Sokol Paja/
New York- 8 Janar 2022, Prof. dr. Muhamed Mufaku vizitoi Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra. I shoqëruar nga vajza e tij Mërgime, miku i përbashkët Elez Osmani me zonjën e tij Nurije Osmani, në selinë qëndrore të Vatrës u pritën nga kryetari z.Elmi Berisha dhe Editori i Diellit Sokol Paja. “Jam shumë i gëzuar që po vizitoj Vatrën. Ju përgëzoj për punën që po bëni. Ne i kemi ndjekur gjithmonë aktivitetet e Vatrës. Është krenari të jem në këtë qendër shqiptarie me histori të madhe historike dhe kulturore për kombin tonë. Jam shumë i emocionuar që ju takoj sot të gjithëve në Vatër. Uroj shumë suksese në vazhdim dhe bashkëpunim” ishin fjalët e ndjera të Prof. dr. Muhamed Mufakut në vizitën vëllazërore në Vatër. Kryetari Berisha e informoi profesor Mufakun me detaje rreth punës së Vatrës në vitet e fundit në aspektin diplomatik, kulturor dhe në fushën e kërkimit shkencor ku Vatra shumë shpejt do të ketë historinë e saj të dokumentuar në pesë vëllime, një histori autentike, projekt i inicuar nga z.Berisha dhe udhëheqës shkencor Akademik Beqir Meta dhe bashkëpunëtorët e tij shkencor në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Prof. dr. Muhamed Mufaku shprehi dëshirë dhe gatishmëri për të pasqyruar në gazetën Dielli artikuj të historisë së shqiptarëve në lindjen e mesme dhe figura shqiptare të panjohura por me kontribute të larta në historinë e shqiptarëve në botën arabe. Prof. dr. Muhamed Mufaku (Arnauti) është i lindur në Damask, në vitin 1952. Ka qenë anëtar i Shoqërisë për Kërkime dhe Studime. Është diplomuar në universitetin e Damaskut në gjuhën dhe letërsinë arabe, ndërsa magjistraturën dhe doktoraturën në letërsi krahasuese dhe histori i ka mbrojtur në Universitetin e Prishtinës, ka doktoruar në filologji e në histori në Universitetin e Prishtinës, ushtroi detyrën e profesorit të historisë moderne në disa universitete të Jordanisë gjatë viteve 1989-2018. Pas përfundimit të takimit miqësor në Vatër, kryetari Berisha shtroi një drekë vëllazërore për miqtë e rinj të Vatrës dhe u diskutua për promovimin e veprës së plotë të Prof. dr. Muhamed Mufakut në muajin qershor 2022 në Selinë Qëndrore të Vatrës.