-Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jubileu i 20 vjetorit/





-Para 20 vitesh, në 5 mars 1998, raportoja: Forca të mëdha serbe të blinduara kanë filluar që në mëngjes një sulm kundër shqiptarëve në Drenicë. Prekazi po qëllohet edhe me topa të rëndë…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*/
PRISHTINË, 4 Mars 2018/ Kosova në 10 vjetorin e Pavarësisë shënon edhe 20 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – qëndresës heroike e flijimit legjendar për liri e pavarësi të Familjes Jashari në Prekaz.
Në jubileun e 20 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari në Prekaz, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Republikës së Kosovës nën patronatin e Kryeministrit Ramush Haradinaj në 5, 6 dhe 7 Mars 2018 organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Programi i manifestimit ka fillur me 3 dhe 4 mars 2018 me vrapimin “Shtegu i Shpresës”, me nisje në ora 13:00 nga Prekazi-liri e legjendë shqiptare, ndërsa gjatë tre ditëve të ardhëshme axhenda është kjo:
- Me 5 Mars 2018:
* Në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë e mësimit i kushtohet “Epopesë së UÇK-së”, Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari të Prekazit.
* Nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në ora 10:00 do të realizohet Seanca e cila do i kushtohet “Epopesë së UÇK-së”, rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari të Prekazit dhe të gjithë të rënëve të tjerë për Liri.
* Kuvendet komunale të Republikës së Kosovës do të realizojnë seanca për nderë të kësaj ngjarje historike.
* Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë duke filluar nga ora 11:00 do të mbahet ceremoni ushtarake e FSK-së e përcjellë me programin kulturor dhe artistik.
* Zbulimi i Mozaikut (me gëzhoja) të Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prekaz në ora 14:00.
* Në Tiranë duke filluar nga ora 18:00 në Muzeun Kombëtar do të mbahet akademi përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari të Prekazit dhe gjithë dëshmoreve e të rënëve për liri.
- Me 6 Mars 2018:
* Në ora 09:00 fillon konferenca shkencore “Jasharajt dhe Lufta Çlirimtare” (Salla e Konferencave në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, Kryeministri bën hapjen).
* Nga ora 10:00 deri në orën 12:00 do u bëhen homazhe Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari në Kompleksin Memorial në Prekaz.
* Nga ora 12:00 bëhen homazhe në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve të UÇK-së në Kosovë.
* Në ora 17:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve do të mbahet Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari e Familjes Jashari të Prekazit dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.
* Ora 19:00 – Ekspozita kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari të Prekazit në Muzeun e Kosovës në Prishtinë.
- Me 7 Mars 2018:
* Në Shkup duke filluar nga ora 12:00 në Sallën e Operës mbahet akademi përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari të Prekazit dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.
* Nga ora 18:00 në Komunën e Skenderajt do të mbahet manifestimi “Nata e Zjarreve”, ku fillimisht në Kompleksin Memorial në Prekaz do të ndizen flakadanët dhe me pas në Sheshin “Adem Jashari” do te mbahet një program kulturor-artistik.
* Në kuadër të Manifestimit do të realizohen edhe këto aktivitete:
– Turneu në Shah
– Turneu në Volejboll
– Turneu në Futsall
– Turneu i Shenjëtarisë dhe Shigjetarisë
Këshilli Organizativ ka ftuar qytetarët që në mënyrë masovike t’i bashkohen manifestimeve dhe së bashku të nderohet vepra heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari të Prekazit dhe të gjithë të rënëve për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Para 20 vitesh, në 5 mars 1998, raportoja për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lamjeve të Shqipërisë – ATSH se forca të mëdha serbe të blinduara kishin filluar që në mëngjes një sulm kundër shqiptarëve në Drenicë.
Forcat serbe kishin zënë pozicione dhe ishin fortifikuar rreth Prekazit dhe qëllonin me armë të kalibrave të ndryshëm mbi vendbanimet shqiptare. Prekazi po qëllohet edhe me topa të rëndë, dëshmonin burime nga vendi i ngjarjeve, ndërsa ishin vënë në përdorim edhe helikopterë dhe nga veriu vinin njoftime se forca të reja ushtarake dhe policore serbe po hynin në Kosovë nëpër luginën e lumit Ibër drejt Mitrovicës dhe nga Merdare drejt Podujevës.
Në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviç, i cili ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në 6 mars 1998, në një konferencë shtypi në Prishtinë para rreth 200 gazetarëve të huaj dhe vendas, përsëriste thirrjen drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për të ndërhyrë pa humbur kohë tek autoritetet serbe dhe për t’i dhënë fund menjëherë gjakderdhjes. Rugova kërkonte që çështja e Kosovës të shqyrtohet urgjentisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Kosova të merret urgjentisht nën mbrojtjen ndërkombëtare – duke lënë të nënkuptohet edhe mbrojtjen ushtarake.
REPORTAZH
KOSOVË – LIRI E PËRJETSHME NË PREKAZ
-Nga Behlul JASHARI-Reportazh nga Prekazi, i shkruar në mbrëmjen e 31 janarit 2010, i botuar atëherë në 1 shkurt në Tiranë – Agjencinë shtetërore-zyrtare të lamjeve të Shqipërisë/
Dëbora, si një bardhësi paqeje, e ka mbuluar Prekazin, fshatin i cili 12 vjet më parë, më 5 mars 1998, u përball me egërsinë e makinerisë luftarake serbe kundër shqiptarëve, familjes së Jasharajve të fortifikuar në kulla për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe Kosovën.
Mbi kullat legjendë valëviten dy flamuj kombëtar shqiptarë si në majën më të lartë të botës, të lavdisë, heroizmit, të sakrificësës e flijimit për liri. Flamuri kuqezi valon edhe lart në një kodrinë, ku prehen në amshim 60 heronj e dëshmorë të rënë në epopenë e Jasharëve, Prekazit, Drenicës, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Pranë varrezave memorial, ngritur me mermer të bardhë, qëndrojnë në nderim të përhershëm ushtarët e forcës kosovare.
Ky është imazhi i parë nga Prekazi në prag të dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtit.
Historia tregon se Jasharajt e Prekazit janë sulmuar tre herë. Sulmi i parë ishte më 30 dhjetor 1991, ndërsa i dyti më 22 janar 1998. Të dy herët sulmuesit u thyen dhe zmbrapsën para qëndresës heroike.
Sulmi i tretë i forcave serbe ishte ushtarako-policor, luftë kundër një familje.
Gjatë rezistencës, më 5, 6 e 7 mars 1998, plot tri ditë e dy netë, ranë heroikisht 20 anëtarë të familjes Jashari, prej 22 që ishin në rrethimin e forcave serbe. Ndër të rënët ishte edhe komandanti legjendar Adem Jashari. Shpëtoi djali i dytë i Rifatit, Bashkimi, dhe vajza e Hamzës, Besarta. Ndërsa në familjen e gjerë Jashari kanë rënë 56 dëshmorë. Mes tyre nëntë fëmijë dhe disa të moshuar deri 93-vjeç…
Kryefamiljari Rifat Jashari, në odën e tij kujton si i ka përjetuar ato ditë dramatike, i ndodhur atëherë jashtë vendit, në Gjermani, bashkë me të birin, Muratin dhe Lulëzimin e Bekimin, djemtë e Ademit dhe Hamzës.
“Do mbesim veç ne katër, pata thënë atëherë, atë ditë që ka krisë në Prekaz…”, thotë Rifati, i cili tregon se kishte bërë telefonata të shumta në Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë, Skënderaj… dhe kishte marrë versione të ndryshme për luftën e familjes së tij në Prekaz.
“Të vertetën drejt ma tregoi vetëm Sabit Istogu, që ishte shok i Hamzës”, vazhdon Rifati rrëfimin . “Rash në lidhje me Sabitin…Edhe m’u drejtua: Bac, kullat po i bombardojnë. Jemi në rreth të hekurt, tank pas tanku”.
Baca Rifat e vazhdon rrëfimin, flet për përtëritjen e familjes dhe të jetës, për njëmbëdhjetë fëmijtë e lindur pas zjarrit të madh të luftës, të cilët mbajnë emrat e të rënëve.
“Shpëtuan dhjetë anëtarë të familjes. Prej dhjetëve numri shkoi në 25. Që dy orë isha duke luajtur me fëmijët nëpër oborr… E çka po do pasuri më të madhe. Unë për veti pasuri më të madhe nuk di. Njëmbëdhjetë fëmijë i ka falë zoti, cilin ta kqyrësh më i shëndoshë se shoqi”.
Njeriu i familjes që ka dhënë 56 heronj e dëshmorë për lirinë e pavarësinë e Kosovës, thekson nderimin e madh e të gjithmonshëm të kombit.
“E falënderoj këtë popull, prej të gjitha viseve shqiptare, kudo që jetojnë, që kurrë nuk ka lënë vetëm…”, thotë Rifati.
Dhe, në veçanti, kryefamiljari i Jasharëve flet për Shqipërinë.
“Nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, e më duket edhe nga secili fshat i Shqipërisë, kanë ardhë në këtë odë për të na uruar kur Kosova shpalli pavarësinë. Kanë ardhur edhe shumë herë të tjera…”
Rifati i Jasharëve të Prekazit kujton me shumë mirënjohje ndihmën e gjithmonshme të Shqipërisë për Kosovën edhe në kohët më të vështira të luftës, kur strehoi shumicën e rreth një milion shqiptarëve të dëbuar. Nuk thotë kosovarëve, se “komb kosovar s’ka”.
“Po mos të mos ishte shteti amë nuk e di ku do ishim sot. E gjithë Shqipëria i priti vëllezërit e motrat nga Kosova”.
Ai vlerëson lart të gjitha angazhimet e shtetit shqiptar, edhe në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë, edhe tani me mbështetjen e diplomacisë shqiptare drejt njohjeve të reja.
Nga oda e Jasharëve në Prekaz Baca Rifat jep mesazhin se Kosova, edhe udhëheqësit e saj, edhe të gjithë, duhet të punojnë edhe më shumë për Kosovën e kombin.
“I lumi është ai që punon për komb të vet, për vend të vet…”, thotë ai.
Ai jep edhe mesazhin për unitet të shqiptarëve kudo që janë për çështjet madhore, për bashkëpunim mes partive, pozitës dhe opozitës.
Kryefamiljari tregon se në Prekaz dhe në odën e Jasharajve vizitorët e shumtë janë nga gjithë Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina ePreshevës, Mali i Zi e nga shumë anë të botës, mes tyre edhe personalitete të njohura.
Ndërsa, ciceroni i Kompleksit Memoral në Prekaz, Xhevat Imeri, thotë se gjatë 11 vjetëve të pasluftës ka patur më shumë se tetë milionë e gjysmë vizitorë.
Ndër personalitetet më të larta që kanë vizituar Prekazin është edhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.
“Në Prekaz janë themelet e lirisë së Kosovës”, u shpreh Kryeministri Berisha në vizitën e parë më 16 qershor 2006.
“Vizita në Prekaz është vizita në tempullin e lirisë, flaka e të cilës këtu nuk u shua kurrë. Është vizita në vendin, në shtëpinë e tribunit të lirisë, komandantit legjendar të luftës së shqiptarëve të Kosovës për liri, dinjitet njerëzor, nder, dinjitet kobëtar. Në Prekaz janë themelet e lirisë së Kosovës. Në veprën e Adem Jasharit e familjes së tij, familje që sakrifikoi sa asnjë tjetër në historinë e kombit, për lirinë e Kosovës, mbetet flaka, mbetet simboli i madh i shpresës, i besimit të shqiptarëve tek një e ardhme e shkëlqyer”, u shpreh atëhere Kryeministri Berisha, duke shprehur bindjen se kombi shqiptar në liri do të ndërtojë të ardhmen më të shkëlqyer, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.
Në Prekaz ishte edhe kryeadministratori i parë i Kosovës, Bernard Kushner.
“Dua ta them një të vërtetë të madhe, Prekazi lëvizi të gjithë mekanizmat botërorë që ndikuan për të vepruar konkretisht. Dhe, sikur të kishte pasur Çmim Nobel për Liri, atëherë ai do t’i takonte familjes Jashari”, ka theksuar Kushner, cituar në një nga librat në muzeun e kompleksit memorial.
Ndërsa, mijëra e mijëra vizitorë në Prekaz kanë shkruar e kanë firmosur në librin e përshtypjeve, që është një libër i madh, gjithmonë i hapur dhe i pafund.
Ndër të nënshkruarit në atë libër është edhe shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare.
Dhe, këtë shkrim nga Prekazi, që mund të jetë edhe i pafund, po e mbyllim në mbrëmjen e fundjanarit me një theksim nga ajo që ka shkruar Kadare: “Ndodhem në familjen e Jasharëve, atje ku nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që e ndriçoi krejt Prekazin, e pas tij Drenicën, e pas saj mbarë Kosovën. Ajo shkrepëtimë e zgjoi nga gjumi Evropën e botën. Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të nuk zbehet kurrë”…
*-Reportazh i vitit 2010: Liri e përjetshme në Prekaz/