
Dr. Dritan Demiraj/
Tashmë prej më shumë se dy vitesh, e gjithë bota perëndimore ka dënuar pushtimin kriminal dhe të paligjshëm të Ukrainës nga Federata Ruse. Por ky pushtim nuk ishte i papritshëm për njerëzit që e kanë analizuar dhe studiuar nga afër politikën e jashtme të Federatës Ruse dhe të Presidentit të saj të ‘përjetshëm’ Vladimir Vladimiroviç Putin. Ajo që ka rëndësi të kuptohet fillimisht, është të theksojmë se kjo politikë është vazhdimi i ‘Idesë të Re Ruse’ (ide nga e cila edhe shovinistët serbë po punojnë për krijimin e Botëts Serbe). Është e rëndësishme të theksojmë se në momentin kur Putini mori drejtimin e Rusisë nga Boris Jelsin në fund të vitit 1999, ishte i vendosur plotësisht për të rikthyer madhështinë e saj të dikurshme. Ai e perceptonte ndryshe lidhjen midis politikës së brendshme dhe saj të jashtme nga diplomatët të cilët kishin drejtuar vendin gjatë presidencës së Jelsin-it. Politika e jashtme e Rusisë drejtohej në një masë të madhe nga konsideratat e brendshme.
Gjatë mandatit të tij të parë presidencial 2000-2004, Putini u shfaq duke kërkuar integrim më të madh të ekonomisë ruse në ekonominë globale, duke prezantuar një numër të konsiderueshëm reformash ekonomike në vend. Kjo ishte njëkohësisht koha e bashkëpunimit më të mirë me perëndimin, deri në kohën e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 me SHBA-të dhe fushatës në Afganistan. Kjo periudhë konsistoi në një afrim të konsiderueshëm me Gjermaninë, deri në momentin kur vendet fqinje me Rusinë filluan demostratat e brendshme ose në atë që njihen si revolucionet me ngjyra si në Gjeorgji dhe Ukrainë. Në atë kohë, duhet thënë se Putini kërkoi të afrohej sa më shumë me perëndimin.
Por në momentin kur perëndimi filloi të ushtrojë presion që Rusia të bëhej më demokratike dhe të inkurajonte krijimin e partive të tjera opozitare, ai filloi t’i konsideronte me dyshim marëdhëniet me perëndimin, për arsye se kjo qasje rrezikonte qëndrimin e tij në pushtet. Axhenda e administratës së presidentit amerikan George W. Bush në sytë e presidentit Putin, ishte një axhendë aktive për ndërrimin e regjimeve si psh në Irak, Gjeorgji dhe Ukrainë. Kjo padyshim që paraqiste një sfidë të drejtëpërdrejtë për interesat kombëtare të Federatës Ruse.
Gjatë mandatit të dytë të presidentit Putin 2004-2008, liritë e brendshme u reduktuan ndjeshëm në emër të sigurisë kombëtare. Putini akuzoi perëndimin për një sulm terrorist të ekzekutuar nga muxhahedinët çeçenë në Beslan të Kaukazit të Veriut. Pengmarrja në shkollën e Beslanit në Republikën e Osetisë së Veriut njihet si “masakra e Beslanit”. Ajo filloi në datën 1 shtator 2004 dhe zgjati tre ditë, në të cilën u përfshinë 1.100 persona të mbajtur peng ku rreth 777 prej tyre ishin fëmijë. Kjo pengmarrje përfundoi me vdekjen e 385 fëmijëve dhe civilëve në datën 4 shtator 2004. Ai deklaroi se: “Disa duan të këpusin një copë nga torta jonë, ndërsa të tjerët i ndihmojnë ata”.
Pas ngjarjeve shokuese të ‘revolucioneve me ngjyra’, të cilat shkaktuan largimin e drejtuesve në Ukrainë dhe në Gjeorgji, Putini emëroi Vladislav Surkov-in një politikan gjysëm çeçen, si drejtues tranzitor të saj që në atë kohë njihej si ‘demokracia e menaxhuar’. Vladislav Surkovi kishte qënë më parë një person që publikonte marëdhëniet me publikun dhe autor i sistemit aktual rus. Sistemi të cilin ai e quante ‘demokracia sovrane’, ishte kombinim i ‘retorikës demokratike me qëllimet jodemokratike’. Surkovi theksonte sovranitetin mbi demokracinë, në të cilën shprehej hapur se asnjë fuqi nga jashtë nuk kishte të drejtë të ndërhynte në punët e brendshme të Rusisë. Ai krijoi një grupim të fuqishëm të të rinjve pro Putin që quhej Nashi (Tanët), me qëllim që të luftonte kundër liberalëve dhe të krijonte një seri kampesh verore patriotësh ku grumbulloheshin pionerë dhe të rinj njëlloj si në kohën e Bashkimit Sovjetik.
Në vitin 2005, presidenti Putin prezantoi reformën e pencioneve, por pensionistët dolën në rrugë për të protestuar duke detyruar policinë dhe forcat e sigurisë të përdornin forcën kundër tyre. Rritja e çmimit të naftës dhe e gazit të lëngshëm gjatë viteve 2000-2008, rriti edhe më shumë besimin e Putin-it për të mos iu nënshtruar perëndimit. Gjatë madantit të dytë presidencial 2004-2008, Putini u përball më fortë me perëndimin.
Gjatë mandatit të tij të tretë 2012-2018, politika e jashtme ishte krejtësisht në dispozicion të rritjes së mbështetjes së tij brënda Rusisë. Në vitin 2011, ai u shokua nga demostratat, të cilat filluan për shkak të zgjedhjeve fallso presidenciale dhe rikthimin e tij në krye të Kremlinit. Ndryshimi i ambasadorit amerikan në Moskë, bëri që Putini ta kuptonte se Washingtoni po punonte kundër tij. Diplomati amerikan John Beyrle, babai i të cilit kishte luftuar gjatë Luftës së II-të Botërore me ushtritë e Amerikës dhe Sovjetike pas arratisjes nga burgjet gjermane, u zëvendësua nga ambasadori Michael McFaul, një ish profesor i Universitetit të Stanford-it dhe këshilltar i Presidentit Barak Obama, i cili që në vitin 1990 kishte punuar për promovimin e demokracisë në Rusi.
Në momentin e fillimit të krizës së Ukrainës në vitin 2013, Rusia e shikonte veten në luftë me perëndimin, duke akuzuar ‘kolonat e pesta’ në territorin e Rusisë, të cilët punonin për destabilizimin e vendit. Me mbështetje të lartë popullore deri në 90 për qind, me një politikë gjithnjë e më bindëse dhe të paparashikueshme, Putini kishte arritur të bindte shumë personalitete në perëndim se përballja me Federatën Ruse nuk ishte njëlloj si me fuqitë e tjera të mëdha dhe se sa më shumë autokrate ishte qeveria aq më agresive ishte edhe politika e saj e jashtme. Në atë kohë, kjo politikë bëri që shumë vende jo perëndimore ta shihnin Rusinë si një partner të besueshëm, i cili nuk ndërhynte në punët e tyre të brendshme ose në sistemin e tyre të brendshëm të politikës dhe kërkonte të krijoheshin rregulla të reja ndërkombëtare e organizata të cilat nuk dominoheshin nga perëndimi si psh BRICS, SCO dhe Forumi Ekonomik Euro-Aziatik.
Në atë kohë, Putini arriti me shumë aftësi të shfaqte nostalgjinë cariste dhe të kohës sovjetike, duke theksuar me forcë se Rusia duhej të kishte vendin e saj në vendimmarrjet botërore si një fuqi e madhe. Simboli carist me dy koka shqiponjash, i cili simbolizon Rusinë që sheh edhe nga lindja dhe nga perëndimi e kishte zëvendësuar çekiçin dhe shkopin nga flamuri i Federatës Ruse. Himni kombëtar i periudhës së Bashkimit Sovjetik u rivendos në protokollin e shtetit, pas dështimit të turpshëm të presidentit Boris Jelsin me një himn tjetër kombëtar. Ai filloi ta shfaqte veten si mbrojtësin e Rusisë dhe të vendeve që kishin qënë më parë republikat e Bashkimit Sovjetik, dhe e konsideronte shpërbërjen e tij si një padrejtësi historike, e cila shkaktoi zvogëlimin e fuqisë së Rusisë. Presidenti Putin mbron me forcë idenë e të drejtës që Federata Ruse të rimerrte rolin e saj që kishte patur në botë përpara vitit 1991.
Ceremonia e mandatit të katërt presidencial të Putin-it në muajin maj të vitit 2018 (2018-2024), shfaqi haptazi ‘Idenë e Rusisë së Re’, duke theksuar më fort se asnjëherë tjetër traditën dhe patriotizmin rus. Në fjalimin e tij të parë si president i rizgjedhur përpara përfaqësuesve vendas dhe të huaj ai deklaroi se:
“Ne të gjithë jemi pasardhësit e Rusisë dhe historisë së saj mijëra vjeçare, paraardhësit e kësaj toke që ka lindur djem, vajza, punëtorë, luftëtarë dhe shkencëtarë të jashtëzakonshëm. Ata na kanë trashëguar në ditët e sotme këtë shtet të fuqishëm. Nuk ka asnjë diskutim, se ne kemi marrë forcë nga e kaluara. Por edhe historia më e lavdishme, nuk është e mjaftueshme që të na sigurojë një jetë më të mirë. Gjeneratat e sotme të Rusisë duhet ta përforcojnë këtë madhështi përmes veprimeve të tyre”.
Gjatë mandatit të tij të pestë (2024-2030), ai është përbetuar se në bashkëpunim me vende të tjera që mendojnë njëlloj si ai ku mund të përmendim Kinën, Indinë, Brazilin, Iranin por jo vetëm, do të punojnë pa pushim për të krijuar një botë multipolare, ku të gjithë të mëdhenjtë duhet të kenë fuqi të njëjtë në zgjidhjen e situatave ndërkombëtare ose në vendimarrjen e botës. Pikërish ky është vizioni që frymëzon botën e Vladimit Putin-it në shekullin e XXI-të.
Shtatë shtyllat kryesore të botës të Vladimir Vladimiroviç Putin-it janë:
Së pari, Putini beson se Rusia ka të drejtën të ulet në tavolinën ku merren të gjithë vendimet kryesore ndërkombëtare dhe të insistojë në përfshirjen e saj. Perëndimi duhet të pranojë se Rusia është pjesë e ‘bordit të drejtorëve’.
Së dyti, Interesat e Rusisë janë po aq legjitime sa edhe të perëndimit dhe do të ushtrojë presion që SHBA-të dhe BE-ja të njohin dhe pranojnë këtë fakt edhe në rast se nuk janë dakort me Rusinë.
Së treti, Rusia ka të drejtë të jetë e privilegjuar në sferën e interesit në hapësirën post Sovjetike. Ajo përcakton perimetrin e saj jetësor të sigurisë, jo në kufijtë e Federatës Ruse por në kufijtë e ish Bashkimit Sovjetik. Rusia do të punojë fuqishëm për t’u siguruar se ish republikat e tij, nuk do të bashkohen me aleancat e tjera politike ose ushtarake të cilat janë armiqësore ndaj Rusisë. Moska duhet të garantohet se strukturat Euro-Atlantike kryesisht NATO dhe BE, nuk do të zhvendosen më afër sesa janë në ditët e sotme, pasi kjo përbën kërcënim të drejtëpërdrejtë të interesave vitale të Federatës Ruse.
Së katërti, Disa shtete janë më sovrane sesa të tjerat. Fuqitë e mëdha si Rusia, Kina, India dhe SHBA-të kanë sovranitet absolut në vendet e tyre, që do të thotë se sejcili është i lirë të zgjedhë se cilës aleancë ka dëshirë t’i bashkohet. Vendet e vogla si Ukraina ose Gjeorgjia nuk janë krejtësisht sovrane dhe Rusia do të insistojë që ato të zbatojnë kërkesat e saj. Rusia nuk kërkon aleatë nga bota perëndimore, por partneritet dhe instrumente me interes reciprok me vende si Kina, India, Brazili, Irani, etj të cilat nuk e kufizojnë lirinë e Rusisë që të veprojë ose ndërmarrë veprime në politikën e saj të brendshme të sigurisë në vend.
Së pesti, Rusia do të vazhdojë të veprojë si mbështetëse e status quo-së, si avokate e vlerave konservatore, një fuqi ndërkombëtare e cila respekton drejtuesit e vendeve të tjera. Perëndimi, sipas Kremlinit promovon kaos dhe mbështet ndërrimin e regjimeve siç e kemi parë gjatë Pranverës Arabe në Libi, Irak, Siri, etj pa menduar aspak për konseguencat e tmerrshme pas këtyre veprimeve dhe kaosit që shkaktojnë në këto vende. Sigurisht, në sferën e saj të influencës, Rusia mund të veprojë si një fuqi revizioniste dhe të përmbysë status quo-në, kur e konsideron se interesat e saj po kërcënohen siç ka vepruar gjatë pushtimit të Gadishullit të Krimesë në vitin 2014 dhe gjatë pushtimit të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut në vitin 2008 në Gjeorgji.
Së gjashti, Rusia beson se interesat e saj plotësohen më mirë kur aleanca perëndimore nuk është solide, për këtë qëllim ata do të vazhdojnë të mbështesin grupet skeptike, nacionaliste, populiste dhe anti amerikane në Europë dhe në të dy anët e Atlantikut.
Së fundi, Rusia do të ushtrojë presion të hiqet dorë nga lufta e ftohtë, rendi liberal, rendi i bazuar nga rregullat ndërkombëtare të cilat drejtohen nga SHBA-të dhe BE-ja, të cilat janë në favor të rendit perëndimor. Për Federatën Ruse, ky rend duhej të ngjante me koncertin e fuqive të shekullit të XIX-të, ku Rusia, Kina dhe SHBA-të do ta ndanin botën sipas sferës së tyre të influencës.
Dr. Dritan Demiraj është autor i librave: “Gjeopolitika e Federatës Ruse, Politika e Jashtme dhe Rendi i Ri Botëror” dhe “Strategjia ushtarake e Federatës Ruse”.