
Paulin Zefi/
Autorët bashkëkohës, arbër dhe italianë, e portretizojnë Gjergj Kastriotin-Skënderbeun si: burrë shtatlartë, me trup muskuloz, me përmasa proporcionale dhe theksojnë faktin se në të gjithë kompleksitetin e vet ai shfaqte bukuri të rrallë fizike, e cila ishte e gërshetuar aq bukur me cilësitë e tij mendore e shpirtërore etj. Mirëpo, nëse përshkrimi fizik, i cili gjendet në veprat e biografëve të hershëm të Heroit tonë Kombëtar, Dhimitër Frangu e Marin Barleti dhe autorëve të tjerë perëndimorë bashkëkohës, ku duhet të veçoj humanistin e shquar italian, Giovanni Giovano Pontano, mund të merret me rezerva nga ndonjë studiues skeptik dhe tendencioz, i cili tregohet mosbesues ndaj dëshmive të tyre; atëherë çfarë mund të thuhet kundër kronistëve osmanë dhe historianëve të mëvonshëm turq?!… Pavarësisht urrejtjes së tyre patologjike për arbërit në përgjithësi dhe për Kryeheroin tonë në veçanti, pjesa më e madhe e kronistëve osmanë të kohës nuk e fshehin dot “admirimin” për armikun më të tmershëm të Perandorisë Osmane gjatë shek. XV.
Prandaj, për shumë arsye, përshkrimi fizik i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga “penat” më të njohura të palës kundërshtare mbart në vetvete një vlerë shumë të veçantë. Historiani i njohur osman, Hoxha Sad’ed’Din (1536-1599), në veprën e tij me titull “Tâc-üt-Tevârih” (Kurora e historive), e botuar në vitin 1575, duke shfrytëzuar veprat historike të kronistëve paraardhës, shkruan se “Sundimtari i arbërve (Gjon Kastrioti) kishte një djalë të pashëm që quhej Iskender, figura trupore e të cilit frymëzonte dashurinë, ndërsa fytyra e tij tërheqëse ishte shprehëse e bukurisë dhe e hirësisë.” Historiani tjetër, osman, Sollakzade, thotë se: “Sundimtari i arbërve kishte një djalë me shtat të pashëm, që quhej Iskender. Pamja e këtij njeriu të bukur të çlodhte, ndërsa fytyra e tij tërheqëse të jepte një kënaqësi.” Po ashtu, edhe Mynexhimbashi, i cili e përshkruan në mënyrë shumë sintetike, thotë se: “Dikur, sundimtari i vendeve të arbërve kishte një djalë të bukur e të pashëm, të cilin e quanin Iskender.” Edhe në historiografinë zyrtare turke të shek. XX, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu lavdërohet për aftësitë e tij organizative, trimërinë e skajshme, qetësinë në rast nevoje, cilësitë e tij si luftëtar dhe mbi të gjitha për pasionin dhe fuqinë e vullnetit të tij. Po ashtu, shënohet se Skënderbeu u përlesh pavarësisht pengesave dhe e mbrojti vendin e tij për kundër “mësymjes turke” për 25 vite me rradhë e me një numër të vogël luftëtarësh, edhe pse disa prej zotërinjve feudalë arbër e tradhtuan dhe e sulmuan.
Njëri prej historishkruesve më popullorë e më të njohur të Republikës së Turqisë, Reshat Mehmet Koçu, e përshkruan Heroin tonë Kombëtar në monografinë e tij për sulltan Mehmetin II Fatih si njërin prej armiqve më të fortë dhe të tmerrshëm të Mehmetit II, ndërkohë që tjetri cilësohet Janosh Huniadi. Ky autor shton se Skënderbeu ishte sa i zgjuar dhe kurajoz aq edhe i hijshëm. Ky admirim i tërthortë, që Bülent Bilmez e cilëson si “respekt ndaj armikut”, vijon me superlativa si: “ishte një djalë i talentuar kur u mor në saraje”… më pas, “luftoi në beteja të shumta dhe u bë i njohur për trimërinë e tij”… Po ashtu, ai përshkruhet si “çmendurisht trim”… dhe shtohet se: “ai qe një luftëtar shumë i fortë.” Në historiografinë moderne turke pranohet gjerësisht se: “Skënderbeu nuk njohu asnjëherë ndonjë humbje përfundimtare kundër fushatave të sulltan Muratit II dhe Mehmetit II”, ndërsa theksohet se baza e tij kryesore, “Kruja, nuk u mor dot për sa kohë ai qe gjallë” dhe po ashtu, në shumë tekste nënvizohet fakti se: “ai nuk u mposht kurrë.”