…Pushteti absolut i kryetarëve të partive i ka shëndërruar në pushtetar përbindësha politik që pushtojnë, dhunojnë, shantazhojnë e kontrollojnë të gjitha institucionet e varura, të pavaruara, kushtetuese dhe ligjzbatuese në Shqipëri. /

Shkruan: Sokol PAJA / DIELLI/
Marrëveshja zgjedhore mazhorancë-opozitë në Këshillin Politik ishte një tjetër dështim për progresin elektoral demokratik në Shqipëri. Palët u morën vesh për të mos u marrë vesh. Palët politike jo vetëm që nuk zgjidhën asnjë çështje bazike që ka minuar procesin politik dhe demokratik të zgjedhjeve në të kaluarën, por shtuan edhe më shumë rrugë qorre, në një rrugë pafund e pa krye. Palët ranë dakord që do bëjmë përsëri sherrnajë në zgjedhjet e ardhshme. Problem në Shqipërinë politike është pushteti i jashtëzakonshëm i kryetarëve. Fryma totalitariste e drejtimin të partisë, funksionimit të strukturave, asgjësimi i mendimit ndryshe, mungesa e garës reale në zgjedhje brënda partisë, paracaktimi i fituesit në çdo betejë, katapultimi i individëve pa kontribute, pa histori, pa identitet politik në kapilarët e pushtetit dhe të fuqisë politike. Dalja nga boshti ideologjik dhe programor i partive: Të majtët në Shqipëri kanë program të djathtë, të djathtët kanë program të majtë, konservatorët janë liberalë dhe liberalët janë kryekëput konservatorë. Administrimi i zgjedhjeve nga njerëz me pushtet politik do të sjellë gjithmonë sherrnajë të tejzgjatur duke e bërë Shqipërinë si vendin më të fundit në Evropë për administrimin e zgjedhjeve dhe shpalljen e fituesit. Panorama zgjedhore në Shqipëri paraqet gjithmonë përplasje, sherr, dhunë, tymnajë e pakuptimtë, manipulim, trafik i votave nga të vegjlit te të mëdhenjtë: Deformim i pastër në tavolinë. Krim i shumëfishtë zgjedhor i kryer në bashkëpunim dhe në marrëveshje të plotë nga partitë e mëdha.
Probleme të skenës politike

Problemet më të rënda të jetës politike në dëm të interesit publik janë: trafiku i deputetëve, deformimi kriminal i vullnetit të zgjedhësve: një përfaques i vullnetit të popullit qëllon të ndërrojë 3 herë përfaqësimin politik sipas interesave personale. Mosmbajtja e premtimeve ekskluzive më të cilat erdhi në pushtet një forcë politike e caktuar. Morali i munguar i partive të cilat edhe kur nuk mbajnë premtimet dhe kur bëjnë operacione plastike të disa projekteve të zhvillimit, shfajësohen duke thënë se i penguan ata që ikën. Si mundet të të pengojë dikush që nuk është më? Si mund të të pengojë ajo që nuk ekziston? Zgjedhësit nuk reagojnë, veprojnë në tym, të shushatur e tolatur, votojnë qorrazi. Elektorati harron shpejt. Miratimi i një reformë më disa pika në ajër është shmangie nga thelbi real i problemit të zgjedhjeve në Shqipëri. Aq kohë sa nuk ndalohet dhe ndëshkohet shitblerja e votës, presioni mbi zgjedhësit, shantazhi ndaj votuesve, kërcënimi i administratës për të mbështetur qeverinë, largimi i çunave problematikë nga qëndrat e votimit, dekrimanilizimi i garuesve në zgjedhje, financimi i partive dhe fushatave elektorale, largimi i partive nga të fortët, parelinjtë dhe njerëzit me rekorde dhe afrimi i partive me profesoriatin e botës akademike shqiptare, specialistët e tregut, dhe njerëz të spikatur dhe veprimtarë me ndikim në shoqëri, kurrë nuk mund të themi se kemi riparuar diçka. Marrëveshje me detyrim nga ndërkombëtarët jo vetëm që nuk zgjidh asnjë problem, por thjeshtë i sposton ato në shtegun e zgjedhjeve të ardhshme. Sa herë që në Shqipëri nuk do bëhet garë reale vlerash në zgjedhje, kurrë sdo kemi zgjedhje model por kinezërira të turpshme alla shqiptare që do minojnë procesin demokratik dhe të lirë të zgjedhjeve në Shqipëri.

Shqipëria ka nevojë që në parlament të ketë profesionistë të shkëlqyer, specialistë të aftë, veprimtarë patriotë, përfaqësues me dinjitet dhe integritet moral dhe profesional që debatojnë për pë çështjet më të rëndësishme dhe projektet zhvillimore të shtetit, jo manekinë që ngrejnë apo ulin kartonët sipas rastit. Shqipëria ka nevojë për një garë reale vlerash, individësh të spikatur, projektesh për shvillimin e vëndit, jo për retorika boshe, fjalor banal rrugësh e akuza të ndërsjellta politike të rëndomta.
Listat e mbyllura që dërgohen në mesnatë në KQZ kanë prodhuar individë qesharakë me pushtet dhe institucione qesharake. Papërgjegjshmëria politike dhe listat klienteliste kanë bërë që të kemi parlamentin më të rëndomtë në planet. Parlamenti sot rrezaton injorancë dhe mediokritet ulëritës. Duke parë deputetët e sotëm në Parlament, a e imagjinoni si do njehej sot Ismail Qemali, At Gjergj Fisha, Luigj Gurakuqi, Dom Nikoll Kaçorri, Dom Ndre Mjeda, Eqerem Bej Vlora, Ahmet Zogu, Lef Nosi, Hasan Prishtina, At Anton Harapi etj? një turp kombëtar. Nëse ky pseudo Parlament do ekzistonte në Evropën perëndimore, qytetarët do i vinin flakën.
Pushteti absolut i kryetarëve të partive i ka shëndërruar në pushtetar përbindësha politik që pushtojnë, dhunojnë, shantazhojnë e kontrollojnë të gjitha institucionet e varura, të pavaruara, kushtetuese dhe ligjzbatuese në Shqipëri.