




-Presidenti Thaçi dekoroi Presidentin Clinton me “Urdhrin e Lirisë”: Presidenti Clinton është simbol i besimit, optimizmit dhe shpresës për qytetarët e Kosovës/
-Presidenti Clinton, pasi pranoi dekoratën, u shpreh se Kosova e meriton lirinë dhe vendin në NATO dhe Bashkim Evropian
-Kryeministri Haradinaj: Presidenti Bill Clinton, njeriu më meritor që Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran/
-Edhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright ka mbërritur sot në Kosovë dhe do pritet në takime nga drejtuesit më të lartë të vendit/
-Clinton dhe Albright do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, ditën e mërkurë, 12 Qershor 2019, në Prishtinë në Sheshin “Skëndërbeu” në mesditë/
-Nesër në Prishtinë përurohet Busti i Sekretares Albright në sheshin me emrin e saj, afër American School of Kosova – te Newborn/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 11 Qershor 2019/ Presidenti Amerikan Bill Clinton është Hero i Lirisë së Kosovës, u tha sot në Prishtinë në pritjen madhështore, me shumë mirënjohje e falënderime, nga drejtuesit e shtetit e edhe nga populli në sheshet “Nënë Tereza”, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe “Ibrahim Rugova”, e fillimisht në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” të kryeqytetit.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Presidentin e 42-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, në 20 vjetorin e lirisë së Kosovës.
Presidenti Thaçi ka thënë se presidenti Clinton është simbol i besimit, optimizmit dhe shpresës për qytetarët e Kosovës.
Ai ka pohuar se presidenti Clinton ishte lideri që bashkoi botën kundër padrejtësive, ishte politikani më këmbëngulës për të siguruar lirinë e Kosovës.
“Ne përulemi me një mirënjohje të thellë para jush për lirinë e Kosovës. Shprehim mirënjohje të madhe për SHBA-në që udhëhoqi në fushatën për të ndalur spastrimin etnik dhe për t’i kthyer në shtëpitë e tyre qytetarët e Kosovës, për të rindërtuar jetë të re dhe paqe për të gjithë”, ka thënë presidenti Thaçi.
“Dhe nuk ka sesi të mos ndjehemi krenarë që këtij kontribuuesi të madh të lirisë sonë t’i shprehim mirënjohjen e thellë që populli i Kosovës ndjen për të. Faleminderit president Clinton!”, ka shtuar ai.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, presidenti Thaçi e ka dekoruar presidentin Clinton me Urdhrin e Lirisë.
“Duke u bazuar në kompetencat e mia si President i Kosovës, por edhe si mik i juaji, sot ndaj çmimin në emër të institucioneve të Kosovës, popullit të Kosovës, Urdhrin e Lirisë. Nuk ka çmim që mund të shpërblejë atë kontribut tuajin, se dekorimi më i madh është liria e vendit të Kosovës që ka reflektuar me paqe dhe stabilitet në krejt Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.
Presidenti Clinton, pasi pranoi dekoratën, u shpreh se Kosova e meriton lirinë dhe vendin në NATO dhe Bashkim Evropian.
Presidenti Thaçi shtoi se mirënjohja më e lartë për presidentin Clinton është Kosova e rindërtuar, që jeton në liri dhe punon për paqe kudo në botë.
Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim ish-presidentin e SHBA-së, Bill clinton, i cili mbërriti në Prishtinë festën e lirisë – 20 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë.

“President Bill Clinton, ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen. Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe tek populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur. Falë vendosmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës. Falë kësaj kthese historike, fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Ai shtoi se presidenti Clinton ka merita të veçanta që Kosova sot frymon lirshëm, që Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran.
“Miqësia jonë me Ju, bashkëshorten tuaj, ish-sekretaren e shtetit, Hillary Clinton dhe në përgjithësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë e përjetshme ”, tha kryeministri Haradinaj, duke e falënderuar përzemërsisht ish-presidentin Clinton për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe po vazhdojnë t’i japin Kosovës edhe në ditët e sotme, por edhe për kontributin e tij personal për të marrë vendimin kapital në një moment të vështirë dhe dramatik për popullin e Kosovës.

“Kosova dhe populli i saj gëzojnë respektin më të madh për ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, për rolin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushatën ajrore të Aleancës Veriatlantike kundër forcave serbe më 1999. Dhe për këtë, sot ish-presidenti Clinton me të drejtë konsiderohet sinonim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj.

Në këtë takim, kryeministri Haradinaj, e njoftoi ish-presidentin Clinton për zhvillimet politike në Kosovë, për zhvillimin e gjithmbarshëm në ekonomi, forcimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër korrupsionit, përmbushjen e Axhendës së Reformave Evropiane, duke theksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Temë e bisedës në këtë takim ishte edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryeministri Haradinaj tha se Kosova është e interesuar për arritjen e një marrëveshje obligative ligjore ndërmjet dy shteteve, që nënkupton njohjen reciproke.
Në takim, kryeministri Haradinaj theksoi nevojën e mbështetjes së ish-presidentit Clinton dhe të SHBA-ve në përgjithësi për proceset e rëndësishme për Kosovën, me theks lobimin për shtimin e numrit të njohjeve, si dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Në 20 vjetorin e hyrjes së NATO-s dhe për kontributin e tij dhënë për Kosovën, kryeministri Haradinaj i ka dhuruar ish-presidentit amerikan Clinton Pullën Postare, që mban figurën e ish-presidentit Bill Klinton, të cilën e ka emetuar Posta e Kosovës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kohën e luftës në Kosovë, Bill Clinton, nesër do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, që do mb ahet në Prishtinë në Sheshin “Skëndërbeu” në orën 11:00.
Presidenti amerikan Clinton në Aeroportin e Prishtinës është pritur nga ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli.
Me këtë rast ish-presidentja Jahjaga është shprehur:

“Ishte nder dhe privilegj i madh ta mirëpres ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike. Në kohën më të errët të historisë moderne të vendit tonë, vendosmëria dhe guximi i Presidentit Clinton ishin vendimtare për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë një populli të tërë. Vendimi i Presidentit Clinton për të mbështetur fushatën e NATO-së në dhënien fund të luftës në Kosovë ndaloi një katastrofë njerëzore që po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha në Ballkan. Lidershipi i Presidentit Clinton ndryshoi kursin e historisë së Kosovës dhe u bë garantues për rivendosjen paqës dhe të stablitetit në të gjithë rajonin.

Mbështetja a palëkundur e tij për Kosovën dhe popullin e saj është simbol i miqësisë dhe aleancës së fuqishme të Shteteve të Bashkuara me Kosovën!
Përjetësisht mirënjohës!”.
Edhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright ka mbërritur sot në Kosovë dhe është pritur në ardhje nga ish-presidentja Atifete Jahjafa, e cila deklaroi:
“Jam krenare që, njëzet vite pas çlirimit, të mirëpres në Kosovë ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeline Albright – njërën nga kontribueset më të fuqishme në lirinë dhe pavarësinë tonë. Vendosmëria dhe përkushtimi i Sekretarës Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë dhe shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmën tonë. Sekretarja Albright, e cila ishte e pakompromis ndaj dhunës që regjimi i Millosheviçit po ushtronte në Kosovë, sot erdhi në një Kosovë që kultivon vlerat për të cilat ajo është angazhuar- lirinë, demokracinë, tolerancën dhe paqen.
Përjetësisht mirënjohës!”.
Edhe ish- Sekretarja Amerikane e Shtetit, Albright do pritet në takime nga drejtuesit më të lartë të shtetit kosovar dhe do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, ditën e mërkurë, 12 Qershor 2019, në Prishtinë në Sheshin “Skëndërbeu” në mesditë.
Nesër në Prishtinë përurohet Busti i Sekretares Albright në sheshin me emrin e saj, afër American School of Kosova – te Newborn.
Mbrëmjen e sotme mbahet koncerti i Filarmonisë së Kosovës, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.
Kosova feston jubileun e 20 vjetorit të lirisë, përgjithmonë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike.(Me shume fotografi gjeni ne facebook)