Nga Frank Shkreli/
Marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Portugalisë e kanë zanafillën kur Aleanca Euro-Atlantike Perëndimore vendosi të sulmonte Serbinë në Mars të vitit 1999, atëherë kur Portugalia si vend anëtar i NATO-s ndihmoi në sulmet ajrore kundër Serbisë dhe më vonë Lisbona dërgoi trupa ushtarake si pjesë e forcave të Nato-s, për ruajtjen e paqës në Kosovë. Marrëdhëniet midis dy vendeve u zyrtarizuan pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt, 2008, kur Portugalia njohu, zyrtarisht, shtetin e pavarur të Republikës së Kosovës në Tetor të vitit 2008 – njëra prej shteteve të para që bëri një gjë të tillë.
Në vijim, Lisbona ka vazhduar të tregojë interesimin e saj miqësor për Republikën e Kosovës edhe në nivel ndërkombëtar, sidomos gjatë mandateve të saja si kryesuese e Presidencës së Bashkimit Evropian, në periudha kritike për të ardhmen e Kosovës – sidomos gjatë fazës së bisedimeve përfundimtare në vitin 2007, që çuan më në fund në bashkrendimin e qëndrimeve evropiane për Pavarësinë e Republikës së Kosovës, në Shkurt të vitit 2008.
Sipas Ambasadës së Republikës së Kosovës në Lisbonë, lidhjet miqësore midis dy vendeve janë çimentuar gjatë viteve: rreth 7000-ushtarë portugezë kanë shërbyer në Kosovë, përfshirë një numër të konsideruar zyrtarësh e diplomatësh në misionet europiane dhe ndërkombëtare. Ky numër i madh dinamik po afirmon gjithnjë e më tepër lidhjet dhe marrëdhëniet dypalëshe duke u shënërruar kështu në një urë ndërnjerëzore, kulturore dhe ekonomike bashkëpunimi. Këto janë, njëherësh, edhe themelet e marrëdhënieve tona të së ardhmës, thuhet në portalin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Portugali. Marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis Prishtinës dhe Lisbonës pasqyrohen edhe nga vizitat e nivelit të lartë midfis dy vendeve, përfshirë vizitën e 16 Nëntorit, 2023 – e dyta vizitë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Zonjës Vjosa Osmani në Portugali – vizita e parë e Presidentes Osmani në Libonë ishte në Tetor, 2021.
Vizita e dytë zyrtare dy javë më parë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Zonjës Vjosa Osmani në Portugali, ishte një provë tjetër e lidhjeve dhe një partneriteti të veçant midis Prishtinës dhe Lisbonës – një pasqyzrim i një thellimi të këtyre marrëdhënieve të forta e miqësore diplomatiko-politike, midis dy vendeve. Portugalia, si një vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian, vazhdon të jetë një zë i fuqishëm në favor të çeshtjeve në interes të Republikës së Kosovës, në nivelin evropian dhe atë ndërkombëtar, përtej Evropës.
Në kuadër të vizitës në Portugali, dy javë më parë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani vlerësoi lartë marrëdhëniet e përgjithëshme midis Republikës së Kosovës dhe Portugalisë, duke thenë se “potenciali i këtyre raporteve, në fusha të ndryshme, është i jashtëzakonshëm”. E para e Republikës së Kosovës, gjatë vizitës së fundit në Lisbonë, është takuar me udhëheqsit më të lartë të Portugalisë, përfshir Kryeministrin António Costa. Presidentja e Kosovës u prit edhe nga Presidenti portugez, Marcelo Rebelo de Sousa. “Kosova dhe Portugalia kanë ndërtuar raporte të shkëlqyeshme, të bazuara në vlera të përbashkëta”, është shprehur ajo për vizitën e zhvilluar dy javë më parë në Portugali. Vizita e Presidentes Osmani përkoi me 15 vjetorin e njohjes së Kosovës nga Portugalia dhe lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve. “Ky është një moment i rëndësishëm dhe historik për të shprehur mirënjohjen për shtetin dhe popullin e Portugalisë, për kontributin e dhënë përgjatë viteve. Kjo mbështetje ka ndikuar shumë në avancimin e qëllimeve tona parësore në rrugën e integrimeve euro-atlantike, forcimin e paqës dhe stabilitetit rajonal”, ka theksuar Presidentja Osmani në takimin me Presidentin portugez.
Zonja Osmani vizitoi Lisbonën me ftesë të Web Summit, e shoqëruar nga delegacioni i bizneseve të Kosovës në fushën e ICT-së, ku edhe mbajti një fjalim – një takim ky i nivelit të lartë që në këtë fushë konsiderohet si një ngjarje kryesore e teknologjisë në botë. “Teknologjia duhet të jetë gjithnjë në shërbim të njerëzimit dhe jo ta mbizotërojë atë. Duhet të jemi gjithnjë e më të angazhuar për të garantuar gjithë përfshirjen, diversitetin dhe etikën, në çdo hap të këtij rrugëtimi transformative”, është shprehur Zonja Osmani.
Ndërkaq, në kuadër të vizitës në Portugali — në një provë të thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale – presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryetari i Lisbonës, Carlo Moedas përuruan shtatoren e Shën Nënë Terezës, e vendosur në qendër të kryeqytetit të Portugalisë, Lisbonë. “Bashkë me kryetarin e qytetit të Lisbonës, Carlos Moedas, përuruam shtatoren e shenjtores shqiptare Shën Nëna Tereza. Kjo shtatore nuk është thjesht një vepër arti, por mbi të gjitha, një urë që na lidhë me idealin e përjetshëm të shërbimit vetëmohues dhe dashurisë për të tjerët. Le të shërbejë kjo statujë si një kujtesë e vazhdueshme e bamirëses më të madhe që njohu njerëzimi!”, është shprehur Presidentja Vjosa Osmani me rastin e përurimit të Shtatoressë së Shën Nënë Terezës shqiptare në Lisbonë të Portugalisë.
Pa dyshim se edhe vendosja e statujës së Shën Nënë Terezës shqiptare në Lisbonë të Portugalisë, në këtë moment të historisë, në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Republikës së Kosovës dhe Portugalisë — është një vlerë e shtuar në marrëdhëniet kulturore — por jo vetëm — dhe tepër miqësore midis këtyre dy vendeve mike dhe një dëshmi e qartë i një marrëdhënjeje të mrekullueshme në rritje e sipër midis Prishtinës dhe Lisbonës.
Frank Shkreli
Presidentja Osmani bashkë me kryetarin e qytetit të Lisbonës, Carlo Moedas, përuruan shtatoren e shënjtores Shqiptare Shën Nënë Tereza
“Kjo shtatore nuk është thjesht një vepër arti, por mbi të gjitha, një urë që na lidhë me idealin e përjetshëm të shërbimit vetëmohues dhe dashurisë për të tjerët.” Vjosa Osmani
Presidentja Osmani u prit në takim nga presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa
Në 15 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ishte kënaqësi të takoj sërish Presidentin e Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa. Një shtet jashtëzakonisht miqësor me të cilin na afron angazhimi i përbashkët për paq;, stabilitet dhe progres të vazhdueshëm, ka thënë Presidentja Osmani.
Foto-Kujtim para statujës së Shën Nenë Terezes Shqiptare në Lisnonë të Portugalisë
Presidentja Osmani duke marrë pjesë në WEBSUMMIT-in në Lisbonë.