-Dirigjentët e Luftës Civile në Shqipëri dhe të Masakrës së Tivarit, ishin serbët, të cilët nën moton- maskë “internacionaliste do të jetë bota e re” ia thartuan trutë rinisë shqiptare për të luftuar për “bashkim vëllazërimin”…
– Problemi, qëndron në faktin se aktorët- përgjegjës të krimeve, si të Luftës Civile ashtu edhe të maskrës së Tivarit, ende nuk jane ballafaquar me një tribunë gjyqësore, të paktën për hir të historisë.
Ditën e përvjetorit të 103-të të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 2015, Federata Panshqiptare e Amerikës promovoi në sallën e saj dy librat e autorit Uran Butka, shkrimtar dhe historian i përkushtuar në rishkrimin e historisë Kombëtare. Masakra e Tivarit dhe Lufta Civile në Shqipëri 1943-1945, janë pritë me interes të veçantë nga lexuesit, veçanërisht nga ajo kategori që kërkon me ngulm rishkrimin e historisë jashtë ndikimeve politike dhe me vërtetësi shkencore.Takimin promovues e ka çelë kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj, i cili e ka përgëzuar autorin Uran Butka, i pranishëm në sallë, për vërtetësinë e përshkrimit të ngjarjeve, për burimet arkivore të shfrytëzuara, për këndvështrimin realist dhe analizat e thella. Sipas Kryetarit të Vatrës, merita e historianit Butka qëndron tek vërtetësia dokumentare e historisë që ai ka shkruar, qoftë për Masakrën e Tivarit, qoftë për luftën vëllavrasëse në Shqipëri.Promovimi i këtyre dy veprave që peshojnë në Historinë tonë Kombëtare, merr një rëndësi të veçantë sepse me këtë rast Federata Vatra përcjell mesazhin e rishkrimit të Historisë Kombëtare, jashtë ndikimeve ideologjike e partiake, si dhe zbardhjen e të vërtetave.
Më pas Kryetari Buçaj ka paraqitë moderatorin e veprimtarisë, pedagogun Mithat Gashi, anëtar i Kryesisë së Vatrës.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, z. Gashi tha:Sot mblidhemi për të promovuar dy libra të Z. Uran Butka: “Lufta Civile në Shqipëri 1943-1945” dhe “Masakra e Tivarit”.Temat e të dy librave janë të ndërlidhura, sepse dirigjentët e Luftës Civile dhe të Masakrës së Tivarit, ishin serbët, të cilët nën maskën e “internacionaliste do të jetë bota e re” ua thartuen trutë rinisë shqiptare për të luftuar për “bashkvllaznim”.
Z. Gashi, në emër të Vatrës, i shprehu mirënjohjen dhe falenderime autorit Butka, i cili mori një rrugë të largët për të qenë në mesin e vatranëve për të kremtuar Shpalljen e Pavarësisë, promovimin e librave, dhe me këtë rast ai përcolli mesazhe të qarta kombëtare. Z. Butka, theksoi Gashi, është sot me ne në promovimin e dy librave të tij, të cilët jo vetëm që e avancojnë diskursin historik, por korrektojnë shtrembërimin e historisë.
Ndër shkrime të ndryshme, tha Gashi, Masakra e Tivarit është cilësuar si Nata e Bartolomeut në Tivar, Masakra e Tivarit, Vorri i shqiptar i Tivarit, Vorri më i madh në Ballkan, Tragjedia e Tivarit, një nga ngjarjet më të dhimbshme te historisë shqiptare, etj.
Problemi, qëndron në faktin se aktorët apo përgjegjësit e krimeve, si të Luftës Civile, dhe pas saj, ashtu edhe të maskrës së Tivarit, ende nuk jane ballafaquar me një tribunë gjyqësore, të paktën për hir të historisë, tha Gashi.
Domethënse është biseda e Uran Butkës me Haxhi Lleshin, ish-ministrin e brendshëm në kohën e masakrës së Tivarit, i cili i ka thënë: “Nuk jam penduar, po të kthehej e njëjta situatë, do të veproja po ashtu”. Afërsisht një vit para Masakrës së Tivarit, në shtator te vitit 1944, në Lumë, brigada e pestë me në krye Shefqet Peçin, në pabesi pushkatoi 21 burra të një fshati. I ftuan burrat e fshatit Buzmadhe në mbledhje, i rreshtuan dhe i pushkatuan.Askush nuk ka dhënë llogari për këtë masakër.Përkundrazi, Shefqet Peçi ka deklaruar: “Po unë, kurrë nuk jam bërë pishman dhe nuk jam futur vrimave nga frika. Pas çlirimit, më vunë deputet në Lumë. Katër vjet me radhë” (Intervistë ribotuar në Ballkan, 7 korrik 2004, f. 27).
Gashi, si shembull ilustrus solli shembullin e familjes së tij:”Me ardhjen e forcave partizane të brigades së pestë në Lumë, shtëpia e gjyshit tim, Haziz Fetah Gashit, u dogj; e gjithë pasunia u konfiskue.Gjyshi kishte marrë arratinë. Pjestarët e familjes u internuen në Berat, aty ku u dërguen familjarët e kundërshtarëve të komunizmit.Nuk ishte çlirim, por pushtim nga forcat partizane, që ishin në ndjekje të “reaksionareve” shqiptarë. Në Lumë nuk kishte forca gjermane, dhe shtoj,- se në Lumë nuk kemi raste kur pushtuesi italian apo gjerman të ketë masakrue popullin ashtu siç banë forcat partizane shqiptare.”
Për Gashin, Qeveritë e Tiranës kanë pasë kohë të mjaftuesheme, afër një çerekshekulli mbas demokracisë elektorale, por nuk e ndërmorën inisiativën për të hetuar krimet e komunizmit dhe masakrën e Tivarit.Tash, shteti i Kosovës ka përgjegjësinë morale që të ngrejë një Tribunë Gjyqësore për Masakrën e Tivarit, të kërkojë se ç’ndodhi me fatin e mijëra djemëve të rinj, që u rekrutuan me forcë dhe gjetën vdekjen, duke filluar nga rrugëtimi Prizren, Kukës, Shkodër, deri në destinacionin final të zhdukjes, në Tivar. Bijtë dhe bijat kosovarë kanë të drejtën morale që të pyesin dhe të gjejnë të vërtetën se pse u lejuan djemtë e tyre të kalonin nëpër tokat e “nënës” Shqipëri? Cila ishte marrveshja mes Tiranës dhe Beogradit? Pse ndodhi tragjedia? Kush janë përgjegjësit?
Më pas e ka marër fjalën Asllan Bushati, zv/kryetar i Vatrës.Ai u përqëndrua në analizën e librit të Uran Butkës“Lufta civile ne Shqipëri 1943-1945”.
Në fillim të diskutimit të tij z. Bushati tha se një nga polemikat më të ashpra të këtyre 25 viteve të pas regjimit totalitar në Shqipëri,( në fushën e historisë), ka qenë përgjigja e pyetjes se ka patur apo nuk ka patur luftë civile në vitet 1943-1945? Qëndrimi për këtë problem i ka ndarë historianët e studiuesit , madje dhe politikën, në dy kampe, me dy qëndrime krejt të kundërta.
Për Bushatin, ish deputeti i Kuvendit të Shqipërisë dhe studiuesi e hulumtuesi Uran Butka, është një prej atyre personaliteteve që ka dhënë një ndihmesë të vyer në sqarimin e kësaj dileme . Ai me argumente i është përgjigjur kësaj pyetje të shtruar për zgjidhje, me një “ po “ të madhe, duke i çjerrur kështu maskën historiografisë komuniste që manipuloi e tjetërsoi të vërtetat e kësaj periudhe.
Merita e studiuesit Butka, në këndvështrimin e Bushatit, qëndron në faktin se ai, me një metodë të hollë katakiste,(ku autori, pyet dhe përgjigjet vetë), dhe me një skeme të mirëmenduar analitike, ka shtruar platformën ”Teza dhe kundër teza për luftën antifashiste”. Ai thekson si tezë të parë:”Lufta antifashiste e popullit shqiptar – Kundërteza: Lufta Nacionalçlirimtare”.Duke u nisur nga ky këndshikimi , autori për tezë thekson se:”Me pushtimin e Shqipërisë nga okupatorët italianë e më pas gjermanë, lindi qëndresa dhe lufta antifashiste e popullit shqiptar kundër tyre, në krah të aleatëve të mëdhenj Antifashistë. Në këtë luftë çlirimtare kanë marrë pjesë dhe kanë ndihmuar gjithë faktorët antifashistë, ndaj dhe duhet të quhet saktësisht “Lufta antifashiste e popullit shqiptar”.
Si kundërtezë autori thotë se :”Enver Hoxha ky manipulator i madh i historisë, ngriti dhe lartësoi mitin e Luftës Nacionalçlirimtare si luftë e vetme e popullit shqiptar kundër pushtuesve nazifashistë”. kur “Në fakt,lufta Nacionalçlirimtare është pjesë e Luftës Antifashiste të popullit shqiptar, siç është edhe lufta antifashist e çetave të Ballit Kombëtar, Legalitetit, lëvizjeve Kryeziu e Muharrem Bajraktari dhe të aktorëve të tjerë, për aq sa kanë kontribuar”.
Më pas, z. Bushati, duke iu referuar autorit, e cituar librin,solli shembuj, bëri komente, solli teza dhe kundërteza për luftën.
Gazetari Andon Dede i vlerësoi maksimalisht librat e Uran Butkës, duke u ndalur tek Lufta Civile, libër që ai e kishte lexuar. Në këndvështrimin e Dedes, rishkrimi i Historisë, është emergjencë kombëtare, por jo nga ata që e shkruan dje. Ajo duhet shkruar nga historianët e pa ndikuar nga politika.
Editori i Diellit, Dalip Greca, ka analizuar masakrën e kryer nag Brigada e Parë Sulmuese me Mehmet Shehun në fshatin Matjan të Lushnjës. Kjo masakër, tha ai,e përshkruar me hollësi në librin e z. Butka, përbën një nga targjeditë e luftës vëllavrasëse dhe vërteton pse Lufta e ashtuquajtur Nacionalclirimtare ishte Luftë civile. Greca, tregoi me fakte se si ai dhe forcat demokratike në Lushnje, në drejtimin e shoqatës të përndjekurve politikë,kryetarit të athershëm Esat Coku, gjetën eshtrat e 68 burrave të masakruar dhe se si i varrosën ata në një ceremoni madhështore, pranë varrezave të dëshmorve të Lushnjës.
Muhamet Omari, që e mori fjalën më pas, vlerësoi të dy librat e autorit, duke i cilësuar ato si boshti i rishkrimit të historisë Kombëtare. Ai tha se lufta partizane është glorifikuar dhe numri i dëshmorëve është shumëfishuar duke iu larguar të vërtetës.Ishte fatkeqësi për nacionalizmin shqiptar, dirigjimi i jugosllavëve, të cilët ishin atashuar pranë shtabeve partizane, dhe ata diktuan luftën vëllavrasëse që u erdhi për shtat Enverit me shokë. Në këndvështrimin e Omarit, Partia Komuniste Jugosllave ishte Nacionaliste, ajo e Shqipërisë Internacionaliste.Lënia e Kosovës nën Jugosllavi është krim Kombëtar i komunsitëve shqiptar. Për Omarin, trashgimtarja e Partisë Komuniste Shqiptare, Partia Socialiste, duhet ta analizojë atë periudhë dhe të mbajë qëndrim, ndryshe ajo bëhet bartëse e atyre krimeve.
Studiuesi Idriz Lamaj, në analizën që u bëri librave të z. Butka, vlerësoi kontributin e tij, përkushtimin dhe saktësinë shkencore në përshkrimin e ngjarjeve. Për të vlerësuar Luftën e ashtuquajtur Nacional Çlirimtare, duhet gjykuar realisht dhe me gjakftohtësi se çfarë roli dikutues kanë luajtë Jugosllavët, Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha e të tjerë emisarë pranë Enver Hoxhës. Studiuesi Lamaj, që ka pasë fatin të ishte bashkëpunëtor me nacionalistë të dorës së parë, si Prof. Rexhep Krasniqi, Ing. Xhaferr Deva e të tjerë, solli për të pranishmit një fragment nga analiza që i bënte Rexhep Krasniqi kohës së Luftës civili, që kishte për ideatore PKSH. Prof. Rexhep Krasniqi shkruante:”Menjëherë pas prishjes së marrveshjes së Mukajt, Gusht 1943, partia komuniste e Shqipërisë, sigurisht me shtyrjen e organizatorëve të saj jugosllavë, fillon një fushatë të ashpër propagandistike dhe të vëllavrasjes, sidomos kundër anëtarëve të Ballit Kombëtar.Njëkohësisht komunistët organizojnë një fushatë të gjërë, përshpëritjesh të shtypit të tyre kundër Kosovës dhe kosovarëve me qëllim të kalkuluar për të diskretituar idenë e Shqipërisë etnike, me të cilën Balli Kombëtar kishte fituar një plus në popull. Fushata në fjalë arriti kreshcendo, pas formimit të qeverisë së re dhe humbjeve luftarake dhe propogandistike që pësoi Lëvizja bolshevike në Shqipëri, humbje në të cilat personalitetet politike intelektuale kosovare ashtu edhe regjimenti Kosova kishin luajt një rol me rëndësi të dukshme….” Analiza e Prof. Krasnqit për përmasat e luftës Civile, e publikuar në librin e Idriz Lamaj”Xhaferr Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të Mërgatës”, mbetet aktuale.
Gjatë promovimit ka ndërhyrë dhe ka sqaruar shumë momente historike autori Uran Butka.
Në fund ai iu përgjigj pyetjeve nga salla. Ndërhynë, pyetën dhe diskutuan: Lek Përlleshi, Ramadan Gashi, Hakik Mena, Ahmet Hoti, Darion Gjonmarkaj, Prend Qeta, Sajmira Ballabani-Dedja, Dardanesha Gashi, Haxhi Dauti, Hasan Kostreci, Sajmir Dashi, Nazo Veliu, Zef Përndocaj e të tjerë.
Z. Butka falenderoi Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra, kryetarin Buçaj dhe të gjithë ekipin, që i dhanë mundësi që të promovonte në Nju Jork librat “Masakra e Tivarit” dhe “Lufta Civile 1943-1945” si dhe të ndante mendimet me vatranët.
Ne pergjigje te titullit:Perse Vatra i promovoi keto dy libra te studiuesit Uran Butka? Per te percjelle dy mesazhe: Se pari:Ka ardhe koha qe Masakra e Tivarit te zbardhet nga historianet,pavaresisht implikimit te shtetit shqiptar ne aleance me ate Jugosllav. Nga ana e tij shteti i Kosoves te nderoje bijte e vet, te ndertoje nje Memorial ku te shkruhen emrat e viktimave dhe vendekzekutimi i te pafajshmeve te mund te tregoje kriemte komunizmit dhe nacionalizmit te shfrenuar.
Se Dyti, Per luften vetvrasese civile, ne Shqiperi,Historianet te clirohen nga vargojte e politizimit dhe te shkruajne nje Histori per te gjithe Kombin shqiptar.
Zef Balaj says
Si mos te botohen librat e Uran Butkes sidomos Masakra e Tivarit.Ashte shkrue masakra e Tivarit edhe prej personit qe e ka perjetue.Po ai i ka pershkrue vujtjet qe i ka perjetue,por ai ishte jetegjate edhe jetoi per ti spjegue vujtjet.
Kurse Urani na vjen me dokumentime te arkivave dhe na percjell fakte se kushe e organizo dhe kush e urdhnoj qe te bahet kjo MASAKER.
Kurse edhe ma e forta ashte se e pagzoje LNC;me emenin e vertet L.C.SH.Si mundet te quhet CLIRIMTARE.Kur e gjithe bota e din se Amerika dhe Anglia u bane aleate per te thyemune Fashizmin dhe Nazizmin edhe e munden.Pra Rroma dhe Berlini i urdhnuen brigadate ushtarake qe te mbledhin ushtaret e tyne dhe materialin dhe te kthehen ne vendelindje sa ma shpejte.Si thote autori “po i kane vramune ndonji ushtar Gjerman o Italijan kur i kan nxanun shkretazi per me jau marrun rrobet”.
Po prej kujt me u clirue? Prej atyne qe ishin tuj u kthye ne shtepiat e tyne;pa bamun as nji dame po tuj lanune materiale te shumta dhe te majme.Ho SA ABSURDE L.N.C.
URAN te lumet ,te shpresojm se keto qeveri do ti bajne rinis se ardhshme dhe te bahet e domosdoshme qe keto libra te lexohen nga nxansit e shkollave(me detyrime).
Edhe nji her te LUMET.
Zef Balaj says
Nji korrigjim (u bane aleat me Bashkimin Sovjetik…)
dalip says
Ne te vertete jemi ne nje mendje i nderuar z. Balaj. Ne perfundim te shkrimit-Kronikes qe percjell veprimtarine e Vatres shkruhet:Ne pergjigje te titullit:Perse Vatra i promovoi keto dy libra te studiuesit Uran Butka? Per te percjelle dy mesazhe: Se pari:Ka ardhe koha qe Masakra e Tivarit te zbardhet nga historianet,pavaresisht implikimit te shtetit shqiptar ne aleance me ate Jugosllav. Nga ana e tij shteti i Kosoves te nderoje bijte e vet, te ndertoje nje Memorial ku te shkruhen emrat e viktimave dhe vendekzekutimi i te pafajshmeve te mund te tregoje krimet e komunizmit dhe nacionalizmit te shfrenuar.
Se Dyti, Per luften vetvrasese civile, ne Shqiperi,Historianet te clirohen nga vargojte e politizimit dhe te shkruajne nje Histori per te gjithe Kombin shqiptar, jo bardh e zi….