
Të Martën në mesditë, 10 Mars 2020, Kryetari i Akademisë së Artit, Shkencës dhe Letrave”Mirdita” piktori Pjetër Marku, vizitoi selinë e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës “VATRA”. Ai u prit nga anëtari i kryesisë së Vatrës, Zef Balaj dhe Asllan Bushati. Editori i Diellit e njohu mysafirin me historinë dhe veprimtaritë e Federatës Vatra për gjatë 108 viteve si dhe historinë 111 vjeçare të gazetës’Dielli”.

Mysafiri prezantoi aktivitetin e Akedemisë”Mirdita” e cila ka si qëllim që të bëjë bashkë mirditorët, kudo ku ata jetojnë, në vendlindje e në mërgim. Përmes veprimtarive dhe revistës “Mirdita” synon që të bashkojnë personalitetet dhe krijuesit e të gjitha fushave, pavarësisht ku ata jetojnë.
Kryetari i akademisë”Mirdita” dhuroi për bibliotekën e Vatrës 5 numrat e fundit të revistës së ilustruar 3 mujore “Mirdita”.
Një dhuratë e çmuar për bibliotekën e Vatrës ishte edhe Albumi me piktura dhe Grafika të përzgjedhura të piktorit Pjetër Marku, Kryetar i akademisë”Mirdita”.
Anëtari i kryesisë së Vatrës, biznesmeni Zef Balaj, pranoi “Mirënjohjen e Artë” që Akademia”Mirdita” ia dhuroi Vatrës.
Kryetari i Akademisë “Mirdita”, piktori Pjetër Marku, ndër të tjera, shkroi në librin e mysafirëve:”O sa i lumtur u ndjeva sot në selinë e Vatrës Shqiptare në Nju Jorkun e mrekullueshëm.Njohja e historisë së kësaj Vatre historike është impresionuese. Vetë Vatra është mbreslënse, patriotike, atdhetare, besëlidhëse, fjalëmbajtëse, e ngrohtë , e zjarrtë, e lartësuar në kujtesën shqiptaro-amerikane. Vatra, më shumë se shoqatë, më shumë se bashkim,-vatranët, më shumë se të dashuruar me Atdheun. Faleminderit atdhetar Zef Balaj, Asllan Bushati për mikpritjen, faleminderit Dalip Greca për përcjelljen e historisë së Vatrës Atdhetare. E kam prekë me shpirt sot në këtë vizitë të paharruar, Vatrën e Shqiptarëve të Amerikës….Kryetari i akademisë”Mirdita” shoqërohej në vizitën e tij nga Vat Biga dhe i biri.



