Presidenti Thaçi kërkon unitet për të mirën e Kosovës/
-Presidenti Thaçi flet para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, kërkon unitet për të mirën e Kosovës/
-Forca e Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me NATO-n dhe partnerët perëndimorë ka arritur pikën kur është e gatshme të marrë përgjegjësi shtesë, ato të një ushtrie të vërtetë/
PRISHTINË, 29 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka mbajtur një fjalim para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku ka bërë thirrje për unitet në realizimin e aspiratave afatshkurta e afatgjata të Kosovës.
Duke folur pas kthimit nga Nju Jorku, ku ndoqi punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti Thaçi theksoi se ka marrë mbështetje të liderëve botërorë për aspiratat e Kosovës, qoftë për anëtarësim në Interpol dhe liberalizim të vizave, qoftë për formimin e ushtrisë së Kosovës dhe arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë.
“Në bisedimet me aleatët tanë ndërkombëtarë morëm përkrahje të plotë për projektet tona, si për ato afatshkurta, ashtu edhe ato afatmesme”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “mbi të gjitha morëm përkrahje për rrugën tonë euroatlantike dhe konfirmim se kjo është rruga e vetme”.Duke folur për hapat e menjëhershëm për anëtarësim në Interpol, presidenti Thaçi u shpreh se “Kosova është përgatitur për Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit” dhe se tani “është me rëndësi që të bëhemi bashkë dhe të gjithë të përkrahim dhe punojmë për këtë synim”.Unitet të spektrit politik, presidenti Thaçi kërkoi edhe në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
”Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret teknike që i ka vënë BE-ja”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se Kosova tani “me të drejtë pret që sa më parë të merret vendimi për heqjen e regjimit të vizave”.
”Është thelbësore që të jemi të unifikuar në qëndrimin tonë, në mesazhin tonë dhe në deklaratat tona”, u shpreh presidenti Thaçi.
“Të gjithë të flasim me një zë për domosdoshmërinë e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Të mbrojmë me një zë interesin e shtetit të Kosovës, të qytetarëve të Kosovës”, shtoi presidenti Thaçi.
Duke folur për synimet afatgjata të Kosovës, anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe në BE, presidenti Thaçi theksoi se është krenar që është president i vendit më pro-NATO dhe më pro-BE në Evropë.
Ai pohoi se Forca e Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me NATO-n dhe partnerët perëndimorë ka arritur pikën kur është e gatshme të marrë përgjegjësi shtesë, ato të një ushtrie të vërtetë.
“Prandaj, të bëhemi bashkë dhe t’i kalojmë në Kuvendin e Kosovës ligjet që i hapin rrugë themelimit të ushtrisë dhe afrimit të Kosovës me NATO-n deri në anëtarësim të plotë”, potencoi presidenti Thaçi.
Ndërsa për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi tha se për realizimin e aspiratës për ulëse në Kombet e Bashkuara, për anëtarësim në NATO dhe në BE, kërkohet që të arrihet marrëveshja paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Është e vërtetë që e kemi merituar që rrugëtimi ynë drejt Kombeve të Bashkuara, drejt NATO-s dhe BE-së, të jetë më ndryshe, më i lehtë, më i shpejtë. Të mos varej më nga marrëveshja paqësore me Serbinë”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “realiteti rajonal dhe ndërkombëtar imponon arritjen e marrëveshjes për normalizim për të dy shtetet”.
“Unë kam propozuar opsionin e korrigjimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe kam argumentuar se marrëveshja eventuale e korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë, Kosovës i siguron njohjen nga Serbia dhe ulësen në Kombet e Bashkuara. Çfarë është edhe më e rëndësishme, kjo hap mundësi edhe për bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me vendin tonë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Edhe kjo kërkon që në Kosovë, sipas presidentit Thaçi, spektri politik dhe e tërë shoqëria të jemi të bashkuar, të jemi unikë në kërkesën tonë dhe në synimin tonë.
“Të bëhemi bashkë, të sqarojmë se çfarë dëshirojmë të arrijmë, çfarë dëshirojmë të fitojmë, por edhe çfarë jemi gati të paguajmë për të arritur këtë qëllim”.Në fund të fjalimit të tij para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidenti Thaçi u shpreh se “kryefjala ime sot ishte fjala bashkim”. “Të bëhemi bashkë për Kosovën, për të mirën e Kosovës, për të mirën e çdo qytetari”, kërkoi presidenti Thaçi.
”Të bëhemi bashkë e të shikojmë përtej interesave personale, partiake, elektorale, interesave të ditës dhe të punojmë të gjithë së bashku për Kosovën”, përfundoi ai./b.j/