NGA KRISTO ZHARKALLIU/Athine/
Lexova një shkrim të gazetarit të njohur Ahmet Shqarrit nga Amerika. Me sa më kujtohet ky gazetar është shumë i njohur në vendin e (tij) Shqipëria, si komentator i zoti i sportit. Sigurisht në se ky shkrim do të kishte të bënte me dobësinë e sportit shqiptar nuk do të më bënte aspak përshtypje, sepse vitet e fundit jemi mësuar të mos dëgjojmë asgjë për ekzistencën e këtij sportit, kryesisht futbollit shqiptar, por edhe se nuk është një fushë e njohur prej meje. Veçse gazetari në fjalë bënte “krahasime” midis vendit më të zhvilluar në botë me Shqipërinë ballkanike. Vitet e fundit jemi mësuar të lexojmë vazhdimisht shkrime përçmuese për Shqipërinë, deri në ofendim nga vetë shqiptarët. Asnjëherë nuk ndeshemi me fjalë të mira si në shtyp ashtu dhe në masmediat elektronike, thua se ai vend është i mallkuar dhe urrehet nga vetë banorët e tij. Ahmet Shqarri thotë se në Shqipëri ka plehra, në Amerikë jo, në Shqipëri ka vjedhës (!) në Amerikë jo, në Shqipëri ka kriminalitet (!) në Amerikë jo dhe së fundi arrin në korrupsionin shqiptar, duke sjellë si shëmbull Bankën e Shqipërisë ku u vodhën 8(tetë) milionë dollarë dhe akoma nuk u është prerë koka fajtorëve si do të ngjiste, fjala bie, në Amerikën engjëllore… duke mos harruar të na përmende dhe…Al Kapone, (sikur ky të kishte qënë shqiptar…por ku ta dish?) Sigurisht të gjitha këto të këqia i ka Shqipëria, ndoshta akoma dhe më shumë, por si bëhet krahasimi me Amerikën e largët ku banon e bija e zotit Shqarrit? Të gjitha këto dallime i konstatoi brenda një muaji që ai jeton si mysafir tek e bija?NUk paska vjedhje dhe kusarë në Amerikë? Nuk paska kriminalitet? Nuk ka …plehra? Sigurish si një nga vendet më të zhvilluara e më të pasura në botë, Amerika ka marrë masa që ujrat e zeza të mos derdhen në det, po a është i sigurtë edhe për këtë zoti Ahmet? Udhëtoi ai në të gjithë Amerikën (SHBA nënkuptojmë se sa për Amerikën latine jugore e qëndërore, le të mos kërkojmë krahasime me Shqipërinë se në shumë raste janë shumë më prapa nga vendi i përbuzur i Ahmetit tone) Por ne do të pranojmë të gjitha vërejtjet, ndoshta dhe “brengën” e gazetarit, prandaj vendosëm të flasim pak për vjedhjen e Bankës Shqiptare, gjë që, sipas Ahmetit nuk do të ngjiste askurrë në Amerikën e Al Kapone të dikurshëm. Afërmendsh se për Amerikën e madhe dhe të pasur tetë milionë dollarë nuk janë asgjë, madje nuk do të ishte bërë kurrsesi çështje kombëtare një “vjedhje” e tillë. Por duket se diçka harron zoti Ahmet Shqarri: Bankën e Lemon’s Brother e cila pothuajse hodhi në erë të gjithë sistemin banker jo vetëm të Amerikës por dhe të Europës e më tej. Nga skandali i tmerrëshëm i bankës në fjalë filloi dhe kriza bankare dhe ekonomike akoma dhe në Europë… Këtu nuk bëhej fjalë për disa miliona të krrimbura por për shumë miliarda!Dhe ç’u bë? Sa nga drejtuesit e kësaj banke janë në burg, sa nga këta humbën pasurinë që kishin bërë në mënyrë të paligjëshme? Le ta kërkojë gazetari shqiptar, i cili me kaq përbuzje flet për vendin e tij, dhe të na sqarojë… Sepse është tjetër gjë të shikosh çdo gjë në vendin tend në mënyrë negative dhe të përpiqesh të bësh krahasime me dukuritë pozitive të vendeve të tjera dhe tjetër gjë të dish të dallosh atë që të ndan si nga vendi yt ashtu dhe nga vendet e tjera të pasura të botës, shi Amerikën.
Nuk kam asgjë me gazetarin e lartpërmendur, e solla thjesht si shëmbull se si shqiptarët në përgjithësi përbuzin vendin e tyre dhe admirojnë vendet e tjera. Shumica e emigrantëve-jo vetëm ata që shkruajnë- flasin me përçmim kur i pyet për Shqipërinë. Rrallë, shumë rrallë dëgjon ndonjë fjalë të mire ose nostalgjike. Madje shumica dërmuese e tyre pushimet i bënin në ishujt grekë dhe në vendin e tyre shkonin vetëm për një vizitë të shpejtë për t’u “çmallur” jo me vendlindjen por me njerëzit që kanë lënë prapa. Sigurisht me krizën ekonomike dhe me papunësinë në Greqi,nuk kanë mundësi më të bëjnë pushime luksoze si bëjnë të pasurit shqiptarë dhe një ish kryeministër që i pëlqen shumë Halkidiqi dhe jo reviera shqiptare (duket se në Halkidiqi ka shërbim më të kulturuar veçse shërbyesit janë bashkatdhetarë të ish kryeministrit tone!). Prandaj shumë syresh kthehen në vendlindje (nuk them atdhe se ata nuk e ndiejnë kështu!) me gjysmë zemer që të bëinë diku njëfarë pushimesh…Nuk do mend se fajin kryesor për këtë nuk e kanë hallexhinjtë të emigracionit por vetë masmediat e vendit të cilat nuk i kanë borxh asnjë fjalë të mire Atdheut të tyre. Të gjithë dine të kritikojnë, të gjithë dine të përbuzin çdo dukuri shqiptare, çdokush din të dallojë anët negative dhe askurrë nuk gjen diçka të mire, diçka lavdëruese në trojet arbërore.
Për Anën, fqinjia ime e bukur nga Shqipëria, e cila punon në një furrë pranë shtëpisë sime, kam shkrojtur dhe here tjetër. Ajo ka disa vite që banon me familje në Athinë. Megjithse shumë e re, ka dy djem mjaft të rritur. I shoqi është shofer profesionist..Vite me radhë bënte pushime në Greqi-si bënte një udhëtim të shkurtër ku vizitonte të afërmit e saj në Kolonjë dhe Korçë. Sivjet më tha e gëzuar se do të bënin pushimet në Shqipëri, madje në plazhin më verior të Adriatikut, në Velipojë. Pak gjëra kisha dëgjuar për Velipojën dhe ato që kisha lexuar ose pare kishin të bënin për gjëra negative-jo për ndotësi, për ndonjë tel që varej nga një pemë, ose për një mbytje në det. Është shumë e çuditëshme, por shqiptarët i kujtojnë vëndet e tyre më të bukura, kur kanë diçka të keqe të thonë për to. P. sh. Bregdeti i Vlorës tregohet në televizion ose në gazeta kur Rama jep urdhër të shëmbet ndonjë ndërtesë të paligjëshme ,kur bëhet ndonjë vrasje makabre dhe, sikgurisht kur bëhet ndonjë grabitje ose ndonjë aksident rrugor ose detar. U fol për Ksamilin se shumë pushues po ktheheshin mbrapsht se nuk gjenin ndonjë dhomë ose hotel për të pushuar, por u fol vetëm me sy kritik se si po lodheshin pushuesit që nuk gjenin vend dhe nuk u tha asgjë se si sa pushues të tjerë, vendas dhe të huaj kishin vërshuar në bregdetin e mrekullueshëm të Ksamilit!
Patjetër nuk duhet të heshtet kur ndeshemi me dukuri negative, sidomos në plazhet e bukura shqiptare. Por, nga ana tjetër, nuk kishim dëgjuar asnjëherë të na nxisnin, të lavdëronin plazhin për të shkuar nga Greqia për pushime atje, prandaj u habita pak me vendimin e shqiptarkës së re.Veçse Ana jonë u kthye e entusiazmuar si nga plazhi, nga çmimet, shërbimet ashtu dhe nga pastërtia e ujit të detit. Më foli me kënaqësi për rrugët-sidomos për tunelin që lidh Elbasanin me Tiranën, por kryesisht për ato ditë të bukura që kaloi në plazhin e Velipojës. Dhe vetë shprehte habinë se si shqiptarët nuk rekllamojnë aspak-përkundrazi i shajnë- plazhet e tyre. Duke dëgjuar vrejtjet e saj m’u kujtua se si grekët lavdërojnë çdo ditë plazhet e vendit të tyre-të gjitha kanalet televizive private u kushtojnë përditë pjesën më të madhe të “lajmeve” duke treguar se sa bukur kalojnë të huajt dhe vendasit në plazhet greke, se si zbaviten të rinjtë e çlodhen të moshuarit. Krenaria e tyre është kaq e madhe deri në bezdi, por nuk mund të mos i admirosh për kurajon dhe këmbënguljen e tyre se vendi i tyre është më i miri, më i bukuri në botë dhe le të kalojë një krizë të tmerrëshme ekonomike. Akoma dhe sërbët e “shkupjanët” krenohen me vendet e tyre që të mos flasim për Malin e zi që krekoset jo vetëm me të kaluarën por edhe për “përparimet” që ka arritur në atë cope të vogël toke me rreth gjysmë milion banorë, prej të cilëve as gjysma nuk janë malazezë të vërtetë. Dhe shqiptarët çfarë bëjnë? Shahen midis tyre, shajnë vendin e tyre, përbuzin akoma dhe historinë e vendit. Por e keqja më e madhe është se kjo nuk ngjet vetëm me shqiptarët e Shqipërisë. Ata që janë jasht kufijve shtetërore janë akoma më keq. Shqiptarët që përbëjnë afro dyzet përqind të popullsisë së FYROM, janë përçarë ndërmjet tyre, kanë formuar nja dhjetë parti dhe, kështu i japin fuqinë sllavit t’u rrijë në zverk dhe sikur të mos mjaftonte kjo, mbiu dhe fara e keqe e islamizmit ekstremit tp xhihadistëve. Në Malin e zi rreth tridhjtë mijë shqiptarë kanë njizet parti! Nga ana tjetër askush nga këta nuk shpreh dashuri ose admirim për vendin amë…Po Kosova? Atje po bëhen menjimënd gjëra për të qeshur e për të qarë. Komuniteti ndërkombëtar ndihmoi shqiptarët e Kosovës që të krijojnë shtetin e tyre demokrat, duke besuar se UÇK-ja kishte marrë armët për çlirim kombëtar. Nuk ka dyshim se shumica e luftëtarëve kishin besuar në çlirim dhe bashkim kombëtar, veçse krerët e tyre tregojnë se qëllimi i tyre ishte pushteti! Ajo që ngjet në Kosovë muajt e fundit është qesharake, madje po vertetojnë ato që thoshin shovinistët se shqiptarët nuk janë të aftë të vetqeverrisen! Ku është pare e dëgjuar që të bëhen kaq dallavere për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve? Pse me çdo kusht dhe me çdo “komplot” duhet të mënjanohet partia kryesore e vendit? Dhe si ja mban zëmra një “gjeneralit legjendar”(!!!) të UÇK-ëse të dojë të rrëmbejë kryeministrinë megjithse në zgjedhje nuk mori as dhjetë përqind të votave? Domethënë për këtë luftoi ai, për të marrë pushtetin? Por kësisoj nuk mirret por uzurpohet pushteti. Shqiptarët nuk kanë vene mend se për gjysmë shekulli popullin e qeveriste dhe e shtypte një pakicë të papërfillëshme partiakësh të cilët lane prapa tyre mallkimin e një vendit të prapambetur dhe të përçarë…
Të gjitha këto pra na brengosin. Ahmet Shqarri nuk bëri asgjë më tepër nga sa bëjnë shqiptarët në përgjithësi. Bëjnë krahasime ku gjithnjë Shqipëria del e humbur. Akoma dhe diktaturën komuniste e krahasojnë me atë të Rumanisë, Jugosllavisë ose të Kinës së Maos dhe na del se shqiptarët na qënkeshin më të këqij nga të gjithë! Pse ky vet fshikullim? Por le të kthehemi tek plazhet…Sa kemi dëgjuar për plazhin e Shëngjinit, të Velipojës, të Divjakës (për këtë dëgjuam kur ra aeroplani i drogës!) të Semanit, akoma dhe të Vlorës e më tej të Himarës dhe deri në Ksamil, akoma dhe të Pogradecit? Çfarë dime për hotelet dhe për dhomat që jipen me qera, çfarë dime për çmimet dhe për shërbimet? Për Sarandën u bë kaq zhurmë për skandalin e një nëpunësit të poshtër, por për të mirat e bregdetit sarandiot dime gjë? Shumë turistë nga Korfuzi duan të hidhen në bregun e Sarandës por ngurrojnë se kujtojnë se Shqipëria është akoma si në kohën e diktaturës? Pse ngurrojnë shqiptarët të lavdërojnë vendin e tyre? Shqipëria ka 25 vjet që quhet…demokraci, qoftë demokraci të cunguar berishiane, por njerëzit lëvizin lirisht, flasin lirisht dhe jetojnë sipas shijeve të tyre.
Më vjen keq që e them dhe një here, por kam përshtypjen se shqiptarët urrejnë vendin e tyre. Askujt nuk i hyjnë në punë krahasimet banale- ndokush do të thotë se Shqipëria ka mbetur prapa se nuk ka dërguar njeri në hënë si Amerika! Nëqoftëse vetë shqiptarët nuk do të duan vendin e tyre, askush nuk mund t’i ndihmojë dhe t’i respektojë. Shqiptarët edhe njëherë nuk kanë veçse të marrin shëmbull nga popujt fqinjë se si krenohen me vendet e tyre dhe të kuptojnë se me pëbuzje dhe nënvleftësim nuk fitohet asgjë.
Kristo Zharkalli, Athinë 22 gusht 2014.