*100 mije Euro per Luginen e Presheves
*Rama: Jemi bashkudhëtarë; gjuha, ëndrra dhe qëllimi ynë është një
* Thaçi: Të jemi shembull për rajonin. Rama: Nuk cenohet kufiri mes Shqipërisë e Kosovës
PRIZREN– Kryeministrat Edi Rama dhe Hashim Thaçi kanë zgjedhur pikërisht Prizrenin për të krijuar lidhjen e ngushtë mes dy qeverive e dy vendeve. Ashtu siç edhe ishte lajmëruar, mbledhja e përbashkët ka nisur në orën 11:00 në ambientet e hotel ‘Theranda’, me fjalën e kryeministrit Thaçi, i cili i uroi kabinetit të Shqipërisë mirëseardhjen në tokën e përbashkët të shqiptarëve. Kryeministri Thaçi theksoi se kjo mbledhje do t’i shërbejë avancimit, afirmimit dhe kultivimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, që siç tha ai duhet të ecin në një të ardhme të përbashkët. Nga ana e tij, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nënvizoi se takimi i Prizrenit për bashkëqeverisjen strategjike mes dy vendeve është pikënisje e një rrugëtimi të përbashkët institucional drejt zhvillimit të 2 vendeve, forcimit të ekonomive dhe modernizimit të shteteve. Kryeministri Rama siguroi të gjithë ata që mund ta shohin me shqetësim këtë mbledhje të përbashkët dhe partneritetin e ngushtë me Kosovën, duke theksuar se kufiri mes dy vendeve është i qartë dhe i pandryshueshëm.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim dhe partneritet strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës pikërisht në vendin ku është mbajtur Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
Në praninë e përfaqësuesve të dy kabineteve qeveritare dhe shumë njerëzve të tjerë pjesëmarrës me këtë rast janë nënshkruar edhe marrëveshjet për lehtësimin e tregtisë mes dy vendeve dhe bashkëpunimin në fushën e transportit dhe infrastrukturës.
Në fjalën e tij pas nënshkrimit të marrëveshjeve të përbashkëta me qeverinë e Shqipërisë, Kryeministri Thaci e konsideroi takimin e parë mes dy qeverive si të suksesshëm, ndërsa e cilësoi angazhimin e Ramës për iniciativë si mjaft efikase.
“Në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë do të fuqizojmë dialogun. Synimi ynë final është anëtarësimi i Kosovës në OKB, BE dhe NATO”, u shpreh Thaçi.
Sa i takon marrëdhënieve me fqinjin verior, Thaçi theksoi se do të ketë thellim të bashkëpunimit për intensifikimin e dialogut me Serbinë, ndërsa shtoi se objektiv mbetet shtimi i numrit të njohjeve të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Nga ana e tij kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e cilësoi nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve si fillimin e një kapitulli të ri në rrugëtimin e përbashkët të dy vendeve drejt integrimit europian, rrugëtim i cili sipas kryeministrit Rama duhet të vijojë edhe nga qeveritë e tjera që do të vijnë në pushtet në të dyja vendet.
Prizren, Thaçi: Të jemi shembull për rajonin. Rama: Nuk cenohet kufiri mes Shqipërisë e Kosovës
Rreth orës 11:00 të ditës së sotme ka nisur në Prizren mbledhja e dy qeverive, asaj te Shqipërisë dhe Kosovës. Fillimisht fjalen e ka marre kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e vlerësoi këtë mbledhje si një moment për nisjen e punës për të ardhmes së përbashkët.
“Unë besoj se ekspertët tanë do të punojnë bashkërisht për shqyrtimin e marrëveshjeve tona dhe thellimin e bashkëpunimit tonë. Qëllimi i këtij takimi ka qenë zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme dhe forcimi i marrëdhënieve tona”, u shpreh Thaçi, duke theksuar se marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve duhet të jenë të forta.
Thaçi vuri në dukje se rruga e Kombit duhet të jetë më efikase për kalimin e mallrave dhe lëvizjen e njerëzve, si dhe theksoi se ndërtimi i linjës së interkonjeksionit është me rëndësi të madhe.
“Ka vullnet politik si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë që marrëdhëniet tona të jenë shembull për të gjithë rajonin”, u shpreh Thaçi.
Thaçi e vlerësoi këtë takim si shumë të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, që do të hapë një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin.
“Shpreh krenarinë për homologun tim Edi Rama që ishte ndër të parët intelektualë që iu kundërvu regjimit komunist. Ata kanë luajtur rol kyç në nxjerrjen e vendit nga izolimi. Por ne jemi sot këtu për të punuar për të ardhmen, nuk ka asnjë dyshim se shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare përbën një nga arritjet më të mëdha për dy shtetet shqiptare. Ky takim shënon një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin”, tha ai.
Rama: Jemi bashkudhëtarë; gjuha, ëndrra dhe qëllimi ynë është një
Në fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama theksoi se kjo nismë është pikënisja e një rrugëtimi të përbashkët institucional për zhvillimin e Shqipërisë dhe Kosovës, forcimin e ekonomisë, thellimin e bashkëpunimit, pasurimin e jetës kulturore të dy vendeve. Rama theksoi se Kosova dhe Shqipëria janë bashkudhëtarë pasi ka shumë më tepër gjëra që i lidhin në raport me vende të tjera fqinje që gjithashtu mbajnë mbledhje të përbashkëta. “Ne jemi bashkudhëtarë pasi gjuha, ëndrra dhe qëllimi ynë është një”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është shumë i qartë dhe i patjetërsueshëm.
Më tej kryeministri shqiptar theksoi se qëllimi është që këto mbledhje të përbashkëta të zgjaten përtej mandateve të dy qeverive dhe se një rëndësi e posaçme do t’u kushtohet shqiptarëve që jetojnë përtej kufijve zyrtarë të dy vendeve, duke shprehur vendosmërinë për të mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Rëndësi e posaçme do t’i jepet të drejtave të shqiptarëve përtej kufijve tanë zyrtare. Kjo mbledhje përfshin një gjest të mirëpritur, në mbështetje të shqiptarëve të Preshevës. Kjo përpjekje tregon mbështetjen e dy qeverive shqiptare për pakicat shqiptare jashtë kufijve tanë”, tha Rama.
Qeveria niset me autobus drejt Prizrenit
Kryeministri Edi Rama dhe gjithë kabineti qeveritar u nisën drejt Prizrenit ku në orën 11 të paradites së shtunë mbahet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive.
Për udhëtimin e gjithë kabinetit qeveritar ishte zgjedhur një autobus. Vetë kryeministri Rama nuk lëshoi asnjë koment para nisjes. Një gjë të tillë e bëri zv.kryeministri Niko Peleshi.
“Sot hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet me Kosovën. Një sërë marrëveshjes të rëndësishme në fushën tregtare dhe ekonomike do të firmosen. Kjo do të pasohet nga bashkëpunimet të tjera me partnerët tanë strategjikë, por kjo jo rastësisht nis me Kosovën, një mbledhje e dy qeverive të dy popujve që i përkasin të të njëjtit komb”, tha para nisjes zv.kryeministri Peleshi.