


Artistja Florentina Beck rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, platformën digjitale “Përshëndetje Fëmijë” për moshat 2-8 vjeç si një seri edukative-argëtuese në YouTube në gjuhën shqipe, ku përmban episode me gjërat bazike siç janë numrat, shkronjat, ngjyrat, format gjeometrike, planetët, emocionet etj. Kjo platformë e krijuar në bashkëpunim me bashkëshortin e saj Skender Beck jep mundësi për çdo fëmijë sidomos për fëmijët në diasporë që të mësojnë gjuhën, kulturën, historinë dhe traditën shqiptare. Me artisten Florentina Beck bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.
SI LINDI IDEJA PËR TË KRIJUAR NJË PRODUKSION PËR FËMIJËT?
Pikë së pari, faleminderit për ftesën dhe për interesimin tuaj për projektin tonë! “Përshëndetje Fëmijë” ka qenë ide e bashkëshortit tim, Skender Beck, tash një kohë të gjatë, dhe sidomos kur ne filluam të kërkonim video të tilla për fëmijët tanë Enry dhe Era, sepse donim që të ishin sa më afër gjuhës shqipe. Ne jetojmë në Los Angeles dhe këtu është një komunitet më i vogël i shqiptarëve, dhe gjithçka që i rrethonte ishte në gjuhën angleze. Po ashtu, duke parë që edhe në Kosovë dhe Shqipëri fëmijët janë të ekspozuar ndaj videove në gjuhën angleze, pikërisht nga mungesa e videove të tilla në gjuhën shqipe. Dhe duke qenë se ne jemi të dy artistë, atëherë vendosëm që të fillojmë këtë mision që e konsideroj shumë human së pari dhe së dyti shumë edukativ, që fëmijët tanë të mësojnë dhe të mburren me gjuhën shqipe!
“Përshëndetje Fëmijë” është një seri edukative-argëtuese në YouTube në gjuhën shqipe, ku përmban episode me gjërat bazike siç janë numrat, shkronjat, ngjyrat, format gjeometrike, planetët, emocionet etj., si dhe pjesën e kuizeve ku fëmijët mund të testojnë dijen që kanë marrë nga këto episode, si dhe këngë dhe gjithashtu “Përrallat e Natës” – rubrikë e veçantë para kohës së gjumit! Të gjitha materialet janë origjinale, të krijuara nga unë dhe Skenderi, dhe është një punë e madhe që bëhet prapa gjithë këtij projekti artistik!
ÇFARË SHTRIRJE, MBULIM DHE GJEOGRAFI FREKUENTIMI ONLINE KA NGA FËMIJËT SHQIPTARË?
“Përshëndetje Fëmijë” është një seri edukative-argëtuese për moshat 2-8 vjeç dhe mund të shikohet në YouTube anembanë botës. Ne jemi duke u rritur dhe zgjeruar çdo ditë e më shumë. Deri tani kemi arritur gjysmë milioni shikime. Natyrisht që shikueshmërinë më të madhe për momentin e kemi në Shqipëri dhe Kosovë, por po ashtu edhe në diasporë kemi shikueshmëri të madhe – në Gjermani, Itali, Slloveni, Australi – pothuajse në të gjitha vendet e botës ku ka shqiptarë. Në Amerikë mendoj që ende prindërit shqiptarë janë duke u njoftuar me këtë projekt dhe shpresoj që të jemi akoma më shumë të zgjeruar, sepse pikërisht ne që jetojmë në Amerikë e kemi shumë të nevojshëm këtë program!
A KENI MENDUAR TË HAPNI NJË SHKOLLË SHQIPE NË KALIFORNI PËRVEÇ VIDEOVE NË YOUTUBE?
Po, e kemi menduar dhe ende mendojmë që është diçka që duhet ta bëjmë patjetër. Por për momentin nuk kemi ende numrin e mjaftueshëm të fëmijëve për të filluar, dhe siç dihet, Kalifornia është shumë e shpërndarë, gjë që e bën pak më të vështirë organizimin. Megjithatë, jemi duke menduar që ta fillojmë një Kamp Veror Shqiptar, qysh këtë vit ose vitin tjetër. Do të na duhet mbështetje e plotë për këtë, sepse është një projekt që kërkon bashkëpunim, përkushtim dhe organizim nga të gjithë ne që duam ta ruajmë gjuhën dhe kulturën tonë.
SI NDJEHENI PAS KËTYRE MUAJVE DHE KËSAJ EKSPERIENCE UNIKE? CILAT JANË SFIDAT E SË ARDHMES?
Jashtëzakonisht e lumtur dhe e përmbushur shpirtërisht, sepse po shoh efektin pozitiv që ky projekt po ka tek fëmijët dhe prindërit. Çdo ditë marr mesazhe falënderuese nga prindërit dhe po ashtu kërkesa që të vazhdoj dhe të sjell episode të reja. Marr video të fëmijëve dhe kënaqësia është shumë e madhe kur i shoh sa kanë mësuar nga këto episode dhe sa janë duke u argëtuar me ne. Dhe po ashtu e di se ky projekt do të jetë online dhe i vlefshëm edhe për gjeneratat e ardhshme!
Sfidat e së ardhmes janë kryesisht financiare. Ky është një projekt shumë i kushtueshëm – nga skenari, regjisë, kamerës, montazhit, ndriçimit, zërimit, kompozimit të këngëve, animacioneve, e deri te xhirimet në studio – çdo detaj kërkon kohë, përkushtim dhe mjete. Deri më tani gjithçka është bërë vetëm me fondet tona personale, dhe e them me plot sinqeritet që nuk është aspak e lehtë. Dashuria për gjuhën shqipe dhe për fëmijët tanë na ka shtyrë ta vazhdojmë këtë rrugëtim, por për të ecur përpara dhe për ta ngritur këtë projekt në nivelin që e meriton, do të kemi nevojë për mbështetje konkrete.
NJË THIRRJE PËR MBËSHTETJE NGA BIZNESET, ORGANIZATAT, SHOQATAT, INSTITUCIONET SHTETËRORE NË KËTË NISMË EDUKATIVE E PATRIOTIKE
Kjo nismë ka lindur nga dashuria për gjuhën shqipe dhe për fëmijët tanë, dhe është ndërtuar me shumë mund, pa asnjë mbështetje të jashtme deri më tani. Gjithçka është realizuar nga dy prindër dhe artistë që kanë besuar se edhe fëmijët shqiptarë meritojnë përmbajtje cilësore në gjuhën e tyre amtare. Por tani ka ardhur momenti që kjo nismë të mos mbetet vetëm përpjekje personale.
Kemi nevojë për aleatë që e shohin vlerën dhe rëndësinë e këtij projekti. Mbështetja nga bizneset, organizatat, shoqatat dhe institucionet është thelbësore për të garantuar që “Përshëndetje Fëmijë” të vazhdojë të rritet, të pasurohet me përmbajtje të reja dhe të arrijë edhe më shumë fëmijë anembanë botës. Investimi në këtë projekt është investim në të ardhmen e fëmijëve tanë dhe në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim të sinqertë dhe afatgjatë me çdo institucion apo individ që beson në këtë mision.
NJË THIRRJE PËR MBËSHTETJE NGA PRINDËRIT NË KËTË PROCES EDUKIMI, NXËNIEJE DHE KOMUNITARIZMI
Edhe njëherë, ju falënderoj për ftesën! Është një nder i madh për mua të përmendem në gazetën tonë të dashur Dielli. Po ju drejtohem tash prindërve drejtpërdrejt: Të dashur prindër shqiptarë, ju ftoj të na ndiqni në kanalin tonë zyrtar në YouTube Përshëndetje Fëmijë, ta shpërndani faqen tonë sa më shumë me të gjitha familjet që kanë fëmijë dhe së bashku të kontribuojmë për një njohuri dhe edukim më të mirë në gjuhën shqipe. Mendoj që është obligim i yni si prindër që fëmijët ta njohin gjuhën, vendin dhe të jenë krenarë me rrënjët e tyre!
Nëse edhe ju jeni në kërkim të përmbajtjes edukative, argëtuese dhe të dashur për fëmijët tuaj, në gjuhën shqipe – atëherë jeni në vendin e duhur. “Përshëndetje Fëmijë” nuk është vetëm një seri në YouTube. Është një projekt i krijuar me zemër, një mision për t’i afruar fëmijët tanë me gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë, kudo që ata rriten – në Shqipëri, Kosovë, diasporë apo SHBA. Çdo episod është punuar me dashuri, profesionalizëm dhe përkushtim. Ne u mësojmë fëmijëve numrat, ngjyrat, format, emocionet, profesionet, kafshët, frutat dhe shumë më tepër – përmes këngëve, animacioneve dhe kuizeve që i bëjnë të mësojnë duke u argëtuar. Na ndihmoni ta shpërndajmë këtë projekt që synon ta ruajë gjuhën tonë, që është një thesar i vërtetë. Abonohuni, ndani episodet me miqtë tuaj. Ky projekt është për fëmijët tanë – për të ardhmen tonë. Le të rrisim së bashku një brez që flet, mendon dhe ëndërron në shqip!
NA NDIQNI NË YOUTUBE:
Na ndiqni në Instagram:
Faqja zyrtare: