*Komunikatë e përbashkët e Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës/
*Presidenti Thaçi: Sulmi kundër Kuvendit të Kosovës, ishte një sulm terrorist/
-QEVERIA: Kosova, para proceseve të rëndësishme/
*LDK i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të heq dorë nga dhuna dhe veprimet anarkike/
*VETËVENDOSJA:Inskenimi i rasteve nuk e ndalë përpjekjen tone për çlirimin e shtetit/
Prishtinë, 30 gusht 2016-Gazeta DIELLI/ Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës pas një hetimi intensiv lidhur me sulmin në Kuvendin e Republikës së Kosovës të kryer më 4 gush 2016, ka arritur të identifikojë të dyshuarit, të cilët kanë planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar sulmin, si dhe kanë marrë përgjegjësinë për kryerjen e këtij sulmi.Ky hetim kompleks është trajtuar me teknika dhe masa të specializuara të hetimit dhe sot me urdhëresë të GjykatësThemelore në Prishtinë është kryer kontrolli i 6 (gjashtë) lokacioneve në Prishtinë, ku janë arrestuar gjashtë të pandehur dhe janë shoqëruar dy persona tjerë. Ndaj gjashtë të pandehurve me iniciale; A.B, A.A, A.D, E.H, F.K dhe P.A është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit, në cilësinë e provave materiale, janë sekuestruar: gjashtë armë zjarri, tre pushkë automatike, 2 revole, një karabinë, municion, si dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin. Sendet e sekuestruara do të ekzaminohen nga ekspertët e fushave përkatëse, përfundon komunikata.Kohë më parë është njoftuar se me mjet shpërthyes zolë është sulmuar natën e 4 gushtit objekti i Kuvendit të Kosovës./b.j/
***
Thaçi: Sulmi kundër Kuvendit të Kosovës, ishte një sulm terrorist
-Deklaratë për media e Presidentit të Republikës së Kosovës-
PRISHTINË, 30 Gusht 2016/ Sulmi kundër institucionit më të lartë politik në vend, Kuvendit të Republikës së Kosovës, ishte një sulm terrorist dhe kjo formë e veprimit politik është e papranueshme dhe e patolerueshme, theksohet sot në një deklaratë për media të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Në deklaratën e dërguar nga Presidenca theksohet se, dhuna politike nuk do të ketë vend në shoqërinë dhe Kosovën tonë të re, të cilën me shumë sakrificë e kemi ndërtuar.
I mbështes organet e rendit që të jenë të pakompromis në ndjekjen e të gjithë atyre që cenojnë në çfarëdo forme shtetin e Kosovës.Për punën e tyre ato meritojnë mirënjohje nga të gjithë ne.
Edhe qytetarët e Kosovës meritojnë vlerësim të lartë për pjekurinë e treguar, sepse ata vazhdimisht kanë kundërshtuar dhunën si formë të veprimit politik.
Gjithashtu, ftoj të gjitha subjektet politike që të mos bëhen pjesë e retorikës së dhunës dhe t’i lënë interesat e ngushta politike, por të bashkohen për të mirën e përgjithshme të Republikës së Kosovës, përfundon deklarata./b.j/
***
Kosova, para proceseve të rëndësishme/
-Qeveria e Kosovës: Thirrje qytetarëve dhe subjekteve politike që të japin kontributin e tyre në avancimin e proceseve shtetndërtuese, duke u shmangur nga format e dhunshme dhe metodat jodemokratike/
PRISHTINË, 30 Gusht 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës, në një komunikatë sot, lidhur me zhvillimet e fundit, i bën thirrje qytetarëve dhe subjekteve politike që të japin kontributin e tyre në avancimin e proceseve shtetndërtuese, duke u shmangur nga format e dhunshme dhe metodat jodemokratike.
Qeveria e Kosovës shpreh përkrahje për organet e rendit dhe të ligjit në përmbushjen e obligimeve dhe përgjegjësive të tyre ligjore kushtetuese, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe të krijimit të një ambienti të qetë për qytetarët e vendit.
Republika e Kosovës, thekson komunikata, ndodhet para proceseve të rëndësishme të cilat do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, në lëvizjen e lirë, në proceset tjera eurointegruese, në fuqizimin e partneritetit strategjik me SHBA-të, për transformimin e FSK-së dhe hapjen e perspektivës për qytetarët e Kosovës, në të gjitha aspektet./b.j/
***
LDK: Momente të rëndësishme për Kosovën/
– LDK i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të heq dorë nga dhuna dhe veprimet anarkike/
PRISHTINË, 30 Gusht 2016/ Lidhja Demokratike e Kosovës, deklaroi sot se, në këto momente të rëndësishme për vendin, fton të gjithë qytetarët që të vazhdojnë kontributin dhe vendosmërinë e tyre për ndërtimin e shtetit, për avancimin e proceseve euroatlantike, për fuqizimin e partneritetit me SHBA-në dhe hapjen e perspektivës së gjithanshëm për vendin.“Në këtë kontekst, LDK vlerëson qëndrimin dhe vizionin e qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk po bien pre e veprimeve, planeve dhe skenarëve që kanë për qëllim destabilizimin dhe zhytjen e vendit në kaos dhe anarki, për përfitime politike të një partie opozitare”, thekson deklarata e dërguar.
Më tej vijohet se, lidhur me zhvillimet e fundit dhe nxjerrjen në dritë të fakteve që implikojnë përfaqësuesit e një subjekti politik në veprimet të dhunshme kundër institucioneve, LDK shpreh shqetësimin e saj dhe njëkohësisht shpreh mbështetje për organet kompetente shtetërore që të marrin të gjitha masat për garantimin e një ambienti të sigurt për qytetarët dhe për nxjerrjen para drejtësisë të kryerësve të veprave penale.
“LDK i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të heq dorë nga dhuna dhe veprimet anarkike të cilat kanë për synim futjen e vendit në cikël dhune me pasoja të paparashikueshme, dështimin e liberalizimit të vizave, cenon partneritetin strategjik me SHBA-të dhe stagnon të gjitha proceset shtetndërtuese dhe integruese euroatlantike”, vijon deklarata.
Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh përkushtimin dhe besimin e plotë se Republika e Kosovës me mbështetjen e qytetarëve të vendit dhe më përkrahjen e miqve ndërkombëtar, SHBA-ve dhe vendeve evropiane, do të vazhdojë progresin dhe fuqizimin e shtetësisë dhe të zhvillimin e gjithanshëm të saj./b.j/
****
LVV: Inskenimi i rasteve nuk e ndalë përpjekjen tone për çlirimin e shtetit/
Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar sot këtë komunikatë: Përndjekja dhe arrestimi i 6 aktivistëve: Adea Batusha, Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi dhe Petrit Ademi është akt klasik i përndjekjes së kundërshtarëve poltikë, gjë që bëhet vazhdimisht nga ky pushtet. Kështu u cilësuan veprimet e fundit të policisë, nga Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri dhe Sekretari Organizativ Dardan Molliqaj në konferencën e sotme të jashtëzakonshme për media.
Kryetari Ymeri në fjalën e tij e quajti këtë aksion vazhdimësi të sulmit që ka nisur Transmetuesi Publik RTK në drejtim të VETËVENDOSJE!-s dhe deklaroi se lidhjen polici-media-pushtet nuk po e shohim për herë të parë. Ai përmendi edhe raste të mëhershme ku aktivistët janë mbajtur pa faj në burg, me akuza të inskenuara nga pushteti.
“Kështu u patën arrestuar dhe akuzuar më herët edhe aktivistët Trim Gashi dhe Kushtrim Avdimetaj. Trimi akuzohej për tentim vrasje ndaj Kryeministrit, dhe u shpallë i pafajshëm nga gjykata. Kushtrimi akuzohej për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe sulm ndaj shtëpisë së Kryeministrit. Prokuroria ka hequr dorë nga këto hetime dhe akuza. Në të dyja rastet policia e urdhëruar nga pushteti pati arrestuar dhe keqtrajtuar aktivistët pa pasur kurrfarë prove. E njëjta gjë po ndodh edhe tash”, u shpreh kryetari Ymeri.
Aksioni i Policisë është tentim për të instaluar frikë, por një ndërhyrje e tillë nuk e ndalon përpjekjen për shkatërrimin e regjimit të kriminelëve të klanit Pronto.
Më pas, Dardan Molliqaj deklaroi se aksioni i sotëm është tregues që konfirmon atë që organizatat ndërkombëtare e kanë thënë për Kosovën, që është duke shkuar në drejtim të një shteti autoritar. Ai poashtu e quajti RTK-në mjet propagandistik të pushtetit, kurse drejtorin e saj, Mentor Shalën, një prej kriminelëve kryesor në fushën e mediave.
Tutje, Molliqaj deklaroi se Policia e Kosovës nuk ka vullnet dhe nuk po mund ta luftojë krimin, prandaj po sajon raste të tilla.
“Kjo polici në këtë panik, në këtë presion është dashur patjetër ta sajojë një fajtor. Ju e dini që edhe më herët është sajuar fajtori i djegies së veturave në atë kohë dhe i sulmit ndaj shtëpisë së Kryeministrit dhe sot janë tërhequr akuzat ndaj tyre. Pra, e njëjta logjikë është edhe sot. Atyre iu duhet një fajtor për ta shfryrë opinionin publik dhe për ta linçuar VETËVENDOSJE!-n”, deklaroi sekretari organizativ, Molliqaj.
Ai përmendi edhe përgjimet, duke theksuar rastin e përgjiimit që u publikua sot, ku Adem Grabovci kontrollon gazetarin e RTK-së, Zejdush Kastratin, si dhe rastin e Drejtorit të Policisë, Shpend Maxhunin, i cili është në shërbim të klanit Pronto poashtu.
Molliqaj sqaroi disa fotografi të armëve që policia ka publikuar pas arrestimeve të sotme, duke deklaruar se asnjëra nga këto armë nuk kanë pasur lidhje me sulmet e fundit që janë bërë ndaj institucioneve. Ai tha se ato nuk kanë të bëjnë asgjë me aktivitetin e VETËVENDOSJE!-s.
Në fund u tha se e tërë kjo po bëhet për ta zbehur mobilizimin për 1 shtator kundër ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Por, kjo është përpjekje e dështuar e pushtetit.
Ne ftojmë organizatat vendore e ndërkombëtare që t’i vizitojnë të arrestuarit, meqë ndaj tyre është ushtruar dhunë fizike e psiqike.
***
Departamenti i sugurise i AAK, situarta ne pjesen malazeze te kufirit e paprenueshme/
Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë i AAK –së, vlerëson se situate e krijuar në brezin kufitar me Malin e zi, ku njoftohet të jenë dislokuar forca të kombinuara të Policisë, njësitet e specializuara të Kundërterrorizmit dhe Ushtrisë, është krejtësisht e panevojshme dhe e papranueshme.
Në këtë kuadër janë jo korrekte edhe deklaratat e Presidentit të Malit të zi, sepse ato janë në shpërputhje me zhvillimet në tërren.Krejt kjo gjendje e re në kufi, vie pas kundërshtimit serioz të banorëve të zonave të prekura nga Komisioni shtetrorë për vijëzimin e kufirit, i cili ka bërë gabime dhe si rezultat Kosova, po humbë territor të saj.Ne si Departament për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë, vlerësojmë se përgjithësisht, situiata e sigurisë mbetet shumë e brisht në atë zonë dhe valët e sulmeve, drejtuar objekteve shtetrore, pronave private, dhe të ngjajshme, ende të pa zbuluara prej organeve të hetuesisë, përbëjnë lajm shumë të keq për sigurinë publike dhe nacionale në Kosovë.
Departamenti i Politikave të Mbrojtjës dhe Sigurisë i AAK-së
***