
Sokol Paja/
Protesto për Shqipërinë, për rininë, për malin, për detin, për tokën, për qiellin, për fushat, për diellin se të gjitha po i vjedhin. Protesto për ujin, për dritat, për gazin, për naftën, për çmimet, për çdo taksë që rritet, për Shqipërinë që po grabitet. Protesto për minierat, për rrugët, për shtetin, për drejtësinë, për krimin, për çdo të keqe, protesto vraje frikën, protesto se Shqipëria po shuhet, të gjithë ikën.
Protesto o vlla, o patriot, o shok, o mik, tregoi botës se Shqipërinë e vodhën e bënë çiflig. Protesto për të rinjtë që po largohen, për vendin që po shkretohet, për zemrat e nënave që po coptohen, për Mëmëdheun që çdo ditë po rrënohet.
Protesto për vatrat që mbetën të shkreta, për prindërit që vetëm i lamë, për të varfrit që u rrënohet jeta, për ata njerëz që shpresë nuk kanë. Protesto kundër hajdutëve e grabitqarëve, kundër tradhëtarëve e zuzarëvë, kundër të ligut e të keqit se Shqipërinë ia falën dreqit.
Protesto kundër armiqve, protesto kundër mjerimit e varfërisë, kundër sistemit të makutërisë, kur zhvatjes e babëzisë, kundër politikanëve të vjetër e të ri, njerëz ta paskrupullt që po na lënë pa Shqipëri. Protesto për Shqipërinë që po tretet nga pak, protesto për Atdheun për të cilin zemra na kullon gjak.