Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ambasadorët e akredituar në Republikën e Kosovës, kanë bërë homazhe te varri i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, në 19-vjetorin e ndarjes nga jeta. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: “Me krenari dhe respekt të thellë, bashkë me përfaqësues të korit diplomatik, bëmë homazhe në nderim të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, njeriut që udhëhoqi popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë. Ati themeltar shquhej për vizionin e tij largpamës për një Kosovë të lirë, të pavarur, demokratike dhe të integruar në familjen euroatlantike. Ai mbetet simbol i paqes e lirisë, ndaj lavdia e tij është e përhershme”!
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në përvjetorin e ndarjes nga jeta të presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, ka vizituar familjen e tij. Presidentja Osmani ka shkruar: “Kujtimi për presidentin historik, dr.Ibrahim Rugova, nuk është vetëm histori, por busulla jonë nacionale. Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, vizitova familjen e tij, në të cilën edhe më shumë e kuptojmë madhështinë dhe urtësinë me të cilën ai ndërtoi vizionin që na frymëzoi ne dhe do t’i frymëzojë brezat që vijnë për dashurinë e pakusht ndaj Kosovës”.