
Artan Nati/
Në debatin publik shqiptar ndodh shpesh një paradoks komod: ne gëzojmë rehatinë e opinionit, por shmangim shqetësimin e mendimit. Opinionet prodhohen me shumicë në studio televizive, në rrjete sociale dhe në tavolina kafenesh, ndërsa mendimi kritik, mbetet luks i rrallë. Kështu krijohet një kulturë ku bindjet janë të forta, por arsyetimet shpesh të dobëta. Në historinë moderne shqiptare mitet kanë ndryshuar vetëm kostumin. Dikur shoqëria rrotullohej rreth mitit të beut dhe bajraktarit, komunizmi e zëvendësoi atë me mitin e familjes së dëshmorit. Pas vitit ’90 erdhi një tjetër figurë simbolike: politikani i forte, në thelb një përzierje moderne e beut dhe bajraktarit, si edhe oligarkut, që nuk dihet si e ka krijuar pasurinë. Personazhet ndryshuan, por mekanizmi mbeti i njëjtë. Shqipëria nuk kaloi nga kultura e mitit te kultura e analizës, por thjesht ndërroi mitologjinë. Në vend të mendimit kritik, vazhdoi prodhimi i figurave të paprekshme. Me pak fjalë, tranzicioni shqiptar nuk ishte një kalim nga miti te kritika, por një riciklim i rregullt i miteve.
Në këtë klimë lulëzojnë mitet. Ato janë të rehatshme, të njohura dhe nuk kërkojnë verifikim; mjafton t’i përsërisësh. Sa më shumë përsëriten, aq më shumë duken si të vërteta. Faktet e reja nuk përdoren për të ndryshuar mendimin, por për t’u futur me zor në interpretimet e gatshme. Një lloj dembelizmi intelektual që qetëson ndërgjegjen dhe ushqen patriotizmin e pseudo-intelektualëve. Rezultati është i dukshëm: debati publik nuk kërkon të vërtetën, por mbrojtjen e mitit të radhës, qoftë ai i historisë, i heroit apo i politikës. Dhe kur një shoqëri mbron më shumë mitet sesa faktet, ajo rrezikon të jetojë në një realitet paralel: me opinione shumë të forta, por me mendim tepër të brishtë.
Në debatin publik shqiptar ekzistojnë disa mite historike dhe shoqërore që trajtohen pothuajse si dogma. Ato nuk diskutohen, nuk rishikohen dhe rrallëherë analizohen me qetësi kritike. Problemi nuk është se shoqëritë nuk kanë mite, çdo komb ka narrativat e veta themeluese, por se në rastin shqiptar ato shpesh funksionojnë si pengesë për vetëkritikën dhe, rrjedhimisht, për procesin e europianizimit. Në debatin publik shqiptar qarkullojnë disa mite të rehatshme që funksionojnë si një manual vetëkënaqësie kombëtare. Miti i parë: shqiptarët janë “europianë që në gjak”. Europa paraqitet si një tipar biologjik, jo si një kulturë institucionesh, ligjesh dhe rregullash. Kështu ne shpallim përkatësinë europiane me pasion, ndërsa standardet europiane i trajtojmë si detaje teknike.
Miti i dytë: viktima e përhershme historike. Në versionin tonë të historisë, fajtorët janë gjithmonë të tjerët: perandoritë, fqinjët, fuqitë e mëdha. Kur përgjegjësia është gjithmonë jashtë nesh, vetëkritika bëhet e panevojshme. Miti i tretë: heroi i pagabueshëm. Figurat historike shpesh trajtohen si ikona të shenjta, jo si personazhe historike. Kritika shihet si herezi, ndërsa analiza zëvendësohet nga adhurimi. Miti i katërt: uniteti i përjetshëm kombëtar. Retorika thotë se shqiptarët janë gjithmonë të bashkuar, realiteti politik tregon se ndarjet janë pothuajse një institucion më vete.
Miti i pestë: populli “i zgjuar që gjithmonë e gjen rrugën”. Në këtë filozofi popullore, improvizimi zëvendëson institucionet dhe zgjuarsia individuale shpallet më e rëndësishme se rregullat.
Problemi nuk është që këto mite ekzistojnë, por që ato përdoren si një mënyrë elegante për të shmangur mendimin kritik. Europianizimi nuk është slogan identitar, por është një proces i lodhshëm institucionesh, rregullash dhe përgjegjësish. Prandaj edhe figurat historike në Shqipëri shpesh trajtohen në dy ekstreme: ose si heronj të paprekshëm, ose si fajtorë absolutë. Ndërsa në shumicën e vendeve perëndimore, figurat historike analizohen ndryshe: si produkte të kohës së tyre, me merita reale dhe me kufizime po aq reale. Dhe pikërisht ky realizëm kritik është, në fund të fundit, një nga shenjat më të qarta të një kulture politike europiane.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu: strategu dhe miti
Ana pozitive është e qartë. Skënderbeu do të konsiderohej në historiografinë perëndimore si një strateg ushtarak i rëndësishëm i shekullit XV dhe si një figurë që organizoi një rezistencë të qëndrueshme kundër Perandorisë Osmane. Aftësia për të krijuar aleanca dhe për të mbajtur një koalicion të brishtë princash shqiptarë për dekada do të shihej si një sukses politik i rëndësishëm.
Por në Perëndim, ai do të analizohej edhe si një princ tipik i Mesjetës, i përfshirë në lojën e ndërlikuar të aleancave me Venedikun, Napolin apo Vatikanin. Studiuesit do të theksonin pragmatizmin e tij politik, interesat dinastike dhe faktin se luftërat e tij ishin pjesë e një konteksti më të gjerë mesjetar, jo thjesht një epikë kombëtare. Pra, figura e tij nuk do të zvogëlohej, por do të çmitizohej nga aureola e paprekshmërisë.
Ismail Qemali: arkitekti dhe realiteti i shtetit të brishtë
Në analizën perëndimore, Ismail Qemali do të konsiderohej si një diplomat dhe politikan i aftë që shfrytëzoi një moment historik të favorshëm për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912. Aftësia e tij për të naviguar mes interesave të Perandorisë Osmane dhe Fuqive të Mëdha do të shihej si një akt i rëndësishëm politik. Por po aq qartë do të theksoheshin edhe kufijtë e projektit të tij. Shteti shqiptar që lindi nga kjo pavarësi ishte i dobët institucionalisht, i varur nga diplomacia ndërkombëtare dhe i përfshirë në rivalitete të forta të brendshme. Në historiografinë perëndimore, kjo nuk do të shihej si dështim personal i tij, por si dëshmi se shpesh themeluesit e shteteve janë më shumë simbolikë sesa arkitektë të plotë të institucioneve.
Ahmet Zogu: modernizuesi autoritar
Në një analizë perëndimore, figura e Ahmet Zogut do të shihej si ajo e një modernizuesi autoritar tipik të Evropës Juglindore në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore. Ai do të vlerësohej për stabilizimin e një shteti të brishtë, për krijimin e institucioneve të para moderne dhe për përpjekjet për centralizimin e pushtetit. Por në të njëjtën kohë do të kritikohej për autoritarizmin, për kultin personal të pushtetit dhe për varësinë e madhe ekonomike e politike nga Italia. Në shumë vende perëndimore ai do të krahasohej me figura të ngjashme të epokës, sundimtarë që modernizuan shtetin, por duke kufizuar demokracinë.
Fan Noli: ideali dhe kufiri i politikës
Në Perëndim, Fan Noli do të shihej si një intelektual i jashtëzakonshëm: një figurë poliedrike – peshkop, përkthyes, historian, politikan dhe reformator kulturor. Kontributi i tij në kulturën shqiptare do të konsiderohej i jashtëzakonshëm. Por një analizë kritike do të vinte në dukje edhe kufirin e tij si politikan praktik. Revolucioni i vitit 1924 dhe qeverisja e shkurtër do të interpretoheshin si një projekt idealist që nuk arriti të ndërtojë një bazë të qëndrueshme pushteti. Në historiografinë perëndimore kjo nuk do të ishte një dështim moral, por një shembull i tensionit klasik mes intelektualit vizionar dhe realitetit të politikës.
Ismail Kadare: shkrimtari mes letërsisë dhe sistemit
Në Perëndim, Ismail Kadare do të analizohej kryesisht si një shkrimtar i madh europian që përdori alegorinë dhe historinë për të krijuar një univers letrar unik. Romanet e tij do të vlerësoheshin për dimensionin estetik dhe për mënyrën se si trajtojnë pushtetin, frikën dhe absurditetin e historisë. Por njëkohësisht do të studiohej edhe marrëdhënia e tij me regjimin komunist, një temë që në Perëndim trajtohet shpesh për shkrimtarë që kanë jetuar në sisteme autoritare. Në këtë kuptim, Kadareja do të vendosej në të njëjtin debat që përfshin edhe shumë autorë të Europës Lindore: si të gjykohet një vepër e madhe që ka lindur brenda një sistemi represiv.
Një dallim kulturor
Në fund, dallimi kryesor nuk qëndron tek figurat, por tek mënyra se si shoqëritë i trajtojnë ato. Në kulturën perëndimore, figurat historike janë të mëdha pikërisht sepse diskutohen pa frikë. Kritika nuk i rrëzon ato; përkundrazi, i vendos në dimensionin e tyre real historik. Ndërsa në kulturën shqiptare shpesh ekziston frika se kritika e figurave historike mund të dobësojë identitetin kombëtar. Por ndoshta ndodh e kundërta: një histori që pranon kompleksitetin e saj është gjithmonë më e fortë se një histori e mbështetur vetëm mbi mite.
Në Shqipëri kemi përballuar përmbysje regjimesh, kemi ndërruar sisteme, kemi kaluar nga izolimi total në hapje të menjëhershme, nga bustet në sheshe te bustet në magazina. Kemi përjetuar tranzicione politike që kanë tronditur ekonominë, institucionet dhe jetët private. Por ka një tronditje që do të ishte më e thellë se çdo rotacion pushteti: pranimi i qetë i gabimit kolektiv.
Nëse një ditë shqiptari do të thoshte jo vetëm “mund të kem gabuar”, por edhe “ndoshta kemi gabuar si shoqëri”, “ndoshta kemi gabuar në histori”, “ndoshta fajin më të madh e kemi ne dhe kultura jonë”, kjo do të prekte jo thjesht politikën, por themelet psikologjike të identitetit tonë.
Transformimi i një shoqërie nis pikërisht kur ajo arrin ta shohë veten pa filtra glorifikues apo demonizues. Kur pranon se historia e saj është njerëzore, ajo fiton diçka thelbësore: aftësinë për të mësuar.
Një shoqëri që e sheh historinë vetëm si epope rrezikon të përsërisë gabimet, sepse nuk i njeh ato. Një shoqëri që e pranon kompleksitetin, ndërton institucione më të forta, debat më të pjekur dhe vetëdije më kritike. Pranimi se historia nuk është vetëm legjendë, por edhe gabim, nuk e zvogëlon kombin. Përkundrazi, e çliron nga nevoja për të qenë i pagabueshëm. Dhe pikërisht aty fillon moderniteti: kur identiteti nuk mbështetet mbi mitin e pastër, por mbi vetëdijen e sinqertë.