Sokol Paja/
New York, 21 shtator 2024- Presidentja e Republikës së Kosovës Shkëlqesia e Saj Dr. Vjosa Osmani Sadriu zhvilloi një vizitë zyrtare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ajo shoqërohej nga Ilir Dugolli- Ambasador i Kosovës në SHBA, Blerim Reka- Ambasador- Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në New York, Learta Hollaj – shefe e stafit, Rejhan Vuniqi- këshilltare, Donika Kadaj Bujupi- këshilltare, Rinor Nuhiu- këshilltar dhe Albana Krasniqi- këshilltare e Presidentes Osmani.
Delegacioni zyrtar i Vatrës përbëhej nga nënkryetari i Vatrës: Alfons Grishaj, sekretari i Vatrës Dr.Pashko Camaj, arkëtari i Vatrës z.Besim Malota, Kryetari i Këshillit të Vatrës: Kolec Ndoja, Editori i Diellit: Sokol Paja, drejtori i degëve të Vatrës: Mondi Rakaj, anëtari i kryesisë së Vatrës Ilir Cubi e studiuesi Dr. Paulin Marku. Nënkryetari i Federatës Vatra z.Alfons Grishaj në fjalën e mirëseardhjes në emër të kryetarit Dr. Elmi Berisha e gjithë vatranëve uroi: “Presidente e Dardanisë, mirë se erdhe në Vatër, në tempullin e lirisë, në djepin e nacionalizmi shqiptar, në institucionin e parë gjithëpërfshirës nga të gjitha trevat shqipfolëse që dha shembullin e bashkimit kombëtar nën një himn dhe flamur kombëtar”. Në emër të Vatrës nënkryetari z.Grishaj i akordoi Presidentes Vjosa Osmani “Mirënjohje” me motivacion: “Për merita të veçanta në lidershipin politik e unifikues në ndërtimin e shtetit të Kosovës, promovimin e shkëlqyer të Kosovës në arenën ndërkombëtare, për zhvillimin demokratik të institucioneve, forcimin e lirisë e demokracisë, të jetës pluraliste e institucionale në Kosovë e kontributin e jashtëzakonshëm në fuqizimin e diplomacisë, reformave e sundimit të ligjit në Kosovë”.
Editori i Diellit ekspozoi sukseset e Federatës Vatra e gazetës Dielli si trashëgimi e veçantë patriotike, kombëtare, atdhetare morale e shpirtërore në mërgatën e Amerikës. Editori ekspozoi punët e mëdha kombëtare të Vatrës përgjatë një shekulli e një dekade veprimtari atdhetare në shërbim të interesit të kombit shqiptar e komunitetit tonë në mërgatën e Amerikës. Gjatë fjalës së saj presidentja Vjosa Osmani vlerësoi punën e Vatrës si shkëndijë e fuqishme atdhetare në Amerikë dhe lartësoi miqësinë e pa ndashme e mbështetjen e përjetshme prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Në periudhën më të vështirë të ekzistencës kombëtare, mërgata e Amerikës me në krye Vatrën bënë që të dëgjohej fort zëri i Kosovës” tha presidentja Osmani. Mërgata e Amerikës dha shkëndija shprese dhe shqiptarët e Amerikës ishin shtyllë kryesore që i hapën Kosovës derën në Shtëpinë e Bardhë për të sjellë lirinë dhe pavarësinë. Falë orientimit pro perëndimor e euroatlantik, Kosova është histori suksesi falë mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës cilësoi zonja Osmani. Kosova ndërtohet mbi bazën e vlerave perëndimore që janë themeli i vlerave të Bashkimit Europian. Vatra është sinonim i mbrojtjes së vlerave më të çmuara kombëtare, vlera që janë themeli i shtetit të Kosovës” tha ndër të tjera Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani. Ajo u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve në trojet etnike dhe diasporë për bashkim në shërbim të interesit kombëtar përballë forcave të errëta që sulmojnë shtetin e kombin shqiptar.
Dr. Pashko Camaj vlerësoi lidershipin e Presidentes Vjosa Osmani dhe miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa Kryetari i Këshillit të Vatrës z.Kolec Ndoja u ndal në fuqizimin e femrës shqiptare si forcim i familjes, shtetit e shoqërisë. Presidentja Osmani i dhuroi Vatrës hartën e Republikës së Kosovës punuar në argjend teksa patriotja Alesia Shkorreti i dhuroi presidentes një buqetë me lule për respektin e mirëseardhjen te Vatra, qendra e atdhetarizmës në Amerikë, çaste emocionuese që u fiksuan në celuloidin e mjeshtrit të fotografisë Dritan Haxhia. Kjo ditë ishte e shënuar për Vatrën e mërgatën shqiptare të Amerikës. Një takim i shkëlqyer patriotik si dëshmi e lidhjes së gjallë me shqiptarëve të mërguar dhe shtetit të Kosovës , Shqipërisë e shqiptarëve në trojet etnike.
Vatra i shpreh mirënjohjen shqiptarëve të Amerikës për mbështetjen e pa kursyer, të gjithë atyre që e mbështesin Vatrën, i besojnë Vatrës, bashkëpunojnë me Vatrën për hir të interesit kombëtar shqiptar.