
Dardan Blaku/
Sot, ndërsa shohim dokumentarin që ndriçon jetën dhe veprën e Prof. Dr. Rifat Blakut, ndiej një krenari të thellë për trashëgiminë që ai ka lënë pas. Axha Rifat nuk ishte vetëm një intelektual i shquar dhe profesor ordinar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, por edhe një simbol i rezistencës, i guximit dhe përkushtimit ndaj çështjes kombëtare.
Ai ishte pjesë e pandashme e familjes sonë të ngushtë dhe një shembull frymëzimi për të gjithë ne. Kujtimet e tij me babain tim, vëllain e tij të pandarë, dëshmojnë për një jetë të mbushur me sakrifica, por edhe me dashuri për dije dhe atdheun. Nga ditët e para si nxënës deri te angazhimet e tij si pedagog, aktivist dhe drejtues politik, Axha Rifat gjithmonë qëndroi i palëkundur në përpjekjet për t’i dhënë Kosovës zërin që meritonte në arenën ndërkombëtare.
Në vitet e vështira të okupimit serb, ai nuk u dorëzua kurrë. Si nënkryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës dhe një zë i fuqishëm në forume ndërkombëtare, Axha Rifat luftoi për drejtësi dhe liri. Ai ishte gjithashtu një zë i dëgjuar në Institutin e Paqes në Washington DC, ku paraqiste me dinjitet realitetin e dhimbshëm të popullit tonë dhe aspiratat tona për liri.
Gjatë luftës së Kosovës, Axha Rifat dha një kontribut të jashtëzakonshëm. Ai bashkëpunoi ngushtë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke ndihmuar në orientimin strategjik dhe logjistik të saj. Mbante ligjërata për orientimin topografik dhe aftësi të tjera jetike për ushtarët tanë, siguronte harta topografike dhe ndihmonte në përgatitjen për betejat më të rëndësishme. Në të njëjtën kohë, ai ishte anëtar i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, duke marrë pjesë në organizimin politik dhe institucional të rezistencës, në një prej periudhave më vendimtare të historisë sonë.
Përmes dijes dhe veprimit, ai tregoi se dijetari mund të jetë edhe luftëtar kur kombi është në rrezik. Përkushtimi i tij ndaj arsimit dhe formimit të brezave të rinj ishte pjesë thelbësore e misionit të tij jetësor.
Sot, ndërsa kujtojmë jetën dhe veprën e tij, le ta mbajmë gjallë frymën e Axhës Rifat: frymën e dijes, të guximit dhe të dashurisë së pakushtëzuar për atdheun. Ai ishte më shumë se një profesor; ai ishte një prijës shpirtëror i kohës së tij.