“Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar në intensifikimin e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, forcimin e shtetit të së drejtës dhe përshpejtimin e ritmit të reformave për arritjen e stadardeve evropiane”.
Kështu është shprehur Presidenti Bujar Nishani gjatë fjalimit të mbajtur në takimin e Kryetarëve të Procesit të Brdo-s, që po mbahet në Slloveni duke shprehur edhe angazhimin serioz të mazhorancës së re qeverisëse në këtë drejtim.
“Kam bindjen se ajo do të realizojë me sukses programin e saj ambicioz. Kështu, do t`u ofrojmë qytetarëve tanë shërbime të cilësisë evropiane dhe do të arrijmë objektivin më prioritar strategjik, integrimin evropian” tha Nishani.
Gjithashtu, Nishani u shpreh se politika e jashtme e Shqipërisë është e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal.
“Shqipëria nuk ka probleme të hapura me asnjë nga vendet e rajonit. Interesave kombëtare të Shqipërisë u shërbehet mirë në një mjedis rajonal paqësor, të stabilizuar, demokratik, ekonomikisht të zhvilluar. Ne kemi inkurajuar shqiptarët në rajon që të veprojnë në mënyrë institucionale dhe të mbështesin reformat për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, si edhe procesin e integrimit evroatlantik të vendeve ku ata jetojnë. Natyrisht, do të jemi gjithmonë për respektimin e të drejtave të tyre sipas standardeve më të përparuara evropiane dhe ndërkombëtare. Kjo politikë, e formësuar dhe zbatuar pa ekuivoke prej më shumë se dy dekada, do të mbetet një konstante, në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal” theksoi Nishani.
Gjithashtu Presidenti Nishani ka rikujtuar se më 16-17 shtator do të zhvillohet në Durrës, Samiti i pestë Rajonal Vjetor i radhës.
“Gjatë këtyre takimeve të përvitshme, ne kemi rikonfirmuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, miqësisë e bashkëpunimit midis vendeve tona, si edhe jemi angazhuar të kontribuojmë në nxitjen e mëtejshme të kësaj fryme, si në dialogun politik, bashkëpunimin ekonomik dhe në çështje të interesave të përbashkëta rajonale dhe në bashkëpunimin në kuadër të integrimit evropian të vendeve tona. Ne besojmë dhe, me gjithë zemër urojmë që këtë vit të kemi mes nesh edhe presidentët e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës” tha Nishani.
Kreu i shtetit Nishani më tej u shpreh se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka ndërruar faqen e historisë, duke u shndërruar nga burim kokëçarjesh në rajonin e mundësive të shumta.
“Ai mbart potenciale turistike, kulturore dhe historike, burime të shumta natyrore dhe ndodhet në një pozicion të favorshëm gjeografik. Tashmë dialogu është gjuha e komunikimit, ku bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë risia më e këndshme dhe meritojnë mbështetje të veçantë. Por, ne mendojmë se bashkëpunimi rajonal konkretizohet, përtej deklaratave verbale, nëpërmjet projekteve konkrete për krijimin e një infrastrukture të përbashkët moderne rajonale, bashkëpunim në fushën e turizmit, transport, mbrojtjen e ambientit, heqjes së gjithë barrierave jo-fizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të njëri-tjetrit. Angazhimi ynë i përbashkët do t`i shërbejë rritjes së potencialit ekonomik të rajonit, për ta bërë atë një treg të dukshëm, tërheqës dhe konkurrues për investitorët e huaj nga e gjithë bota” tha ai.
FJALIMI I PLOTE
Fjalimi i Kryetarit të Shtetit shqiptar në seancën plenare të Takimit të Kryetarëve të Procesit të Brdos:
I nderuar Presidenti Hollande,
I nderuar Presidenti Pahor,
I nderuar Presidenti Josipović,
Të nderuar zotërinj Ministra,
Zonja dhe zotërinj!
Kam nderin dhe kënaqësinë, që, në emrin tim, dhe të delegacionit shqiptar, të shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin për Presidentin Hollande prania e të cilit në këtë takim flet qartë. Franca dhe Bashkimi Evropian, me vepra dhe qëndrime konkrete, po i kushtojnë vëmendjen e duhur Ballkanit Perëndimor, mbajnë të gjallë dhe intensive dialogun dhe mbeten të përkushtuara në zbatimin e politikës së zgjerimit drejt rajonit tonë edhe në këto kohë jo të lehta krize.
Një falenderim i përzemërt shkon, në mënyrë të veçantë, për presidentët Pahor dhe Josipović, për sipërmarrjen e tyre. Sllovenia dhe Kroacia, me performancën e tyre të shkëlqyer, kanë merituar anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe janë bërë gjithashtu, përfaqësues të denjë të imazhit të një rajoni, i cili po ndryshon pozitivisht. Kur them këtë, kam parasysh, jo vetëm reformat e suksesshme që kanë afruar standardet e këtyre vendeve me ato evropiane, por edhe faktin se janë një shembull për mënyrën e zgjidhjes së çështjeve dypalëshe. Ata janë zëra të fortë, avokatë të rajonit në BE.
Eksperiencat sllovene dhe kroate janë një vlerë që duhet shfrytëzuar në procesin tonë integrues. Ne do të mund të shkëmbejmë eksperiencat tona për atë që gjithsecili nga ne ka bërë mirë, ose jo.
Të nderuar miq!
Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka ndërruar faqen e historisë, duke u shndërruar nga burim kokëçarjesh në rajonin e mundësive të shumta. Ai mbart potenciale turistike, kulturore dhe historike, burime të shumta natyrore dhe ndodhet në një pozicion të favorshëm gjeografik. Tashmë dialogu është gjuha e komunikimit, ku bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë risia më e këndshme dhe meritojnë mbështetje të veçantë.
Por, ne mendojmë se bashkëpunimi rajonal konkretizohet, përtej deklaratave verbale, nëpërmjet projekteve konkrete për krijimin e një infrastrukture të përbashkët moderne rajonale, bashkëpunim në fushën e turizmit, transport, mbrojtjen e ambientit, heqjes së gjithë barrierave jo-fizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të njëri-tjetrit. Angazhimi ynë i përbashkët do t`i shërbejë rritjes së potencialit ekonomik të rajonit, për ta bërë atë një treg të dukshëm, tërheqës dhe konkurrues për investitorët e huaj nga e gjithë bota.
Zbatimi i “Trans Adriatic Pipeline” (Projekti TAP) ofron një mundësi të artë për të gjithë vendet tona. Tashmë është bërë konkretisht i nevojshëm bashkëpunimi për të lobuar për Projektin Jonian Adriatic Gas Pipeline – (Projekti IAP), një projekt i propozuar për ndërtimin e tubacionit të gazit natyral nga Shqipëria përmes Malit të Zi, Bosnjë Hercegovinës deri në Split, Kroaci.
“Korridori 8 –të” është nismë e filluar nga viti 1996, do të kalojë nga Bullgaria, Maqedonia dhe Shqipëria për të përfunduar në Bari/Brindisi mbetet një sfidë tjetër e rëndësishme.
Në mënyrë që të rritet konkurrenca dhe siguria e furnizimit me burime energjetike në nivel rajonal, vendet e Evropës Juglindore dhe Bashkimit Evropian kanë nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Energjisë. Objektivi afatgjatë është krijimi dhe të bërit funksional të instrumenteve të shkëmbimit të burimeve energjetike, si dhe krijimi i një Tregu Rajonal të Integruar Evropian, në mënyrë që çdo vend të marrë përfitime sa më të mëdha.
Integrimi me rrjetin rajonal është një dimension i politikave tona. Ai konsiston në ndërtimin e linjave të interkonjeksionit me të gjitha vendet kufitare si dhe me Italinë. Në këtë mënyrë, do të krijojmë mundësinë e shkëmbimit të energjisë me vendet fqinje dhe më gjerë.
Zonja dhe zotërinj!
Politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë është e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal. Shqipëria nuk ka probleme të hapura me asnjë nga vendet e rajonit.
Interesave kombëtare të Shqipërisë u shërbehet mirë në një mjedis rajonal paqësor, të stabilizuar, demokratik, ekonomikisht të zhvilluar.
Ne kemi inkurajuar shqiptarët në rajon që të veprojnë në mënyrë institucionale dhe të mbështesin reformat për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, si edhe procesin e integrimit evroatlantik të vendeve ku ata jetojnë. Natyrisht, do të jemi gjithmonë për respektimin e të drejtave të tyre sipas standardeve më të përparuara evropiane dhe ndërkombëtare. Kjo politikë, e formësuar dhe zbatuar pa ekuivoke prej më shumë se dy dekada, do të mbetet një konstante, në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal.
Në Shqipëri do të zhvillohet këtë vjeshtë, dhe pikërisht në Durrës, më 16-17 shtator Samiti i pestë Rajonal Vjetor i radhës. Gjatë këtyre takimeve të përvitshme, ne kemi rikonfirmuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, miqësisë e bashkëpunimit midis vendeve tona, si edhe jemi angazhuar të kontribuojmë në nxitjen e mëtejshme të kësaj fryme, si në dialogun politik, bashkëpunimin ekonomik dhe në çështje të interesave të përbashkëta rajonale dhe në bashkëpunimin në kuadër të integrimit evropian të vendeve tona. Ne besojmë dhe, me gjithë zemër urojmë që këtë vit të kemi mes nesh edhe presidentët e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Mbetemi plotësisht të përkushtuar në intensifikimin e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, forcimin e shtetit të së drejtës dhe përshpejtimin e ritmit të reformave për arritjen e stadardeve evropiane. Ky është një proces, që kërkon vijueshmëri. Kur them këtë, kam parasysh edhe angazhimin serioz të maxhorancës së re qeverisëse, të dalë nga zgjedhjet e fundit dhe bindjen se ajo do të realizojë me sukses programin e saj ambicioz. Kështu, do t`u ofrojmë qytetarëve tanë shërbime të cilësisë evropiane dhe do të arrijmë objektivin më prioritar strategjik, integrimin evropian.
Së fundi, përfitoj nga rasti për të shprehur bindjen time në suksesin e këtij takimi dhe të procesit tonë të bashkëpunimit në vijimësi, si dhe të garantoj përkushtimin tim dhe të vendit tim ndaj tij.
Ju faleminderit!