-Ishte viti 1995, kur në 7 dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, rrugës për në Uashington, në Aeroportin e Romës, takohet me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen/
-Presidenti Rugova: Ato pak çaste që kemi kaluar, kur iu prezantova si President i Kosovës, Nënë Terezes i rodhën lotët… Shenjtërimi i saj është një akt i madh për popullin tonë dhe një përjetësim i popullit tonë në historinë modene dhe në kohërat që vijnë/
-Vatranët Presidentin Rugova e kanë pritur e shoqëruar në të gjitha vizitat në SHBA. I kujtojmë edhe në 16 gusht 2016 me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra gjatë vizitës në Ipeshkvinë e Kosovës, Katedralen Nëna Terezë dhe Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë/
-Rugova: Shtatorja e Nënës Tereze në Prishtinë, dhuratë e Lekë Gojçajt, veprimtarit dhe atdhetarit të njohur në SHBA…Tash Prishtinën dhe Nju Jorkun i lidh më shumë Nëna Tereze/
-Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 20 vjet pranie në Kosovë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 3 Shtator 2016/ Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka takuar të Lumen Nënë Tereza, nobelisten – nënën tipike shqiptare, që është edhe e gjithë botës, siç është shprehur ai.
Ishte viti 1995, kur në 7 dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, takohet me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen. “Do të lutem për popullin e Kosovës”, tha Nëna Tereze gjatë këtij takimi me Presidentin Rugova. Takimi u zhvillua në Aeroportin e Romës, gjatë rrugës së Presidenti Rugova për në Uashington.
RUGOVA: NËNA TEREZË MË KA FRYMËZUAR SHUMË GJATË KËSAJ KOHE PREJ QË MERREM ME PUNË EDHE TË SHTETIT TË KOSOVËS
“Unë e kam takuar vetëm një herë Nënën Tereze në Aeroportin e Romës, rastësisht, por veprën e saj e njoh shumë, shumë mirë…Ato pak çaste që kemi kaluar, kur iu prezantova si President i Kosovës i rodhën lotët, ishte në vitin 1995…dhe dëshiroi sukses dhe punë dhe e ndinte në zemër popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar që e ka dëshmuar edhe me vepër”, ka treguar Presidenti Rugova.
Ai ka vlerësuar se, Nëna Terezë është sublimim shekullor i kulturës e traditës shqiptare, nënës shqiptare dhe se shenjtërimi i saj është një përjetësim i filozofisë së saj, merr një formë institucionale dhe kanonike.
“Mbas Skenderbeut që ka fut popullin shqiptar në historinë moderne të Evropës e të perëndimit e të botës, Nëna Tereze e ka inkuadrur popullin shqiptar sot në universin, në botën globale të sotme që ne identifikohemi me të dhe ajo identifikohet me ne, por është edhe e gjithë njerëzimit dhe ky është ndër kontributet më të madha të Nënës Terezë, që i ka bërë kombit shqiptar, Kosovës, popullit të saj… Shenjtërimi i saj është një akt i madh për popullin tonë dhe një përjetësim i popullit tonë në historinë modene dhe në kohërat që vijnë”, është shprehur Presidenti Rugova.
Në punën e Shtetit, ka thënë Presidenti i Kosovës Rugova, unë gjithmonë jam frymëzuar nga vepra e madhe e dashurisë së ushtruar ndaj të afërmit nga Nënë Tereza dhe pandërprerë e kam pasur shembull e ideal timin.
“Mua më ka frymëzuar shumë gjatë kësaj kohe prej që merrem me punë edhe të Shtetit të Kosovës që e kemi formuar Shtetin modern të Kosovës, pra po bëhen rreth 15 vite, dhe Nënën Terezë e kam pasur si një shembull të dashurisë, të paqes, të mirëkuptimit mes njerëzve, të shërbimit për popullin e vet, për kombin e vet, ka qenë edhe një ideal, një prehje”, ka theksuar Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Ai ka përkujtuar edhe se, në Kosovë që nga viti 1990 ka funksionuarr shoqata “Nëna Terezë” e cila ka luajtur rolin e një ministrie sociale, ministrie të shëndetësisë…
2 KORRIK 2002: PRESIDENTI RUGOVA NË SHESHIN QENDROR TË PRISHTINËS PËRURON SHTATOREN E NOBELISTES SHQIPTARE NËNË TEREZA
Në 2 Korrik 2002, ditën e 12 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi, Presidenti i Kosovës dhe përjetëshëm i Pavarësisë së saj, Dr.Ibrahim Rugova, në Sheshin qendror të Prishtinës, para mijëra qytetarëve, ka zbuluar Shtatoren e Nobelistes Shqiptare Nënë Tereza. Ishin të pranishëm personalitete të jetës publike, politike e ushtarake të Kosovës dhe të komunës së Prishtinës.
Para pjesëmarrësve në solemnitet, Presidenti Rugova tha se sot është ditë e madhe për Prishtinën dhe për Kosovën. “Është ditë e madhe, sepse sot po bëjmë zbulimin e shtatores së Nënës Tereze, Nënës sonë të dashur.
Këtë shtatore të çmuar po e zbulojmë në Rrugën kryesore të Kryeqytetit, që para sa vjetesh e emëruam me emrin e Nënës Tereze, që e pranoi Prishtina dhe e gjithë Kosova”, tha Presidenti Rugova.
Ai vijoi se, “kjo ditë bëhet më e madhe me zbulimin e shtatores së Nënës Tereze, simbolit të dashurisë njerëzore, të kujdesit për njeriun, për jetën dhe për të mirën. Pra, e kemi simbolin e Nënës shqiptare, Nënës Tereze, që do ta ndiçojnë zemrën e Prishtinës dhe të Kosovës së lirë, ashtu siç e ka dashur ajo”.
“Prej sot, shtatorja e Nënës Tereze, do të jetë pranë Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Prej sot, fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm do të rriten me shtatoren madhështore të Nënës sonë të Madhe”, tha Presidenti i Kosovës, Rugova.
“Ne ndiehemi krenarë që jemi popull i Skënderbeut, që jemi popull i Nënës Tereze, Nënës sonë të shenjtë”, theksoi ai.
Dr. Rugova tha se kjo shtatore e Nënës Tereze është dhuratë e Lekë Gojçajt, veprimtarit dhe atdhetarit të njohur në SHBA, i cili për shumë vjet punoi për Kosovën dhe popullin shqiptar.
“Të njejtën shtatore zoti Gojçaj e ka dhuruar dhe vendosur pranë Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork. Tash Prishtinën dhe Nju Jorkun i lidh më shumë Nëna Tereze”, theksoi Presidenti i Kosovës, Dr. Rugova.
Presidenti Rugova me këtë rast shprehu mirënjohje të thellë për këtë dhuratë bërë Prishtinës dhe Kosovës, duke madhëruar festën e 2 Korrikut- Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Presidenti Rugova uroi qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës për Shtatoren e Nënës Tereze dhe përmbylli fjalën e tij me lutje-urime bekimi:
– Zoti e bekoftë Nënën Tereze, siç e ka bekuar.
-Zoti e bekoftë familjen Gojçaj dhe shqiptarët e Amerikës.
-Zoti i bekoftë SHBA-të.
-Zoti e bekoftë Kosovën.
DELEGACIONI I FEDERATËS PAN-SHQIPTARE TË AMERIKËS VATRA, NË KATEDRALEN NËNA TEREZË NË PRISHTINË
Në ditën e 16 gushtit 2016, një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, në Ipeshkvinë Kosovës dhe në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.
Edhe nga ana e delegacionit të Vatrës edhe nga ana Ipeshkvit u theksua se Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës “Nënë Tereza” në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për mëse 9 vite me afër 2 milionë – 1.800.000dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.
Me delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA, ishin Agim Rexhaj, zv/kryetar Vatrës, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj. Gjatë gjithë kohës isha edhe unë, prej më shumë se një viti edhe korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.
Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen “Nënë Tereza”, gurthemelin e së cilës e vuri Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe këtë të gjithë e kujtojmë gjatë bisedës.
IPESHKVI IMZOT DODË GJERGJI VLERËSON LART ORGANIZIMIN DHE KONTRIBUTET E VATRËS, ME KRYETARIN DR. GJON BUÇAJ E GJITHË VATRANËT
Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerësoi lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, me kryetarin Dr. Gjon Buçaj e gjithë vatranët.
“E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës.
Gjatë pritjes për vatranët e shqiptarëve të SHBA në Ipeshkvinë e Kosovës dhe vizitës në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë përkujtuam se, para 11 viteve, në 26 gusht 2005, gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të Katedrales katolike në Prishtinë, Presidenti Rugova theksonte: “Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”.
Gurthemeli i Katedrales u vu për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Tereze nga ana e Presidentit Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik, në oborrin e Gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Katedralja nisi të ndërtohet në 600 vjetorin e lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Presidenca e Kosovës ka vite që ndanë dekoratën Medalja Humanitare “Nëna Terezë”, që u jepet personave që kontribuojnë në çështjet humanitare…
***
Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, rrugës për në Uashington, pas takimit me Nobelisten Shqiptare Nëna Terezë në Aeroportin e Romës, të nesërmen, në 8 dhjetor takohet me Sekretarin Amerikan të Shtetit Uoren Kristofer, për herë të dytë brenda vitit 1995, pas të parit në 22 qershor, kur po ashtu, takohet me liderin e shumicës në Senatin amerikan, Robert Dol.
RUGOVA UDHËTIME TË SHPESHTA DREJT UASHINGTONIT, DY TAKIME ME PRESIDENTIN CLINTON. I KUJTOJMË ME VATRANËT QË E KANË PRITUR GJITHNJË NË SHBA
Në rrugëtimin drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova kishte udhëtime të shpeshta drejt Uashingtonit, ku në vitin 1994, në 4 shkurt, kishte takuar Presidentin e SHBA-ve, Bill Clinton. Takimi u zhvillua në hotelin “Hilton” të Uashingtonit, para fillimit të Lutjes kombëtare të mëngjesit, që organizohet për çdo vit në kryeqytetin amerikan.
Presidenti amerikan Clinton, Nënpresidenti Al Gore e personalitete të tjera ndërkombëtare, prezentuan sfidat aktuale dhe ftuan për çaste të prehjes shpirtërore, udhëheqjes morale dhe paqësore të politikës botërore.
Pas kthimit në Prishtinë në 14 shkurt 1994, Presidenti Rugova theksonte: “Vlerësoj shumë të rëndësishëm dhe të dobishëm takimin me Presidentin Amerikan Clinton, i cili shfaqi shqetësime për gjendjen në Kosovë dhe vlerësoi lart politikën tonë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës me mjete politike e në rrugë paqësore”. Clinton dhe Al Gor përsëritën qëndrimin se SHBA-të nuk do të lejojnë zgjerimin e konfliktit në Kosovë.
“Unë e kam takuar Presidentin Rugova dhe jam admirues i flakët i tij si dhe i hapave të rëndësishëm që populli i Kosovës i ka bërë për zvogëlimin e mundësive të përhapjes së një dhune me përmasa të gjera. Ne po e vëzhgojmë situatën për së afërmi atje. Për të penguar konfliktin në rajon ne kemi dërguar trupat tona në Maqedoni”, deklaronte Nënpresidenti amerikan Al Gore në 27 prill 1994.
Edhe në vitin 1998, në 29 maj, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në Uashington takohet me Presidentin Amerikan Bill Clinton. Pas takimit Rugova deklaron: “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”. Ndërsa, Clinton thotë se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.
Personalite të larta nga e gjithë bota, sa herë që vijnë në Kosovën e lirë e të pavarur kujtojnë me vlerësimet më të larta Presidentin historik Rugova.
Presidenti amerikan Bill Clinton, në 1 nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar gjatë takimit.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”, ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.
Këtë e kujtojmë edhe gjatë vizitës në 16 gusht 2016 në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë të delegacionit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku ishin edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj, e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…Vatranët Presidentin Rugova e kanë pritur e shoqëruar në të gjitha vizitat në SHBA.
SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS, 20 VJET PRANIE NË KOSOVË
Që prej 20 vitesh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, më 12 janar, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.
Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në 6 qershor 1996. Presidenti Rugova bashkë me familjen ka marrë pjesë në hapjen solemne të Zyrës Amerikane në Prishtinë, të parës nga gjithë bota, në një ditë historike.
Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.
Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja para 20 viteve…
Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në shtator të vitit 1999.
USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.
Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 korrik, Tina Kaidanow është betuar si Ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.
Zyra e SHBA-ve në Prishtinë u bë Ambasadë në një ceremoni ku kanë marrë pjesë udhëheqësit më të lartë të Kosovës. “Si rezultat i statusit të ri të Kosovës si vend i pavarur, i njohur nga shumë prej kombeve më të fuqishme dhe më të përparuara të botës, na është dhënë leja nga Kongresi i SHBA-ve për t’u hapur formalisht si ambasadë e Shteteve të Bash kuara”, ka thënë Kaidanow në ceremoninë solemne.
Ajo ka shtuar se, “derisa Zyra e SHBA-ve në Prishtinë ka funksionuar për shumë vite me të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat e një misioni të zellshëm diplomatik, emërimi si ambasadë pasqyron një fazë të re në zhvillimin tonë dhe nënvizon përkushtimin tonë të thellë dhe të qëndrueshëm për të punuar për përparimin e Kosovës dhe popullit të saj”.
Diplomatja e SHBA-ve në Prishtinë, Kaidanow, siguroi për vazhdimin dhe intensifikimin e përpjekjeve në vitet në vijmim dhe se asistenca amerikane Kosovës do të ketë për qëllim sigurimin e një të ardhme më të ndritur për të gjithë.
“Ju sjell urimet nga niveli më i lartë i Qeverisë së SHBA-ve për këtë rast shpresdhënës, përfshirë nga Sekretarja e Shtetit Rice, e cila dërgoi përshëndetjet e saj personale”, tha më tej Kaidanow.
“Është kanqësi dhe nder të jemi këtu në Kosovë në një kohë aq të rëndësishme, dhe i shprehim mirënjohjen tonë të posaçme popullit të Kosovës, i cili na ka ofruar besimin dhe bashkëpunimin e vet gjatë gjithë këtyre viteve”, ka theksuar e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë.
Duke e marrë fjalën në ceremoni atëherë Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu tha se “Kosova ka tashmë një histori të marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë farkuar nëpër kohë të stuhishme të ekzistencës sonë”.
Më tej presidenti Sejdiu përkujtoi:
“Po mbushen 12 vjet që kur kemi përfaqësim diplomatik të SHBA-ve në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane më 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit John Kornblum, ka shënuar vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Ky shënonte moment të rëndësishëm të marrëdhënieve të shkëlqyeshme në mes të Kosovës dhe SHBA-ve, do të thoshte më 1996 Presidenti Ibrahim Rugova, i cili me të drejtë e quante këtë lidhje ‘miqësi të përhershme’ në mes të dy vendeve tona”.
Më tej Sejdiu tha se Presidenti amerikan George W. Bush, në letrën e tij të njohjes së pavarësisë së Kosovës, që ia kishte dërguar atij të nesërmen e shpalljes, përkujtonte “lidhjet e thella dhe të sinqerta të miqësisë që bashkojnë njerëzit tanë”.
“Kjo miqësi, theksonte Presidenti Bush, ‘e farkuar gjatë orëve më të errëta të tragjedisë së Kosovës, është bërë edhe më e fortë në nëntë vitet që kur ka mbaruar lufta në Kosovë’”, tha Sejdiu.
“Sot, me hapjen e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, po kurorëzohet njëra pjesë e punës për vendosjen e marrëdhënive të plota diplomatike në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Kjo do të përmbyllet me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Sejdiu, President në atë kohë.
“Dita e sotme është e veçantë për ne, sepse miku ynë më i madh, SHBA-të po avancojnë statusin e prezencës së tyre në shtetin tonë të ri”, ka thënë në ceremoni atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, Presidenti i tashëm i Kosovës.
Ai vlerësoi se, “duke e avancuar statusin e zyrës së deritanishme në Ambasadë të plotëfuqishme, dëshmohet së SHBA-të kanë besim në Kosovë”.
“Prandaj, unë si Kryeministër dhe i tërë populli i Kosovës jemi të nderuar dhe jemi mirënjohës për këtë gjë. Si përfaqësues i popullit tim, me lejoni që të them se edhe ne kemi besim të madh në Shtetet e Bashkuara. Ne gjithmonë e kemi çmuar dhe do ta çmojmë miqësinë dhe marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.
“Besimi në liri, barazi, dhe drejtësi janë vlerat sublime, të cilat e bëjnë kombin amerikan të jetë madhështor sot. Prandaj, ne me vendosmëri shikojmë drejt Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim dhe kultivojmë këto vlera të përbashkëta”, nënvizoi kryeministri në atë kohë.
“Ndërkohë, që Kosova do të vazhdojë udhëtimin e saj në mesin e vendeve të lira dhe demokratike të botës, ne përgjithmonë do të ruajmë në zemrën tonë respektin e veçantë për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët janë të përfaqësuar nga kjo Ambasadë këtu”, përfundoi Thaçi duke uruar “në këtë rast madhështor”.
Në 1 korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.
Atëherë kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa (tash kryeministër) dhe ambasadorja amerikanë në Kosovë Tina Kajdanow, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për dhënien e truallit në shfrytëzim Ambasadës Amerikane, në lagjen Arbëria të kryeqytetit.
Memorandumi është edhe një shembull i forcimit të lidhjeve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, u theksua në ceremoni.
Në 5 maj 2015, në Prishtinë u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve më të larta kosovare, si dhe të ambasadave në Kosovë.
“Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet”, theksonte atëherë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në fjalën e rastit, duke iu drejtuar, Ambasadores së SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson, e cila përfundonte misionin në Prishtinë.
Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars njoftonte se, Presidenti Obama ka nominuar Greg Delawie-n që të shërbejë si Ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë.
Ambasadori i ri amerikan në Kosovë me “mirëmengjes” niste prezantimin e tij përmes videos duke paralajmëruar ardhjen në Prishtinë. “Unë jam Greg Delawie dhe është nder për mua të shërbej si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës. Pres ta vazhdoj miqësinë e gjatë mes shteteve tona. Zyrën tonë informative në Kosovë e kemi hapur në vitin 1996. Tani pothuaj 20 vjet më vonë, objekti i ambasadës sonë të re në Prishtinë është në ndërim e sipër”, shprehej ambasadori duke shtuar se shërbimi publik është i rëndësishëm për familjen e tij.
“Gjithmonë kam besuar në vlerën e marrëdhënieve mes popujve, jo vetëm mes qeverive. Vazhdimi dhe ndërtimi i lidhjeve të tilla me Kosovën, demokracinë më të re të Evropës, do të jetë njëri prej prioriteteve të mia kryesore”, theksonte ambasadori amerikan.
Njoftimi dërguar nga ambasada e SHBA në Prishtinë theksonte se, Greg Delawie ndjehet i nderuar që do të shërbejë si ambasador i ardhshëm amerikan në Kosovë.
Në 21 gusht 2015, Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delaëie, dorëzoi letrat kredenciale në pritjen me ceremoni solemne shtetërore te atëherë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, bashkë me të cilën edhe shëtitën më këmbë shesheve të Prishtinës.
Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes. Shtetin e Kosovës deri sot e kanë njohur 112 shtete anëtare të OKB-së.