
† THEOFANI
Nga Mëshira e Perëndisë
dhe i Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikave
LETËR BARITORE
LINDJA E KRISHTIT 2023
Klerikëve të nderuar dhe besimtarëve të krishterë ortodoksë, bij dhe bija anëtarë, mbështetës, dashamirës dhe miq të Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikave.
Hir, Mëshirë, Paqe dhe Gëzim nga Zoti ynë Jesu Krisht dhe nga ne, bekime atërore!
“Unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti”. (Luka 2:10-11)
Festa që po vjen para nesh përfaqëson përmbushjen e besëlidhjes midis Perëndisë dhe njerëzve. Foshnja Jesu, lindur në një grazhd në Betlehem, ndriçon jetën e secilit prej nesh dhe të gjithë botës, sepse edhe vitet janë shenjtëruar duke i numëruar nga Lindja e Zotit tonë Jesu Krisht. E gjithë krijesa mrekullohet me misterin e zbritjes së Perëndisë tek ne dhe dridhet nga përulësia e treguar nga Biri i Perëndisë, Ai që u lind në trup nga Nëna e Perëndisë dhe Gjithmonë Virgjëresha Mari.
Lindja e Krishtit Shpëtimtar, të cilën e gjithë krijesa gëzon, na bën të reflektojmë më thellë mbi misterin e Mishërimit, sepse mënyra e bashkimit të dy natyrave, Hyjnore dhe Njerëzore, në Personin e vetëm të Birit të Perëndisë, është modeli i unitetit të Kishës. Duke qenë një kungim teandrik, Kisha është Trupi mistik i Krishtit, në të cilin uniteti i besimtarëve imiton unitetin e Trinisë së Shenjtë. “Tubimi në Kishë është mbi të gjitha Misteri i dashurisë. Ne shkojmë në kishë për dashuri, për dashurinë e re të Vetë Krishtit, që na është dhënë në unitetin tonë”. (At Alexander Schmemann)
Nëpërmjet Mishërimit të Tij, Krishti Zot mori “zgjedhën e njerëzimit”, duke marrë në veten e Tij trupin universal të Kishës; “Ai nuk mori trupin e qiellit, por trupin e Kishës. Qielli është për Kishën dhe jo Kisha për qiellin”. Kreu i Kishës është Krishti Zot, i Cili u bë Njeri! Ai qëndron në lidhje të përjetshme
me njerëzimin dhe banon nëpërmjet Shpirtit në zemrat tona, “që, duke e pasur Atë në ne, të thërrasim me zë të lartë: “Avva! (At!)”, ne të mund të arrijmë lehtësisht në gjithë virtytin dhe, veç kësaj, të qëndrojmë të fortë dhe të pamposhtur përballë dredhive të djallit dhe kundërshtimeve”. (Shën Kirili i Aleksandrisë, Komente mbi Ungjillin e Shën Joanit, X, II, f. 983).
Shumë të dashur në Krishtin Jesu,
Uniteti shpirtëror i Kishës, i dhënë nga Krishti Zot në Frymën e Shenjtë, merr një përgjegjësi të madhe nga ne. Deklarata e njohur e Shën Qiprianit të Kartagjenës që thoshte: “Extra Ecclesiam nulla Salus”! (Jashtë Kishës nuk ka Shpëtim!), shpreh vërtet mësimin e Shpëtimtarit Jesu Krisht; se jashtë bashkimit të dashurisë, bazuar në besimin e drejtë, nuk ka Shpëtim. Çdo person, si anëtar i Kishës, jo vetëm që duhet të kujdeset për veten e tij, duke u ruajtur nga mëkati si dobësim i Unitetit Kishtar, por ai duhet të kujdeset për të afërmin e tij me përgjegjësi dhe dashuri sakrifice, siç na mëson Apostulli i Shenjtë Pavli: “Ecni denjësisht, sipas thirrjes me të cilën jeni thirrur, me gjithë përulësinë dhe butësinë, me durim të gjatë, duke falur njëri-tjetrin me dashuri, duke u detyruar të ruani unitetin e Shpirtit, në lidhjen e paqes. Është një Trup dhe një Shpirt i vetëm, ashtu siç u thirrët për një shpresë të vetme të thirrjes suaj; është një Zot, një besim, një pagëzim, një Perëndi dhe At i të gjithëve, i Cili është mbi të gjitha, përmes të gjithave dhe në të gjitha. Dhe secilit prej nesh na u dha Hiri sipas masës së dhuratës së Krishtit”. (Efesianëve 4:2-7).
Uniteti i Kishës duhet të jetë një model për unitetin shoqëror. Ashtu si dashuria hyjnore e shfaqur në personin e Shpëtimtarit Jesu Krisht është në themel të Kishës, ashtu edhe dashuria ndaj të afërmit është në themel të unitetit të Kombit, fakt për të cilin ne ndërmjetësojmë në Liturgjinë Hyjnore: “Duke lypur bashkimin e Besës dhe pjesëmarrjen e Shpirtit të Shenjtë, veten tonë dhe njëri-tjetrin, dhe gjithë jetën tonë, Krishtit, Perëndisë, le t’ja parashtrojmë “. (Liturgjia Hyjnore e Shën Joan Gojartit)
Festa e Lindjes së Zotit, e Vitit të Ri dhe e Pagëzimit të Zotit (Theofanisë), t’ju sjellë shumë paqe, shëndet, gëzim të bollshëm dhe forcë në shpirtrat tuaj!
Krishti u Lind, Lavdërojeni! Krishti është në tokë, lartësojeni!
I juaji me lutje në Zotin dhe Perëndinë e porsalindur Jesu Krisht, Shpëtimtarin tonë,
+Theofani
i Filomilisë dhe Dhioqezës Ortodokse Shqiptare të Amerikave