

Arben Iliazi/
Filmi dokumentar “Shaban Murati-diplomati antitabu”, që u promovua të enjten (11 dhjetor 2025) në një nga sallat e ‘Hotel Internacional” në Tiranë, shkaktoi një tronditje emocionale tek spektatorët. Në këtë produksion të Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, realizuar me mbështetjen e dhe përkujdesin e veçantë të z. Alket Veliu, për herë të parë u zbulua profili i plotë i Profesor Shaban Muratit, një personalitet poliedrik, diplomat me aftësi të rralla, humanist, historian, gazetar e polemist.
Filmi i regjisorit të mirënjohur Ylli Pepo (Artist i Merituar) përshkruan me mjeshtëri, çast pas çasti, me një teknikë narrative, gjithë kronologjinë e jetës dhe të aktivitetit të prof. Shaban Muratit. Skenaristi Ben Andoni, pas një hulumtimi të gjatë, na sjell një biografi të kompletuar të Muratit , duke ndriçuar aspekte të panjohura të jetës dhe veprës së tij, duke u bazuar në regjistrimin autentik të ngjarjeve të vërteta, si dhe në deklaratat e drejtpërdrejta të protagonistit dhe të ish bashkëpunëtorëve të tij, përmes intervistave të parapërgatitura, që nga raportet e tij me qytetin e lindjes, Durrësin, aktivitetin si gazetar e diplomat, marrëdhëniet me miqtë, familjen dhe shoqërinë. Filmi paraqet informacion dhe përmban dëshmi bindëse, duke përdorur kuadro të inskenuara për të ilustruar informacionin e paraqitur, si dhe për të formuar pamjen e përgjithshme.
Shaban Murati jetoi 79 vjet dhe përjetoi ngjarje të mëdha gjatë gjithë karrierës së tij, si gazetar dhe diplomat, në rrethana të ndryshme politike e diplomatike. Gjatë kalimit nga diktatura në demokraci, ai nuk është soditës, as një vëzhgues, por një veprimtar i zellshëm në fushën e kërkimeve sfilitëse dhe simboleve ekzistenciale të kombit shqiptar. Profesor Shaban Murati ka një rol të jashtëzakonshëm për daljen nga keqkuptimi i kobshëm i apokalipsit revolucionar dhe shndërrimin e madh antropologjik të shoqërisë shqiptare drejt një shoqërie moderne evropiane.
Gjithë vepra e tij ka si lajtmotiv reformimin e kodit të kombësisë, ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave të trashëgimisë sonë kombëtare.
Shaban Murati i ka këshilluar shqiptarët dhe ka motivuar diplomacinë e re shqiptare të mësojnë nga përvoja e popujve të tjerë, si dhe nga përvoja kombëtare, të mendojnë me kokën e vet, të dinë se kriteri kryesor është kombi, të mos bëjnë asgjë që bie në kundërshtim me interesat e kombit.
Vepra e Shaban Muratit është një mesazh, një apel për intelektualët shqiptarë, për diplomatët, historianët dhe studiuesit e rinj, që të rendin pas së vërtetës me guxim.
Shaban Murati përfaqëson një shkollë më vete të diplomacisë shqiptare, duke e nxitur atë të përshtatet me sfidat e reja të integrimit euro – atlantik.
Lajtmotivi kryesor i mbi 20 librave të tij është Shqipëria dhe Kosova, të cilat duhet të ecin me këmbët e veta, të bëhen shtete të pavarura reale, që të kenë integritetin e tyre.
Një këndvështrim mjaft interesant paraqesin analizat e diplomatit Murati për marrëdhëniet strategjike me Turqinë, për marrëdhëniet me Maqedoninë apo Kroacinë dhe është thelluar në analizimin e problemve që qëndrojnë pezull me Greqinë. Në disa libra, të mbështetur edhe nga Fondacioni Çamëria ”Hasan Tahsini”, Shaban Murati ka ndriçuar gjenezën dhe dinamikën diplomatike aktuale të një prej çështjeve më enigmatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, që mori emrin “Çështja e detit”.
Ndërsa për çështjen çame Ambasadori Murati është shprehur në mënyrë të qartë dhe prerë, siç tha drejtuesi i Fondacionit Çamëria, Alket Veliu. Sh. Murati e ka përcaktuar çështjen çame si pjesë e çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan, si një problem politik dhe historik, me një specifikë të veçantë, e cila duhet trajtuar si e tillë nga diplomacia dhe shteti i Shqipërisë”. Ajo kërkon zgjidhje politike nga marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Shaban Murati do të ketë gjithmonë ringjalljet e tij të mëdha. Këtë është përpjekur të thotë, në realizimin e tij, regjisori i Ylli Pepo. “Shaban Murati ka thënë gjithçka për popullin, vendin, duke skalitur testamentin e përjetshëm të kombit”, u shpreh me dy fjalë regjisori në fund të shfaqjes.
Ringjalljet e Shaban Muratit nuk kanë të bëjnë vetëm me aktualizimet, apo rivlerësimet e mesazheve antitabu. Në këto ringjallje sqarohet koha, ndiçohet e ardhmja. Analizat e tij janë sinoptike, sinteza të shkurtra e polivalente. Ato dallohen për erudicionin e pazakontë, për sensin e drejtë dhe forcën e arsyes, si dhe për frymën emancipuese të tyre.
I gjithë etosi i filmit e ushqen këtë lexim, sipas një estetike që kërkon të jetë post-moderne, përmes imazheve të pastra me një konsistencë pothuajse prej kartoline, fotove dhe pamjeve filmike me ngjyra të mrekullueshme, si në rrallë filma shqiptarë, që ka sjellë kamera virtuoze e Xhemal Reçit.