


Hamid Alaj/
Shoqata “Besi” dhe Shkolla “Fol Shqip”, me nxënësit e saj, me rastin e përfundimit të semestrit pranveror në shkollën P.S. 88 në Ridgewood, Queens, para një audience të gjerë prezantuan dramën “Dasma Jonë”, bazuar në librin “Dasma krajane dhe ceremoniali i saj” nga autori krajan Hamid Alaj.
Me këtë rast, dua të falënderoj udhëheqësinë e Shoqatës “Besi”, me në krye kryetarin z. Sejdin Xhaferaj, si dhe të gjithë këshillin drejtues për besimin që më dhanë për regjinë e kësaj drame. Pas një pune intensive, së bashku me ndihmës-regjisoret znj. Medina Xhaferaj, znj. Sabrina Xhaferaj, znj. Medina Hoxha, znj. Merime Asanaj dhe znj. Servete Xhaferaj, arritëm të sjellim një vepër të plotë dhe të denjë për traditën tonë.
Falë përkushtimit, pasionit dhe seriozitetit të tyre gjatë gjithë përgatitjeve dhe provave, puna jonë u kurorëzua me një paraqitje dinjitoze. Ato punuan pa u lodhur, me koordinim të shkëlqyer mes vete, duke dhënë shembull të vërtetë bashkëpunimi dhe profesionalizmi.
Nuk ka më bukur se të kujtojmë dhe të përcjellim, sado pak, traditat tona edhe këtu në mërgim – dhe t’i trashëgojmë ato te brezat e rinj të komunitetit tonë krajan.
Skenografia ishte në nivel të lartë artistik, e ndërtuar me elemente autentike të traditës krajane: qilima dhe struga, sofër me stola përreth, derë dhe mure të përfaqësuara nga “akshihanija” krajane – një punë mbresëlënëse nga skenografët që na rikthyen në të kaluarën tonë familjare.
Para publikut, të gjithë ishin të mrekullueshëm. Dua të theksoj se yjet e këtij prezantimi ishin vetë nxënësit: vogëlushët dhe vogëlushet me veshje tradicionale krajane, që përfaqësuan me krenari brezin e ardhshëm të komunitetit besian e krajan – e më gjerë, të gjithë shqiptarëve.
Pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme: prindër, të afërm dhe miq, të cilët e mbushën sallën dhe e përjetuan me emocion çdo moment. Secili rol u shoqërua me duartrokitje dhe këngë nga audienca, duke krijuar një atmosferë të paharrueshme.
Pas përfundimit të shfaqjes, Shoqata “Besi” ofroi ushqime dhe pije freskuese, duke mbyllur me një atmosferë festive dhe të ngrohtë.
Kjo dramë, si një sukses i përbashkët, do të publikohet së shpejti në kanalin tonë YouTube dhe në platformat e tjera.
Falënderoj sinqerisht të gjithë stafin organizativ për mundësinë që më dhanë të jem pjesë e këtij eventi. U ndjeva thellësisht i emocionuar dhe i privilegjuar që më besuan këtë punë. Qoftë për hajër në hapat e ardhshëm – sepse kjo dramë hapi një derë të re për të ruajtur dhe përçuar traditat tona edhe këtu në diasporë.
Ftoj që kjo dramë dhe këta pjesëmarrës të ftohen edhe në eventet tuaja – për një prezantim dinjitoz që nuk do t’ju zhgënjejë.
Urime dhe suksese të gjithëve që kontribuuan në realizimin e kësaj drame!
Urime dhe suksese në të ardhmen për Shoqatën “Besi” dhe Shkollën “Fol Shqip”!