të ndalem te bashkëpunime me Don Ndoun që ka nisur këtu në Zagrep me librin “Frang Bardhi dhe relacionet e tij” (2006)…
Dhe pyetja më e zgjeruar do të ishte: Mos vallë dy libra brenda një viti akademik janë sa për të përkujtuar 80-vjetorin që ka qenë vjet dhe 150-vjetorin e Lindjes së Gjergj Fishtës që i takon të jetë viti 2021?
Vite më parë kur po punonim për botimin e veprës së Fishtës (Gjergj Fishta, Vepra letrare në 10 vëllime), unë u ngarkova me dy prej tyre (Drama 1, Drama 2), vëllimet 5, 6. Dhe mbeta i kënaqur me punën time, sepse bëra bashkë veprat dramatike të Fishtës që kishin mbërritur si botime të shpërndarë andej këndej dhe bëra një pasthënie të thukët me titull “Fishta dramaturg”, që u përfshi si pjesë fundore e të dy vëllimeve. Kisha marrë si postulat, thënien e Faik Konicës për Fishtën, se “shkroi poezi, drama, komedi… dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm.”
Por shumë shpejt e kuptova se mungonte një diçka thelbësore në punimin tim. Mungonte teatri i Fishtës, se aktorët gjendeshin: humoristë të mprehtë dhe aktorë të pasionuar ka pasur gjithmonë në Shkodër. Duheshin regjisorë, skenografë, me pak fjalë, specialistë dhe organizatorë të shfaqjeve e pikësëpari një tekst dramatik, që është shumëçka për artin e skenës. Dhe Fishta poet-dramaturg e kuptonte mirë këtë. Ndërkohë që studionte tragjeditë e Shekspirit dhe përshtaste mjeshtërisht për mjedisin shkodran (dhe shqiptar) komeditë e Molierit, duhej të gjente ose të bënte vetë punën e regjisorit dhe të skenografit deri atë të organizatorit të shfaqjes.
Kështu, pra, tekstet dramatikë të Fishtës duhet të kalonin provën e skenës dhe të ballafaqimit me publikun si dhe të kritikës së artit, ndoshta, duke filluar me recensionet e Fishtës vetë në revistën “Hylli i Dritës” dhe në gazetën “Posta e Shqipërisë”, të drejtuara prej tij.
Ajo që unë do të deja të theksoj me këtë rast është se edhe sot e kësaj dite prova e skenës dhe ballafaqimi me publikun mungon fare ose është i papërfillshëm për tekstet dramtike të Poetit Tonë. Me përjashtim të ndonjë shfaqjeje (“I ligu për mend, sipas Molierit”), vënë në skenë nga TK i Prishtinës (2017) dhe nga Teatri Migjeni i Shkodrës (Gomari i Babatasit – 2018), si dhe një tjetër, (Shfaqja G) e Teatrit Shqiptar të Shkupit (2017), asnjë pjesë tjetër dramatike, shkruar nga Fishta, nuk është ngjitur në skenë gjatë këtyre 30 vjetëve. Numërojmë disa që mund të ngjiteshin në skenë me sukses edhe në ditët tona: Juda Makabe, Jerina, Ifigjenia, Odisea, Vllaznia, Barinjtë e Betlehemit, Luigji Gonzaga, Shqiptari dhe Shqiptarja e qytetrueme… Teatri i Gjergj Fishtës numëron gjithsej rreth 40 pjesë teatrore, duke vënë kështu themelet e teatrit në gjuhën shqipe, që nuk janë gjë tjetër, veçse themelet e Teatrit Kombëtar të shqiptarëve. Por me keqardhje konstatojmë se shumë prej pjesëve teatrore të Fishtës nuk janë ruajtur. Dhe ato që janë ruajtur mund të pohojmë me plotgojë se janë shpërfillur prej kompanive teatrove amatore e profesioniste, prej teatrove kombëtare të Tiranës dhe Prishtinës. Kaq për librin e parë “Teatri i Gjergj Fishtës”. Për librin e dytë: “At Gjegj Fishta: Vende-Vite-Vepra” do të lexoj për ju një ese: “Fishta ynë”.
II.
Sot, kur emri i Gjergj Fishtës, Fishta ynë, ka zënë vendin e merituar në Panteonin e Shkrimtarëve tanë, shtrohet çështja: kur themi “Fishta ynë”, a është njësoj sikundër themi “Naimi ynë”, “Migjeni ynë”, “Lasgushi ynë”, apo nënkuptojmë diçka tjetër? Dhe çfarë do të ishte kjo diçka tjetër?
1.
Diçka tjetër do të ishte ta artikulonim këtë “Fishta ynë”, si do të donin disa: “Fishta i jonë”. Kjo do të thoshte që Fishta të ishte vetëm i gegërishtfolësve; do të thoshte të mbetej i paintegruar meritueshëm në programet shkollore; do të thoshte, më në fund, të përdorej emri dhe vepra e tij për të mbajtur ndezur një debat tanimë të vjetruar midis gjuhës së toskëve dhe të gegëve, çfarë do t’i binte ndesh thelbit programatik të veprës fishtjane që është skalitur në 2-vargshin:
“Bini, toskë, ju, bini gegë!\ Si dy rrufe, që shkojnë tue djegë!”.
2.
Diçka tjetër do të ishte ta artikulonim këtë “Fishta ynë”, si do të bënin disa: “Pader Gjergji i jonë”. Kjo do të thoshte që Fishta të konsiderohej vetëm i shqiptarëve katolikë apo, më pak, vetëm i Provincës Françeskane Shqiptare. Këtu dua të sqarohem, sepse për shkak të këtij formulimi kam pasur shumë përballje hapurazi dhe kulisave (apo me pseudonime). Asnjëherë nuk më ka shkuar ndërmend t’ia zhvesh Fishtës zhgunin e fratit, asnjëherë nuk më ka shkuar ndërmend t’ia shkul Fishtën Provincës Françeskane apo Kishës Katolike dhe kulturës që përfaqëson ajo në Shqipëri. Por kur themi “Fishta ynë”, nënkuptojmë se ai nuk mund të jetë vetëm i një province, por i të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve të sotëm të Shqipërisë dhe pavarësisht nga religjioni. Përndryshe do t’i binim ndesh thelbit të shqiptarizmës së Fishtës që ka gjetur kuptim në thënien e tij proverbiale:
“Besë, nder e burrni shqiptare\ E mos na lashtë Zoti pa myslimanë”.
Dhe kjo është formuluar në Konferencën e Paqes në Paris, kur disa diplomatë ia kishin me hile trojeve shqiptare kur propozonin një Shqipërizë edhe më të vogël se sa është sot, një Shqipërizë që të përfshinte vetëm trojet e populluara prej shqiptarëve katolikë.
3.
Por edhe kur disa thonë “Fishta ynë” dhe nënkuptojnë “Fishta i tyre” ia kanë me hilera Fishtës dhe thelbit përmbajtësor të veprës së tij:
Një i huaj, që nuk ka mundur ta shijojë veprën e Fishtës në origjinal, mund të ketë një mendësi të tillë;
Një intelektual i sotëm, që nuk është ulur për të lexuar qoftë edhe një prej veprave të Fishtës pa qenë i paragjykuar për vlerat e saj, mund të këtë një mendësi të tillë;
Një qytetar çfarëdo, që për shkak të propagandës 50-vjeçare antifishtjane nuk ka mundur të krijojë një kontakt të vetin me veprën e Fishtës, mund të ketë mendësi të tillë.
Gjithsesi, mund të kenë mendësi të tilla individë me shije të ndryshme leximi, por jo institucionet akademike e shtetërore, shkollat publike të të gjitha niveleve dhe përgjithësisht media.
Këta institucione të tranzicionit, asgjë mangut nuk i lënë viteve të diktaturës kur mohohej krejtësisht vlera e një poeti, një thelb i së cilës shpërthente me vargun e tij blasfemik:
“O Perëndi, a ndjeve? Tradhtarët na lanë pa atdhe… ”.
4.
Por edhe kur disa të tjerë thonë “Fishta ynë” dhe me të kuptojnë një pronë të vetën, të cilën mund ta përdorin për kredibilitet të ideve të tyre kinse bashkëkohore, sigurisht që jo vetëm Fishta dhe kultura shqiptare janë të tradhtuara, por të gjithë ata që e quajnë veten sadopak shqiptarë duhet të vënë duart në kokë me kuje.
5.
Diçka tjetër e pranueshme do të ishte ta artikulonim këtë “Fishta ynë” dhe të mendonim thjesht: “Kultura jonë”, sikundër mendojnë të gjithë popujt e qytetëruar për shkrimtarët e tyre, të cilët për një periudhë kohe, sado të shkurtër, kanë qenë pjesë e jetës intelektuale të vendit, ndoshta, ashtu siç e konsiderojnë serbë e malazez Njegoshin, poetin e vet kombëtar, pavarësisht se ç’mund të mendojë një kushdo tjetër për vlerat ideo-artistike të veprës së tij letrare.