Familja Cekaj në Nju York njoftoi se ka pushuar së rrahuri zemra e njeriut të tyre të dashur Luigj Cekaj. Poeti ynë i talentuar shkoi të pushoi!
Vatra dhe Dielli i përcjellin ngushëllimet më të thella familjes, miqëve, dhe gjithë të dashurëve të Luigjit.
Në vend të homazhit zgjodhëm nga arkivi i Diellit një poezi të Luigjit kushtuar Shkodrës, që ai e deshi me shpirt.
Pusho në Paqe poeti ynë i dashur !
LUIGJ CEKAJ
SHKODRA I MJAFTON VETEVETES
Shkodra është një qytet,
Që sikur “I mjafton vetvetes”…
Shkruante dikur historian anglez Edward Gibson,
Tek një kryevepër historike.
Ndërsa pushtetarët e sotëm,
Si për t’i shërbyer deri në mbarim së keqes,
Buzë liqenit të këtij qyteti
Sikur dhe paraflasin
Duan të ngrejnë agregate atomike!
A thua se qyteti; ashtu “sikur i mjaftonte vetvetes”?!
Nuk i dilnin, madje i stërtepronin
Edhe hallet e veta aq sa duhej…?
Duke pasur parasysh se po të shpërthenin rezervuarët
E lumit të rrëmbyshëm të Drinit,
Apo, larg qoftë, sikur të thyhej diga e Vaut të Dejës,
Shkodra do të mbytej deri në katin e tretë të Hotel Turizmit…
Pastaj, të gjitha këto, si punë shkuesish homoseksuale,
Sikur nuk ndodhin krej rastësisht..!
Në të kundërt ngjajnë, kur Migjeni s’jeton më, as si poet dhe as si shejt!
Veçse zëri i tij, edhe prej varrit, sikur na kujton kohën, kur egërsisht
Të gjithë fëmijët e shqiptarëve, si për t’u mësuar me luftrat
Tek të “Korrat e Migjenit”:
“Oh, oh, psherëtinin qosheve, gati si shpirtra të vdekur…
Se tash kena me u msue edhe me hangër hekur…”
***
Oh, oh, sikur rimallkojnë prapë shtetin,
Të gjithë vogëlushët, pa përjashtim të shkodranëve!
Teksa dëgjojnë gjithëfarë lloj- lajm-shpifjesh si të tjera botshme
Tashmë edhe në kohë moderne,
Kur krejt si Çernobilasit e Majakovskëve,
Ne do të mësohemi që ashtu si me hekur,
Të ushqehemi edhe me energji bërthamore!
Para shumë vitesh, si të avulluara, Shkodra,
Si e ngrime akull prej dëborës,
Ndëgjonte si në heshtje edhe këtë vendim
të Komitet-Qendrorëve!
Se këtej e tutje, njerëzit, ashtu si dhe kuajt,
Do t’i përviheshin vetëm kullotjes së barit!
Dhe tamam në dimrin e shumë uritur të ’85-ës,
Vetë, si një lypës ordiner, qëndroja në Serreq tek radha e bukës.
Pothuajse fytyrë për fytyrë me zotin Xhenarin Topallin…
Por edhe kjo krizë tepër e rëndë , dhe si e nënkuptuar ndryshe,
Edhe si një fund dështimi i të gjitha manovrave politike;
Sikur kaloi pa bujë e zhurmë, ashtu si kalohej në heshtje edhe kufiri, kur ikje…
Dhe shkodranë-malësorët e irrituar, si kurrë më parë prej krimesh,
Iknin, porse gjaku i tyre Ilir, si i kthyem në ujë prej dhimbjeve,
Sa herë vinte vera te plazhi i vjetër i Shirokës,
dukej sikur valevinte…
Mandej prapë edhe më vonë, edhe në kohra të tjera, si më e serta,
Kur kryeqytetin e veriut shqiptar, sikur e zuri gripi i qeverive,
Dhe pushtetin, si Makbethë të rinj, e uzurpuan ish bijtë e komunistëve –
Të cilët në çast veshën dorza si të errëta ambasadorësh ,
Bile edhe u vetëzgjodhën si ministra…
Si për t’i maskuar fytyrat me portrete njerëzish të ndershëm dhe të pafajshëm.
Si kryetare e Parlamentit shqiptar fatmirësisht qëlloi që zgjodhën Xhozefina Topallin.
Tashti sikur dihet mirë, se për ne shqiptarët, si xhentëlmenë dhe…
Si mikpritës,
As një vdekje më të turpshmë nuk ka ,
Se kur të zotëve të shtëpisë u mungon deri edhe buka e krypa te bufeja,
Si për të pritur bujarisht tek sofra miqët …
Por edhe kjo si kryetradita jonë më e bukur prej atyre u minua,
Sepse te vendi i saj buzë banketit, si për të hëngër krena njerëzish
Sikur u parashfaqën frikshëm dhëmbët e centraleve atomike.
Dhe në fund, si për shqyrtim dhe si për të vënë sipër një kapak arkivoli i të gjithë çështjes…!
Të gjitha këto si mashtrim- hile në emrin e qytetit tim i denoncoj tek Amerika
Dhe pasi të bëj një protestë me shkrim, edhe tek presidenti im, Barak Obama,
Urgjentisht do të kërkoj edhe si një pikëmbështetje të dytë tek NATO-ja ,
Si tek një pakt tashmë edhe i yni, që sikur u përket të dy det-Oqean,
… Atlantikut dhe Adriatikut…
Por nëqoftëse kërkesa ime, do të rispiunohet prej ”zonjës Europë” si anashjuridike …..
Vetëm që të shpëtoj Shkodrën time, si prej atom-shpërthimeve më agresive,
Do t’u bie në gjunj deri edhe shovinistëve…
Nju Jork, maj 2009