

NY, 27 shtator, 2025/
Një ditë e veçantë dhe plot emocion u shënua në historinë e komunitetit shqiptar në Bronx, sot kur Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH. T. Z. Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Shkollën Shqipe “Children of the Eagle” në Neë York. Kjo vizitë solli momente të paharruara dhe krenari e emocion për nxënësit, prindërit dhe mësuesit.
Presidenti shoqërohej nga Zonja e Parë, Armanda Begaj, nga Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Suela Janina dhe Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati. Në këtë veprimtari mori pjesë edhe drejtoresha e shkollës publike PS 108, znj. Stefania Cedrola Mustafa, e cila vlerësoi punën e veçantë të shkollës shqipe dhe inkurajoi nxënësit që të vazhdojnë të ndjekin programin si një rrugë për ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë së tyre kulturore.
Aktiviteti nisi me këndimin e Himnit Kombëtar, duke i dhënë veprimtarisë solemnitetin që meritonte.
Presidenti përshëndeti pjesëmarrësit, duke vlerësuar punën e palodhur të shkollës dhe rëndësinë që ka të mësuarit e gjuhës shqipe dhe ruajtja e kulturës kombëtare. Ai falenderoi mësuesit, familjarët, vetë nxënësit, si dhe drejtuesen e shkollës.
“Dua me këtë rast të falenderoj në mënyrë të vecantë zonjën Drita Gjongecaj për përkushtimin e palodhur, vizionin dhe lidershipin e saj. Falë saj dhe punës së kolegëve, por kuptohet edhe ju si familjarë, kjo shkollë është një shembull dhe një tempull i identitetit shqiptar këtu në zemër të Nju Jorkut.”
Më tej, Presidenti vazhdoi:
“Kur fëmijët tanë flasin shqip, ata nuk mësojnë vetëm gjuhën po mësojnë një pjesë të një populli që ka mbijetuar falë dashurisë ndaj atdheut, falë kulturës së tyre.
Të dashur fëmijë, ju jeni fëmijët e shqiponjës. Kudo që jeta do t’u cojë, mos harroni se shqiponjat fluturojnë shumë, shumë lart por shqiponja kurrë nuk e harron ku e ka folenë. Dhe ju sot jeni ata të cilët do të keni dy kultura, dy gjuhë dhe dy atdhe, Shqipërinë dhe Amerikën. Kjo është forca juaj për të ardhmen, kjo është pasuria juaj më e madhe dhe do t’u hapë dyert kudo në jetë.
Ju falenderoj shumë nga zemra që mbani gjallë gjuhën, traditat dhe vlerat tona. Uroj që kjo shkollë me dashurinë e përkushtimin e këtyre mësuesve, me dashurinë dhe përkushtimin tuaj si prindër do të vazhdojë të rritet, të frymëzojë dhe të udhëheqë jo vetëm këtë brez kaq të mirë që mëson por shumë e shumë breza të tjerë të cilët do të jetojnë në NY e më gjerë.”
Fjalën e Tij, Presidenti e mbylli duke vecuar me entuziazëm moton e Shkollës së Trashëgimisë Shqipe “Children of the Eagle”, moto të cilën kjo shkollë e mban si një mesazh të fuqishëm për gjeneratat e reja:
Shqip do flas e shqip do shkruaj,
Edhe pse jam ne dhe të huaj,
Gjuhë të nënës shqipen e kam,
Jam krenar që shqiptar jam!
Me interes e dashamirësi u prit edhe fjala e drejtoreshës së shkollës publike, Stefania Mustafa. Ndër të tjera, ajo tha: “Ky program është më shumë sesa mësimet që zhvillohen në fundjavë. Ky është një urë midis brezave, festim i trashëgimisë dhe një mundësi për nxënësit tanë që të përqafojnë gjuhën, traditën dhe vlerat e Shqipërisë ndërsa rriten këtu në qytetin e Nju Jorkut. Duke mësuar këngë, valle, histori dhe letërsi, fëmijët tanë jo vetëm që forcojnë kulturën e tyre shqipe, por edhe pasurojnë strukturën e larmishme të të gjithë komunitetit tonë shkollor.”
Ndërkohë, znj. Drita Gjongecaj, themeluese dhe drejtore e Shkollës “Children of the Eagle”, njëkohësisht zv/drejtore në një nga shkollat publike amerikane në NY, shprehu vlerësimin për vizitën e Presidentit dhe risolli në vemendjen e të pranishmve dy arritjet historike të muajve të fundit:
“Do të doja të rikujtoja vetëm dy arritje historike të komunitetit shqiptar në lidhje me gjuhën shqipe këtë vit. Kjo jo vetëm si iniciatore dhe hartusese e propozimit për programin dygjuhësor (Dual Language) por edhe për faktin se të dy këto arritje shënuan institucionalizimin e shqipes në metropolin e madh, duke i dhënë asaj vendin e respektuar në një sistem prej rreth 1 milion studentësh të arsimit parauniversitar.
Njëra arritje është hapja e klasës dygjuhësore shqip-anglisht për herë të parë jo vetëm në NY por edhe në botën mbarë në modelin e dyanshëm të mësimit të gjuhës. Natyrisht qëllimi dhe puna do të përqëndrohen në shtrirjen e programit në shkolla dhe lagje (boroughs) të tjera në Qytetin gjigand të Nju Jorkut.
Arritja e dytë, në rrang më të gjerë se sa programet shkollore, është ajo që gjuha shqipe është miratuar si gjuhë zyrtare e komunikimeve të Bordit Arsimor të Shkollave Publike në NY.”
Znj. Gjongecaj e mbylli fjalën e saj me premtimin se puna e pandërprerë dhe e përkushtuar e mësuesve të Shkollës së Trashëgimisë Shqipe “Children of the Eagle” do bëjë të mundur që këta nxënës të jenë ambasadorë të vendit tonë kudo që shkelin. Për më tepër, me zotërimin e dy gjuhëve dhe formimin si qytetarë globalë, ata do mund të përfaqësojnë vendin e prejardhjes edhe jashtë Amerikës dhe pse jo, në rolin e mirëfilltë të Ambasadorit në Amerikë, Evropë apo diku tjetër.”
Një grup nxënësish përshëndetën dhe falënderuan Presidentin për vizitën dhe librat e dhuruar, duke treguar me fjalë të thjeshta pse ata duan të mësojnë shqip. Programi u pasurua me recitime nga nxënësit Niko, Fatjon dhe Joana ndërsa fëmijët valëvitnin flamujt e vegjël kuqezi.
Me një gjest simbolik, Presidentit iu dhurua bluza e shkollës me emrat e të gjithë nxënësve. Në një atmosferë të ngrohtë e të afërt, Ai u ul mes fëmijëve, bëri fotografi me ta dhe i përgëzoi për dëshirën dhe përpjekjet që tregojnë në mësimin e gjuhës së prejardhjes. Rradhët e gjata të prindërve dhe fëmijëve për të fiksuar një kujtim pranë Presidentit treguan emocionin dhe rëndësinë e këtij takimi të ngrohtë.
Kjo vizitë do të mbetet gjatë në kujtesën e komunitetit shqiptar në Bronx, si një dëshmi e lidhjes së fortë mes Shqipërisë dhe bijve të saj në mërgatë, por edhe si një shtysë e re për fëmijët që të rriten krenarë për origjinën e tyre dhe të formohen si qytetarë globalë, të gatshëm të kontribuojnë si në vendin ku jetojnë, ashtu edhe në atdheun e tyre.