
Kastriot Fetahu/
Poetët dhe shkrimtarët janë të brishtë, tregojnë vetëm pjesën e ajsbergut mbi ujë, janë sa “Arctic” po aq edhe “Tropical”. Ndjeshmëria e tyre nuk ka njësi matëse, ndërsa limiti i panjohur është jo vetëm përgjegjësi vetjake, por edhe e opinionit publik, i cili me mekanizma socialë i trysnon “duke i shtrydhur” dhe përfituar prej tyre dritën e udhës së botës së ardhshme. Poezia nuk është një mozaik shkronjash, por një mozaik emocionesh. Në Francën “balzakiane” poetët më ngjajnë me ca rioshë plot mistere në kërkim të rrugëve të shpërfaqjes së poezisë së tyre dhe suksesit të pritshëm. Po kështu edhe shkrimtarët enden midis mendimit të çimentuar në dëshira stoike dhe shtypit të kohës për të treguar madhështinë “e kalbur” të Francës.
Në një roman të Balzakut, përpjekjet pragmatiste të poetit Lucien De Rubempre, janë në të gjitha planet për të fituar emrin që meriton nëpërmjet sfidave të njëpasnjëshme. Hyrja në shoqërinë e lartë duket si një rrugë që nuk vazhdon kurrë dhe as ndalet kurrë. Bashkëpunimi me pronarët e mediave, me menaxherët e tyre, punësimi në gazetat e kohës ishte njëra nga rrugët kryesore për të percjellë emrin letrar.
Mundësia për të qenë më kreativ, për të përdorur më shumë imagjinatën, për të shkruar romane përtej shkrimeve gazetareske, për të qenë më shumë zot i vetvetes dhe ambicia për të gjetur famë dhe pasuri, ishte arsyeja e punësimit në redaksitë letrare të kohës, arsyeja e një stazhi të domosdoshëm për karierën në rrugën e letërsisë.
Charles Dickens, Mark Twain, Bram Stoker autor i “Dracula”, Maya Angelou, Anna Quindlen fituese e çmimit Pulitzer, Gabriel Garcia Marquez dhe shumë të tjerë, kaluan nga redaksitë e gazetave dhe vazhduan në lartësimin e emrit nëpërmjet asaj rruge. Ernest Hemingway punoi reporter i luftës në Spanjën frankiste dhe ka shkruar për njësinë ku bënte pjesë edhe Petro Marko, me të cilin janë takuar në Albacete.
Përshkrimi i rrugëve të jetës të këtyre ikonave të letërsisë tregon se arti është biri i lirisë. Edhe pse kanë kaluar shumë kohë, eksperiencat e tyre janë monumentale për lartësimin e figurës së shkrimtarit dhe poetit në planin e veprimit teorik e praktik. Duke njohur këtë situatë, përpiqem ta krahasoj me mediat e vendit tim dhe më duket se është më e lehtë të gjesh rrugën e artit në Francën e Lucien De Rubempre se sa në Tiranën e sotme, kur diferenca në kohë rezulton prej dy shekujsh. Të duket sikur sot mund të braktisësh shpresat shumë më lehtë se shekuj më parë.
Nuk të ngjall askush entuziazmin se ka detyrimin “homerian” të përcjellë “ Trojën” e sotme në breza mijëvjeçarësh. Përpjekjet sporadike individuale kanë vlerën e kuanteve të dritës në një hapësirë pa atmosferë. Pronarët e mediave, portaleve apo të ndonjë mënyre tjetër publike duhet të kuptojnë se iu takon të jenë simbol autoriteti letrar në një publik që valencat me letersinë i zvogëlon në përpjestim të drejtë me kohën. Duhet frenuar rënia e lirë e vlerës së kapitalit kulturor të individit në një shoqëri të trazuar, nën ndikimin e erozionit të antivlerave. Koha dhe batica nuk presin njeri, ndërsa arti dhe letërsia, gjithmonë presin. Duhet të jesh një detektor i vërtetë në zbulimin e talenteve, Robin Hudi modern në arte dhe letërsi.
Vlen të sjell për ju filozofin Soren Kierkegaard: “Një kritik i ngjan poetit për një fije floku. Atij i mungon vetëm vuajtja në zemër dhe muzika në buzë”.
Ndaj duhet të ekzistojnë marrëdhënie të balancuara midis palëve, nisur nga Kierkegaard. Preferencat estetike në suportin e artistëve, tregojnë se nuk janë zgjedhje personale të rastësishme, por lidhen me kapitalin kulturor, pozitën dhe historinë shoqërore ndividuale, që pronarët e këtyre mediave kanë trashëguar ose fituar. Në udhëtimin e individit drejt një kuptimi më të madh të jetës, janë përgjegjës të gjithë ata që hapin trasenë e asaj rruge. Ndërkohë inekzistenca e mekanizmave shtetërore realisht në këtë treg vlerash, që udhëheq superstrukturën e një populli, të frikëson. Ajo ka krijuar një varr të zbukuruar me kujtime të vyshkura, duke revokuar kohën e diktaturës në raportin e individit me kulturën.
Një hapësirë shoqërore duhet strukturuar mbi bazën e esesë së famshme të filozofit Bertrand Rusell, i cili vendos theksin në atë që artet lindën pikërisht nga borgjezia sepse kishte kohë të lirë dhe varfëria, thotë ai, nuk sjell art, por skllavëri mentale.
Arti zhvillohet nga mendje lakuriq që nuk pranojnë të bëhen krahu i armatosur i askujt. Idealizmi duhet të mbizotërojë përballë meskinitetit klientelist që prodhon mediokritet në dëm të së ardhmes nga talentet e vërteta. Nuk mund të jetë një kapitalizëm kaubojsish, ku zgjedhim midis preferencës subjektive dhe indiferentizmit të urrejtjes me ndihmën e pushtetit që na jep teknologjia në media të cilat orientohen drejt krijimtarisë në arte dhe letërsi. Duket sikur kjo gjë, që realisht ka ngjyrën e një masakre sociale, apo gjenocidi artistik, ndodh në komunitetin tonë të poetëve e shkrimtarëve. Për të përcjellë artin e vërtetë nesër, duhet të humbasim në pushtetin vendimarrës nga sa më pak duar, sot.
“Mos më thuaj se hëna po shkëlqen; më trego shkëlqimin e dritës në xhamin e thyer.” shkruan Anton Chekhov, para më shumë se një shekulli dhe në pjesën e dytë të fjalisë janë poetët e vërtetë, ndaj hapini perdet që ata t’ju tregojnë dritën. Poezia është gjithmonë një dhembje nën fluks prozhektorësh me fytyrë të bukur. Ajo me fuqinë e saj shërben edhe vetë si një portal për tu lidhur me lexuesit dhe transmetuar atyre solidaritetin artistik, duke bashkuar universe me të njëjtën ngjyrë shpirtërore, pas të cilës çliron ide sociale konstruktive. Poetët ndoshta janë kategoria më e veçantë njerëzore, të cilën e shoqëron ankthi i krijimit, i eksplorimit, i të bukurës, i suksesit dhe ankthi është marramendja e lirisë dhe e arsyes.
Arti botëror na sjell shembuj inkandeshent orientimi në botën e vlerave që kërkojmë të ndërtojmë. Në filmin “Aromë gruaje” koloneli Frank Slade (Al Pacino) mban një fjalim historik për fuqinë e Amerikës, kur deklaron se deformimi që drejtori Mr.Trask iu bën studentëve me anë të presionit për bursë dhe avantazhe në shkollë në këmbim të spiunimit nga ata te drejtori, nuk krijon liderë të vërtetë të Amerikës. Stili është çelësi i mënyrës së një autori për të parë botën, ndaj ka ardhur koha që stili i mediave të ndryshojë nën peshën e ekzistencës së tij te poetët dhe shkrimtarët. Poetëve dhe shkrimtarëve iu pëlqen të jetojnë në një botë pyetjesh dhe idesh, të cilave iu japin zgjidhjen “zhylverniane”. Kohët janë “perëndimore” dhe nuk pranojnë më tej Orientin me ngjyra bizantine. Artistët shqiptarë do të shkojnë në Evropë me krijimin e monumentit të lirisë, që i jep formën më të bukur të ardhmes dhe në mes tyre poetët… këta “çmendurakë” të vërtetë, që nuk gjejnë prehje as në prehjen e përjetësisë.