NGA DALIP GRECA*/ – Përse duket se New York-u po përjeton një epidemi më vdekjeprurëse se shumica e pjesëve të tjera të vendit?
- A është vetëm dendësia e popullsisë, shkaku i infeksionit dhe vdekshmërisë së lartë? Po si shpjegohet që qytete të mëdha që kanë dendësi më të madhe se ai, rreth 40 mijë banorë për km 2, (nga 27 mijë që e ka NYC) nuk krahasohen me të as për viktimat as për të infektuarit?
- Nëse do të niseshim nga parimi i dendësisë, Manhattani duhet të kishte shkallë më të lartë infeksionin se Queensi(që ka një sipërfaqe rreth 4 herë më të madhe dhe një dendësi prej 8 mijë e 354 banorë për Km 2, nga 27 mijë që e ka Manhattani), por nuk ndodh kështu për COVID-19.
- Atëherë? Mungesa e parapërgatitjeve, dobësitë në sistemin spitalor, vonesa në marrjen e masave shtërnguse, diskordacat mes guvernatorit dhe kryebashkiakut- Edhe disproporcioni në shërbimin shëndetsor i nxjerr të zbuluara politikat sociale të shërbimit shëndetsor inferior për racat dhe shtresat shoqërore….
Shteti i New York-ut ka prekur momentin tragjik të betejës kundër COVID-19: Ai regjistroi të Dielën e Pashkëve-12 Prill, një shifër tepër të lartë- 9 mijë e 385 të vdekur në tërsi me një shtesë ditore 758 viktima, nga 783 që ishte shifra e një ditë më parë të Shtunën e 11 prillit.
Në këtë moment shteti I New York-ut ka më shumë pacientë të infektuar me Covid-19 se çdo vend tjetër i botës, përjashtuar SHBA.
Statistikat e Universitetit John Hopkins tregojne se gjatë paraditës të së Dielës, në rang shteti ishin 188 mijë e 694 të infektuar. Prej së Shtunës të 11 Prillit, ky tregues është më i lartë se i shteteve të Europës që prijnë në këtë betejë. New Yorku ka më shumë të infektuar se Spanja (166,019 raste), Italia (156,363), Franca(129,654), Gjermania 126, 656, shtete këto me popullsi shumë herë më të mëdha se sa New Yorku.
Në mediat amerikane, por dhe ato europiane, janë duke u bërë debate se përse New Yorku është kryeqyteti i viktimave në këtë betejë me virusin e padukshëm? Pyetja shtrohet:Përse New Yorku? Dendësia e popullsisë? Proxhektet? Marrja me vonesë e masave shtërnguse? Politikat shëndetsore diferencuse sipas shtresave ?
Faktet janë fakte: Koronavirusi është duke u marrë jetët njujorkezëve në mënyrë disproporcionale, krahasuar me shtete të tjerë. Nga 21 mijë e 435 vdekjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 9 mijë e 385, ose 42% për qind, kanë ndodhur në New York. Shkalla e vdekshmërisë së saj është 4.7%, krahasuar me 3.4% në pjesën tjetër të vendit, bazuar në të dhënat nga Qendra Universitare Johns Hopkins.
New York City dhe qarqet e tij periferike – Nassau, Suffolk, Westchester dhe Rockland kanë gati 93% të rasteve në mbarë shtetin. Për më tepër, përse në New York City, niveli i vdekjeve nga Covid-19 është aq i lartë?.
Analistët pyesin: Përse duket se New York-u po përjeton një epidemi më vdekjeprurëse se shumica e pjesëve të tjera të vendit?
Pyetja tjetër shtrohet: A është madhësia dhe dendësia e popullsisë, shkaku kryesor?
Kjo mund të jetë një prej arsyeve, por jo e gjitha. Është e vërtetë se New York City është më i populluari, me më shumë se 8,7 milion njerëz, dy herë më shumë se Los Angeles, por ky numër nuk shkon në proporcion me rastet e infektimit dhe me numrin e viktimave: Sipas përllogaritjeve, Nju Jorku ka tetë ose nëntë herë më shumë të infektuar se çdo shtet apo qytet tjetër . Përse? Asnjë qytet apo qark tjetër nuk krahasohet me rastet e New York City-t.
Një pjesë e analistëve këmbëngulin se shkaku kryesor i përhapjes me shpejtësi i infeksionit është dendësia e popullsisë. Natyrisht, kjo qëndron, por prap nuk është e gjitha sepse krahasimet çalojnë. Vërtetë që studiuesit dhe mjekët kanë paralajmëruar se Covid-19 përhapet më lehtë kur njerëzit janë të grumbulluar së bashku, në institucionet fetare, salla të mëdha, trena, autobuzë, parqe, ose anije lundrimi, apo edhe në apartamente të vogla, me shumë persona në dhomë apo në familje të mëdha. Dendësia e popullsisë së Nju Jorkut, sipas demografëve në NYC është rreth 27,000 njerëz për kilometër katror, dhe kjo është më e larta në SHBA, por ka shumë qytete në botë që e kanë më të lartë këtë tregues si në Azi, ku qytete si Pekini, Tokio e ndonjë tjetër kanë një dendësi prej rreth 40,000 njerëz për kilometër katror.Përse tek ata nuk ka një shkallë infeksioni të krahasushme me atë New York-ut?
Analistët thonë se densiteti i popullsisë mund të shpjegojë disa nga ndryshimet, por jo të gjitha. Edhe po të bëhet krahasimi brenda NYC, shihet se dendësia nuk është gjithçka. Përshembull, ndër pesë bashkitë e NYC, bashkia më e dendur është ajo e Manhattan-t, e cila e krahasuar me bashkinë e Queens-t, relativisht shumë më e shtrirë në sipërfaqe se Manhattani, nisur nga parimi i dendësisë duhej që Queensi të kishte më pak shkallë infeksioni, por s’ndodh kështu.E vërteta është se Queens-i ka më shumë se dy herë raste infeksioni se sa Manhattan-i.
Duke iu drejtuar statistikave: Nëse do të niseshim nga parimi i dendësisë, Manhattani duhet të kishte shkallë më të lartë infeksionin se Queensi(që ka një sipërfaqe rreth 4 herë më të madhe dhe një dendësi prej 8 mijë e 354 banorë për Km 2, nga 27 mijë që e ka Manhattani), por nuk ndodh kështu për COVID-19, Queensi është në krye, Mnahattani i katërti.
Duke kërkuar shkakun e numrit të lartë të të infektuarëve debatuesit pranojnë faktin se New Yorku është shteti që ka bërë më shumë testime dhe sa më shumë tesime që kryhen aq më e lartë është shkalla e zbulimit të bartësve të virusit. Kjo mund që të jetë një arsye e rasteve me shifra të larta të infeksionit, por jo edhe shpjeguse e rasteve të larta të viktimave. Në SHBA nuk ndodh si në Kinë, ku u fshehën të dhënat e pandemisë.
E vërteta është se më shumë teste për popullsinë, janë kryer në New York sesa në çdo shtet tjetër të Shteteve të Bashkuara. New Yorku dallohet për programe agresive të testimit të popullsisë. Nëse deri të Dielën në SHBA ishin kryer 2 milion 766 mijë e 601 teste, në New York ishin realizuar 461 mijë e 601, me pas vijnë shtete si California e Florida mbi mbi 180 mijë teste. Mënyra e testimit në New York është e përafërt me shtete të tilla si Gjermania apo Koreja e Jugut.
Specialistët e statistikave dyshojnë se shifrat që publikohen nuk janë ato reale, ne kurrë nuk do të kemi një pamje të saktë të asaj ç’ka ndodh në realitet, paralajmërojnë ata.
Një arsye reale e rasteve të shumta të infektimit mund të jetë kohëgjatësia e dyfishtë e epidemisë në New York.
Ajo që tërheq vëmendjen e analistëve është niveli i lartë i vdekshmërisë, veçanërisht në New York City.Pas shifrave fshihen arsyet e vërteta. Njëra prej tyre që nuk mund të mohohet vjen për shkak të mbingarkesës të spitaleve të qytetit. Masat për rritjen e kapaiciteteve të shtretërve, të hapsirave të pamjafta, të mungesës ventilatorëve, u morën me vonesë. Asnjëherë nuk do të dimë se sa njerëz vdiqën për shkak të papërgatitjes së papërshtatshme të shtetit për pandeminë, por sigurisht se ndikimi i tyre është thelbësor.Këtë nuk mund ta fsheh kush.
Pranojnë apo jo qeveritarët në New York, shpjegimi për shkallën e lartë të infektimit me COVID-19 dhe numri i lartë i viktimave, kanë ardhur edhe nga defekte e sistemit shëndetsor, nga shkalla e ulët e kujdesit shëndetsor, nga mungesa e shërbimit në shtresa të caktuara të shoqërisë.
Përfundimisht: Mungesa e parapërgatitjeve, dobësitë në sistemin spitalor, vonesa në marrjen e masave shëtrnguse, diskordacat mes guvernatorit dhe kryebashkiakut- Edhe disproporcioni në shërbimin shëndetsor i nxjerr të zbuluara politikat sociale të shërbimit shëndetsor inferior për racat dhe shtresat shoqërore, si dhe moskuptimet mes New Yorkut dhe Washingtonit.
*Dielli