
Shkruan: Sokol PAJA – DIELLI/

Pandemia COVID-19 ka vënë në vështirësi të gjitha hallkat e sistemeve shëndetësore në të gjithë botën. Kjo pandemi ka evidentuar dobësitë dhe papërgatitjen e shumë shteteve për tu përballur me këto vështirësi. Një ndër arsyet për këtë janë dhe investimet e pakta në fushën e shëndetësisë, duke përfshirë pajisjet, ambjentet, instrumentat dhe personelin shëndetësor. Në këtë kontekst, Shërbimit të Urgjencës i është dashur të riorganizohet për t’iu përgjigjur në mënyrë të shpejtë dhe efektive kujdesit dhe shërbimit ndaj popullatës. Mjekët shqiptarë kanë qënë në vijën e parë të përgjigjes jo vetëm në vendet shqip-folëse, por edhe më gjerë në Diasporë. Vështirësitë që ata kanë hasur gjatë kësaj periudhe u paraqitën në një webinar të organizuar nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Itali. Gjatë këtij webinari Dr. Arben Gjata, Dr Skënder Brataj, Prof Basri Lenjani dhe Dr Esen Uysal paraqitën eksperiencën e tyre, sfidat e hasura dhe mësimet e marra që nga fillimi i kësaj pandemie përkatësisht në Itali, Shqipëri, Kosovë dhe Turqi.
CILAT ISHIN SFIDAT E SHËRBIMIT TË URGJENCËS?
Me fillimin e pandemisë, Shërbimi i Urgjencës u përball me sfida të mëdha, të cilat kërkonin krijimin e një strategjie për uljen e infektimeve dhe ngadalësimin e përhapjes, hartimin e kritereve të monitorimit të rasteve të dyshuara si nga centrali operativ edhe në territor dhe krijimin e një rrjeti emergjent territorial. Në të njëjtën kohë duhej treguar vëmendje për pajisjen e të gjithë personelit shëndetësor me dispozitivë të mbrojtjes individuale, koordinimin me mjekët e specialiteteve të tjera, menaxhimin dhe trajtimin në emergjencën para hospitalore për pacientët e dyshuar me COVID-19. Gjatë muajit mars të vitit 2020, mjekët e Shërbimit të Urgjencës u përballën me një shtim të numrit të thirrjeve nga ana e popullsisë që tregon edhe për panikun e krijuar nga një sëmundje e panjohur e që po përhapej me shpejtësi kudo në botë. Fillimisht ishte e vështirë edhe të përkufizohej një rast i dyshuar me COVID-19. Kishte një numër të kufizuar të ambulancave të pajisuara me të gjitha instrumentat e nevojshme sikurse respirator dhe transporti i pacientëve pozitiv kritik në shërbime më të specializuara hasi në probleme. Ndërkohë kishte një mungesë komunikimi e bashkëveprimi me departamentet e tjera, si psh ai i dializës. Në valën e parë personeli i Urgjencës u gjet i vetmuar në territor, në mungesë të dispozitivave të mbrojtjes individuale duke ndikuar gjithashtu në mosfunsionim e figurës së mjekëve të familjes. Në disa raste, të vënë përballë një armiku të panjohur e të padukshëm, personeli shëndetësor ka hezituar për të shkuar te pacienti. Ndërkohë u hasën vështirësi për të bindur personat e dyshuar, të konfirmuar, apo që ktheheshin nga jashtë shteti për të qëndruar në karantinë. Një rol të rëndësishëm edhe pse jo gjithmonë pozitiv, luajti dhe media e politika. Dizinformimi që u vu re gjatë kësaj pandemie vështirësoi shpesh punën e personelit shëndetësor e vendimmarrësve, të cilët u përballën me mosbesim të thellë nga ana e popullates. Edhe pse gjatë valës së parë u pa një solidaritet i lartë me ekipet mjekësore, kjo gjë ndryshoi me përhapjen e teorive të shumta dhe shpesh u vu re mosbesim deri në fajësim ndaj personelit mjekësor dhe skepticizëm ndaj këshillave të dhëna, kryesisht mbi përdorimin e maskave, mbajtjes së distancës sociale.
SI U MENAXHUA SITUATA E VËSHTIRË E PANDEMISË?
Në mungesë të protokolleve për menaxhimin e rasteve me COVID-19,mjekët e Shërbimit të Urgjencës u mbështetën tek protokollet e vjetra të hartura për SARS, në rastet kur ishin të krijuara dhe ekzistente. Me shtimin e njohurive dhe evidencave shkencore mbi virusin dhe pandeminë, shumë shpejt u hartuan protokolle të reja kombëtare e ndërkombëtare, të cilat iu mundësuan në mënyrë të përditësuar dhe të herëpashershme personelit mjekësor. Me numrin e rasteve që shtoheshin dita ditës, një tjetër sfidë ishte trajnimi dhe edukimi i stafit mjekësor mbi SARS-CoV-2, trajtimin e pacientëve dhe përdorimin e duhur të veshjeve mbrojtjëse. Duke konsideruar infektueshmërinë dhe transmetueshmërinë e lartë të virusit, u pa e domosdoshme dizinfektimi i herëpashershëm i ambjenteve të urgjencës dhe i ambulancave. Koordinimi midis departamenteve të ndryshme dhe bashkëpunimi midis tyre lehtësoi mbingarkesën e sistemit shëndetësor, duke përfshirë dhe Shërbimin e Urgjencës. Pati një ulje të numrit të thirrjeve për patologjitë e tjera akute për shkak të frikës nga COVID-19, gjë që tregon një shtyrje të kujdesit shëndetësor deri në rrezikim të jetës së pacientëve. Kjo çoi në një mbipopullim të ED në një moment të dytë. Për t’ju gjendur sa më pranë pacientëve, personeli i urgjencës ka qënë në kontakt të vazhdueshëm me ta, duke ritelefonuar ditë pas dite ata në gjendje kritike e të dyshimtë. Mjekët kanë pasur nivele të larta stresi për shkak të turneve të gjata e të lodhshme, infektimeve të tyre e të familjarëve, humbjeve të personave të dashur e të kolegëve. Për t’i ndihmuar janë vënë në dispozicion numra të këshillimit psikologjik si dhe kurse për menaxhimin e stresit.
BETEJA ME VIRUSIN VAZHDON…
Shërbimi i Urgjencës, ashtu si i gjithë sistemi shëndetësor ndjeu mungesën e protokolleve dhe parapërgatitjes në fazat e para të pandemisë COVID19. Me shtimin e njohurive mbi virusin dhe me kalimin e kohës u bë një riorganizim për të ofruar një shërbim efektiv e në kohën e duhur për çdo pacient. Eksperiencat e ndara gjatë këtij webinari mund të shërbejnë si mësime për të gjithë mjekët shqiptarë të shërbimit të urgjencës, jo vetëm në përballjen me pandeminë që po kalojmë, por edhe në një emergjencë sanitare në të ardhmen. Si përfundim, duhet theksuar se deri në përmirësimin e situatës epidemiologjike, beteja me virusin vazhdon dhe në asnjë moment nuk duhet të ulim vëmendjen ndaj respektimit të masave të shëndetit publik.