
Rafaela Prifti/
Një bllok i vogël kapak-zi me logon e AFC-së në tavolinat e bardha të sallës së gjimnazit Boston College High School u bë një simbol të dyfishtë – dije dhe origjinë – në pasditen bashkëbiseduese për gastroenterologjinë të nikoqirëve nga Albanians Fighting Cancer (AFC) dhe mjekëve të ftuar të Shoqatës Gastrointestinale Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Gastrointestinal Association AAGA) me komunitetin shqiptar, ditën e shtunë, më 4 prill, në Boston. “Efekti anësor i prezantimeve” të specialistëve ishte paraqitja e temave në gjuhën amtare, gjë që, për tre prej mjekëve në panel, të ardhur në Amerikë në moshë shumë të njomë, ishte përvojë e re. Anëtari i Bordit, mjeku Agim Aliaj, në cilësinë e moderatorit, u ndal tek mesazhi prekës i videos hyrëse të takimit për të shpjeguar zanafillën e AFC-së. Duke e lidhur videon me konceptin e “afërsisë me njëri tjetrin” në momente kyçe të jetës, ai udhëhoqi bisedën dhe diskutimin, duke e ruajtur dhembshurinë njerëzore si boshtin qendror të pasdites.
Projektori gjigand në faqen e murit përballë, podiumi, stendat anash panelit me logot e secilës shoqatë, flamurët, tavolina e sponsorëve aty pranë, vazot me buqeta të freskëta në sallën me rreth 120 pjesëmarrës përfshirë edhe studentë të interesuar për fushën e mjekësisë ishin si shenjëza mirëseardhjeje në një takim ku prisje të merrje njohuri, por edhe të ishe pjesëmarrës në bisedë.
Shoqata gjashtëvjeçare AFC, e krijuar dhe drejtuar nga Roberta Panariti Nashi, dhe Shoqata e Gastrointensinale Shqiptare Amerikane AAGA, krijuar vitin e kaluar nga Dr. Zana Nikolla, u bashkërenduan, dhe në sajë të grupit të punës të Anilës, Zanës, Elisës, arritën një bisedë të nivelit të një seminari mjekësor. Për sa i takon rritjes së ndërgjegjësimit, Dr. Nikolla përmendi se muaji mars i kushtohet vetëdijesimit për kancerin kolorektal. Sindroma e zorrës së irrituar (IBS) dhe aciditeti i shtuar përfshirë GIRD, prezantuar nga Dr. Lidia Spaho nga Çikago, shkaqet dhe shqetësimet e konstipacionit diskutuar nga Dr. Ergen Musa nga Nju Hampshire, njohuritë dhe studimet më të reja për hepatitin dhe mëlçinë sjellë nga Dr. Zana Nikolla nga Nju Jorku dhe paraqitja shumë e detajuar e endoskopive të avancuara nga Dr. Manol Jovani nga Florida vunë theksin tek dy gjëra: kujdesi proaktiv dhe depistimi (testimet). Dr. Olga Ndoci Ndreko, DPT nga Usteri, me shumë këmbëngulje, theksonte se për shumicën e çrregullimeve të sistemit tretës, që lidhen me fundin e legenit: “Terapia fizike duhet të jetë ndalesa e parë, jo e fundit!”
Udhëzimet e mjekëve për shëndetin e sistemit tretës fillojnë nga dieta, në veçanti marrja e fibrave përmes një konsumimi të pasur me fruta, perime, bishtajore dhe drithëra integrale që është jetik për prebiotikët të cilët ushqejnë bakteriet e mira, stili i jetesës që ndikon thellësisht në mirëqenien e sistemit tretës, hidratimi dhe ngrënia me vetëdije, menaxhimi i stresit, boshti zorrë-tru është një sistem komunikimi me dy-kahe, reduktimi i stresit që përbën një element jetik për të lehtësuar problemet funksionale gastrointestinale si IBS, dhe rëndësia e aktivitetit fizik ditor.
Mesazhi kryesor: Sistemi tretës nuk është thjesht një kombinim organesh për procesimin e ushqimit, por një ekosistem kompleks i lidhur me shëndetin metabolik dhe atë imunitar, meqenëse rreth 70% e imunitetit tonë gjendet në zorrë. Pas prezantimeve, që vazhduan rreth dy orë, vijuan pyetjet për mjekësinë konvencionale dhe atë të modernizuar, vendi që pritet të ketë AI në diagnostikimin mjekësor etj., edhe më tej me biseda “tek e tek” me mjekët e ftuar. Më pas, në pjesën tjetër të sallonit, nga krahu i dritareve të larta nga-toka-në-tavan, ishin shtruar tavolinat me specialitete shqiptare nga Maria’s Trattoria dhe Shkodra Byrek, të sponsorizuara nga TissueCypher krijuar prej kompanisë Castle Biosciences, Inc.
Roberta Nashi shprehu mirënjohje për bujarinë e mjekëve dhe sponsorëve si edhe të gjithë pjesëmarrësve në bashkëbisedimin e së shtunës. Ajo theksoi se “fondet e këtij takimi do përdoren për ecurinë e nismës sonë për të kompletuar pavijonin onkologjik të Spitalit Rajonal të Korçës, që sapo e pajisim me aparatura dhe që do vijojmë ta furnizojmë me pajisje të tjera të nevojshme.”
Foto nga Artan Malaj