-“Haga e Ramush Haradinaj” është botimi i radhës i UET Press që u promovua sot në Universitetin Europian të Tiranës. Libri ka për autor Michael O’Reilly, koordinatori i ekipit mbrojtës të Ramush Haradinajt në Hagë. O’Reilly e Haradinaj ishin vetë të pranishëm në ceremoni, krahas shumë personaliteteve të tjerë të jetë publike në Shqipëri e Kosovë.
Presidenti i UET, Adrian Civici në fjalën hapëse të ceremonisë vlerësoi librin duke thënë se ai nuk është një botim thjesht për një personazh, por për një kauzë kombëtare.
“Ky është libër për mënyrën se si me shumë dinjitet, një problem dhe një keqkuptim i madh përsa i përket lëvizjes për liri dhe pavarësi të shqiptarëve në Kosovë, u keqpërdor apo u keqinterpretua në arenën ndërkombëtare”,- tha Civici.
Për autorin e librit, Michel O’Reilly ishte hera e parë që vizitonte Shqipërinë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, teksa shprehu falenderimet për UET Press që solli në shqip librin e tij ai tha se “ka qenë një kënaqësi për mua të shkruaj këtë libër që ia dedikoj kujtimit të Shkëlzen, Luan dhe Enver Haradinaj. Duke punuar me shumë udhëheqës vendesh, nuk më ka qëlluar shpesh të ndeshem me një individ, që të ketë të kombinuar kapacitetet intelektuale dhe aftësisë qeverisëse sikundër Ramush Haradinaj i ka.
Largimi i tij në 2005 ishte një tragjedi për Kosovën, por sot është sërish mundësia që Haradinaj të jetë në krye të vendit. Shpresoj që kjo të ndodh”.Vetë protagonisti i librit, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij risolli para të pranishmëve sakrificën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.“Mendoj se ka ndodhur drejtësia me luftën, me lirinë e Kosovës.
Në përballjen me Hagën kam qenë disi i zënë vetëm, pasi Kosovën dhe Shqipërinë i zuri përditshmëria e problemeve dhe çështjeve, por jo krejt i vetëm, pasi kam pasur një ekip mbrojtje shumë të mirë. Sot është një emocion i madh, një ndjenjë e përzier, por edhe një shpresë që edhe ne do të dimë të kultivojmë vetëveten”,- u shpreh Haradinaj.
I pranishëm në ceremoni, krahas shumë personaliteteve të tjerë ishte edhe Pandeli Majko, ish- kryeministër i Shqipërisë në kohën kur po zhvillohej lufta e Kosovës. Majko vlerësoi figurën e Haradinajt si luftërar, politikan dhe si mik i tij. Në përfundim të ceremonisë iu dha hapësirë studentëve për t’i drejtuar pyetje të ndryshme Haradinajt, aktualisht kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe një prej pretendentëve për t’u bërë kryeministër në zgjedhjet e 8 qershorit. Ne librin “Haga e Ramush Haradinaj” tregohet gjithë saga e ish-komandantit të UÇK-së në betejën e tij me drejtësinë ndërkombëtare si dhe hidhet dritë mbi shumë akuza të sajuara, me qëllim që ai të dënohej për krime që nuk i kishte kryer./a.gegvataj/